Gjatë 24 orëve të fundit në rajonin e Prishtinës janë raportuar katër raste të dhunës në familje, ku janë arrestuar dy persona.
Policia ka bërë të ditur se në Prishtinë një grua ka pranuar tretman mjekësor, pasi ishte sulmuar fizikisht nga bashkëshorti i saj.
“I dyshuari gjendet në arrati. Rasti është duke u hetuar”, thuhet në raportin 24 orësh.
Në një rast tjetër, bëhet e ditur se është arrestuar një person pasi e ka sulmuar fizikisht bashkëshorten e tij, ndërsa me vendim të prokurorit i dyshuari është dërguar në mbajtje.
Një tjetër rast i dhunës në familje është raportuar në Gllogoc, ku një i dyshuar është shoqëruar në polici, pasi dyshohet se ka ushtruar dhunë psikike ndaj bashkëshortes së tij.
“Pas intervistimit me vendim të prokurorit palët janë liruar dhe rasti shkon në procedurë të rregullt”, thuhet në raport.
Ndërsa, në Fushë Kosovë, një i dyshuar është intervistuar nga policia, pasi dyshohet se pas një mosmarrëveshjeje në lidhje me përkujdesjen ndaj fëmijëve, e ka ofenduar gruan e tij.
“Në konsultim me prokurorin, viktima me fëmijët e saj është dërguar në strehimore, ndërsa i dyshuari pas intervistimit është liruar në procedurë të rregullt”, ka bërë të ditur policia.