Dy persona janë ndaluar mbrëmë në rrugën magjistrale Mitrovicë – Jarinjë, saktësisht në fshatin Bistricë, pasi të njëjtit u kapën duke tregtuar ilegalisht cigare në vlerë të konsiderueshme,
Përmes një komunikate për media, Policia njofton se në veturën me të cilën po udhëtonin të dyshuarit ishin të ngarkuara rreth 6 mijë e 850 boksa të cigareve të 11 llojeve të ndryshme në vlerë rreth 113 mijë euro.
Lidhur me rastin janë njoftuar Hetimet Rajonale, ku janë intervistuar palët e përfshira në rast, dy personat e dyshuar meshkuj kosovarë të cilët dyshohet se kanë pasur për qëllim shitjen e mallit në mënyrë ambulantive në pika të ndryshme të shitjeve në Leposaviq dhe Leshak, mall i cili pas verifikimit ka rezultuar me banderola të Republikës së Kosovës.
Pas konsultimit me prokurorinë e shtetit rasti është cilësuar si ‘Tregti e ndaluar’ dhe malli i është dorëzuar Doganës së Kosovës për procedura të mëtutjeshëme.