Kur kanë mbetur edhe 10 ditë që nga përfundimi i aftit shtesë për konvertimin e targave ilegale në ato të Republikës së Kosovës, serbët lokal në veriun e vendit kanë shtuar interesimin për regjistrimin e automjeteve të tyre. Deri me tani afër 5 mijë qytetarë serbë i janë përgjigjur pozitivisht thirrjes së Qeverisë së Kosovës.
Ka mbi një muaj që një pamje e tillë, po shihet tek qendra për kontrollim teknik të automjeteve.
Janë këta qytetarët lokal serbë të veriut të Kosovës.
Këta të fundit iu përgjigjën në mënyrë masive thirrjes për konvertimin e targave ilegale KM në RKS.
E kur kanë mbetur edhe 10 ditë që nga përfundimi i afatit shtesë, numri i atyre që i konvertuan targat, ka shkuar në mbi 4 mijë.
“Tash i kemi mbi 3 mijë e 200 automjete që janë regjistruar (në RKS) dhe 800 me herët, pra numri ka shkuar në mbi 4 mijë, ne konsiderojmë që 15 ditori do të jetë afat i mjaftueshëm që gjithë ata që e kanë shanse që t’i regjistrojnë veturat e tyre nga targat ilegale në ato të Kosovës, do ta kenë këtë shanse”, tha zëvendësdrejtori i Policisë për Veri, Veton Elshani.
Elshani shtoi se afati shtesë prej 15 ditësh është i mjaftueshëm për këtë proces.
“Është duke vazhduar me një tempo më të ulët tash, për arsye se jemi në afatin shtesë prej 15 ditësh, sidoqoftë ky afat shtesë është më shumë për ata që nuk kanë pasur mundësi t’i regjistrojnë deri tani për ndonjë problem teknik apo diçka të tillë”, u shpreh Elshani.
Se ka një interesim të shtuar për t’i konvertuar targat para se të përfundoj afati shtesë, e thonë edhe në komunën e Mitrovicës veriore.
“Po shoh shumë interesim, ne informatat i kemi që janë 4 mijë e 700 targa në pjesën veriore, dhe sot kam pas rastin me pa që është interesimi i madh nga komuniteti serb për me i kry në afat kohor regjistrimin e automjeteve dhe puna në kuadër të komunës po ec mirë, shërbimet janë adekuate nga stafi”, deklaroi kryetari i Kuvendit Komunal të Mitrovicës së Veriut, Nexhat Ugljanin.
Ndryshe, Qeveria e Kosovës ka shtyrë afatin për regjistrimin me benefite financiare për pronarët e automjeteve me targa ilegale deri me 15 dhjetor.