Gëzim Kastrati prej vitesh po mbart një dhimbje të madhe për vajzën e tij, Diana Kastrati, e vrarë në 2011 nga ish-bashkëshorti i saj.
Ndonëse kanë kaluar 13 vjet, vrasësi i Dianës, ish-bashkëshorti i saj akoma vazhdon të jetë i lirë.
Gëzim Kastrati, i ftuar në emisionin në RTV Dukagjini, ka thënë se gishti duhet të drejtohet kah organet e rendit dhe gjyqësorit.
Sipas tij, duhet të ndërrohen strukturat dhe të merren me çështjet e tilla.
“Rasti ka ndodhur për mosveprim të organeve të rendit dhe gjykatave dhe deri më tani nuk është zbardhur rasti. Gjithmonë ka ngritur zërin që organet e rendit të merren me rastet por deri më tani nuk po shoh rezultate të mjaftueshme nga këto organe kompetente. Edhe rastet e mëhershme kanë qenë identike pothuajse me vrasjen e vajzës sime, kanë kërkuar urdhër mbrojtje por nuk është ofruar dhe ka ndodhur siç ka ndodhur rasti i Hamides. Nga veprimet që po ndodhin, diçka nuk është në rregull me organet e rendit dhe gjyqësorit, duhet të ndërrojnë struktura, njerëzit, të marrin vendime, të merren me çështje, nuk janë 3 apo 13 por janë 50 raste. Nuk shoh veprime dhe përmirësime”, tha ai.
Sa i përket dorasit të vajzës së tij, Dianës, Kastrati thotë se përkundër që kanë kaluar 13 vjet, njëjti nuk është kapur ende.
Ai thotë rasti ende nuk është zbardhur, ndonëse para tri viteve dyshohet se dorasi i Dianës është identifikuar në Spanjë, por që ky shtet nuk e ka bërë ekstradimin e tij për shkaqe të situatës politike.
“Është shqetësuese përkundër gati 13 viteve që ka ndodhur rasti i vajzës sime që ka humbur jetën nga ish-bashkëshorti i saj, tani po dëgjojmë raste që po ndodhin në Kosovë. Organet e rendit, organet e drejtësisë jo vetëm që nuk e kanë zbardhur rastin por edhe atëherë kur ne jemi marrë si familje dhe kemi kërkuar ndihmë nga organet e rendit, nga gjyqësori nuk na është ofruar që në atë kohë, po flasim për vitin 2011. Rasti ende nuk është zbardhur, i dyshuari është në arrati, ende nuk e dimë se ku është nuk kemi ndonjë përgjigje nga organet e rendit. Para tri viteve diçka është identifikuar në shtetin e Spanjës dhe na është dhënë si arsye se ai shtet nuk ka mundur ta ekstradojë rastin për shkak të situatës politike se Spanja nuk e njeh shtetin e Kosovës. Në atë shtet e kanë kapur për çështje të tjera kriminale. Ky apel i imi është që nga 18 maji i vitit 2011 dhe gjashtë muaj para se me ndodhë rasti. Jemi marrë me organet e rendit por për fat të keq kanë qenë shumë amatorë në realizimin e detyrave të veta. Ndryshimi duhet të bëhet aty”, shtoi ai.