Profesori i kriminalistikës, Mensut Ademi thotë se çmimet për vrasje sillen nga 25-50 mijë euro, derisa ka edhe oferta për lëndime dhe dëmtime të pronave.
Të mërkurën e javës që shkoi, Liridona Ademaj, 30 vjeçare, u gjet e vrarë në një veturë.
Fillimisht u tha se bëhej fjalë për veprën “grabitje” që çoi në vrasje.
Bashkëshorti i kishte thënë policisë se vrasja ndodhi gjatë një përpjekjeje për plaçkitjen e tij derisa ndodhej duke lëvizur me makinë me gruan dhe dy fëmijët.
Por më vonë Gjykata tha se “ekziston dyshimi i bazuar se Naim Murseli ishte marrë vesh me Granit Plavën për ta vrarë bashkëshorten e tij, duke i siguruar armën vrasësit dhe duke inskenuar veprën penale të grabitjes”.
Ky rast ka tronditur opinionin publik në Kosovë dhe më gjerë.
Profesori i kriminalistikës, Mensut Ademi ka thënë se në Ballkanin Perëndimorë fatkeqësisht ka vrasës me pagesë.
“Të përdorim logjikën e shëndoshë. Nga viti 1989 deri në 1999 çfarë ka prodhuar ky rajon. Janë prodhuar paraushtarakë dhe njerëz që nuk e kanë kaluar vrasjen në profesion. Sot ka eprorë dhe njerëz të specializuar nga Ballkani në zonat e luftës në Ukrainë, që kanë pasur përvojë në luftërat e Ballkanit. Ata e kanë vrasjen profesion”, deklaroi Ademi në RTV Dukagjini.
Ai thotë se luftërat kanë prodhuar profesione të tilla.
Ademi thotë se edhe në Kosovë situate është e keqe pas sipas tij vendi ka numër të vogël të policëve.
Sipas tij në rrjetin social Tik-Tok ekzistojnë linqe të shumta ku fare lehtë gjenden vrasës me pagesë.
“Unë ua jap katër linqe tash në Tik-Tok ku shohësh ofertat sa është çmimi për të shkaktuar dëme materiale, dëme fizike, shembull sa kushton çmimi për thyerje të këmbës, rrahje, me ja djegë veturën. E ke listën. Një mijë euro kushton thyerja e këmbës, 2-3 euro, rrahja dhe shkaktimi i dëmeve materiale, 5-10 mijë euro shkaktimi i dëmeve në shtëpi, 25 mijë deri 50 mijë vrasja qoftë në formë aksidentale apo likuidim”, ka deklaruar profesori Mensut Ademi.
Ai thotë se edhe çmimet dallojnë nga profile i personit që është cak.
“Kemi parë çfarë raste kanë ndodhur në Shqipëri. Ka pasur raste të vrasjes së një biznesmeni me snajper, ku arma është blerë në Kosovë”, ka deklaruar ndër të tjera Ademi.