Rastet kur po kryhen shërbime në biznese e institucione të ndryshme me para të falsifikuara janë rritur. Qindra e mijëra euro para që dyshohet të jenë të falsifikuara po vazhdojnë të vihen përditë në qarkullim, në tregun e Kosovës.
Me para false ka provuar ta paguajë rrymën në KEDS edhe një person në Shtërpcë, ku më pas u zbulua se 500 nga monedhat që i kishte me vete dyshohet të jenë të falsifikuara.
“Ankuesja femër kosovare zyrtare e KEDS-it ka informuar se një klient mashkull kosovar ka kryer pagesë ku gjatë numërimit kanë dal 500 monedha nga 2€ të falsifikuara. Monedhat janë konfiskuar dhe rasti është duke u hetuar”, thuhet në njoftimin e Policisë.
Kujtojmë se të mërkurën janë arrestuar gjashtë persona, tre kosovarë dhe tre shtetas të Maqedonisë së Veriut, të cilët dyshohet se merreshin me prodhimin/shpërndarjen dhe futjen në treg të parave të falsifikuara, të cilat dyshohet se janë prodhuar në një shtet fqinj me Kosovën, dhe me pastaj nga grupe kriminale shpërndahen në shtetet e rajonit.