Tuesday, November 26, 2024
HomeLajmeBE e lëvdoi Kosovën për progres, por monitoruesit në Prishtinë thonë se...

BE e lëvdoi Kosovën për progres, por monitoruesit në Prishtinë thonë se s’mund të flitet për reformë zgjedhore

Komisioni Europian ka lavdëruar Kosovën në raportin e sivjetmë për çështjen e reformës zgjedhore. Periudha raportuese ka parë arritje legjislative të rëndësishme, përfshirë reformat elektorale, thotë KE. Por, çka ka bërë vërtet Kosova në përmirësimin e reformës zgjedhore?

Komisioni Europian shkruan në raport se Kosova ka bërë progres të rëndësishëm me reformën zgjedhore, pasi ka miratuar Ligjin për financimin e partive politike dhe Ligjin për zgjedhjet e përgjithshme.

“Kuadri i ri ligjor adreson rekomandimet e kahershme të misioneve të njëpasnjëshme të vëzhgimit të zgjedhjeve të BE-së”, thotë KE.

Sidoqoftë, ky vlerësim i Komisionit Europian në fakt nuk përbën reformë zgjedhore në aspektin përmbajtjesor, por progres ka pasë në atë teknik.

Kështu ka deklaruar për Gazetën Express Eugen Cakolli në Institutin Demokratik të Kosovës, i cili shpjegoi se ku duhet të punohet për të sanuar të metat e sistemit zgjedhor në Kosovë.

“Raporti i Komisionit Europian për Kosovën ka theksuar që Kosova ka shënuar progres në raport me avancimin e kornizës ligjore për organizimin dhe administrimin e zgjedhjeve, por që në vlerësimin tonë pavarësisht disa prej aspekteve teknike ku është shënuar progres, ajo çfarë ka ngjarë në Kuvendin e Kosovës në fakt nuk përbën reformë zgjedhore, sepse në radhë të parë janë trajtuar vetëm çështjet teknike e së dyti – pjesët më përmbajtjesore të ndryshimeve të bëra nga ana e partive politike kanë qenë në raport me çështjet private të tilla si çështja e interesave partiake të shtyra në raport me votimin jashtë vendit, votën preferenciale dhe të ngjashme”.

Cakolli tha se besojnë që çështja e reformës zgjedhore është dashur që të trajtohet ndryshe.

“Është dashur që të jetë shumë më gjithëpërfshirëse në mënyrë që të mos adresohen vetëm çështjet që janë në interesa ditore politike, por të ketë një reformë të vërtetë në të cilën adresohen edhe çështjet e zonave zgjedhore edhe zgjedhjes së presidentit/es, pragut zgjedhor, çështjes gjinore, kandidaturave të modelit zebër dhe çështjet e tjera”.

Cakolli thotë se është e domosdoshme që edhe pse Kosova ka marrë vlerësime pozitive, të mos konsiderohet që çështja është mbyllur dhe të mos pritet edhe një dekadë tjetër derisa të ketë një adresim të plotë të mangësive që ka sistemi zgjedhor i Kosovës”.

Situata problematike në veri pas zgjedhjeve të bojkotuara nga Lista Srpska në katër komunat veriore e të cilat nxorën katër kryetarë shqiptarë u desh të zgjidhet përmes nxjerrjes së një udhëzimi administrativ.

Por, ky udhëzim administrativ nuk u përkrah nga KE për shkak të problemeve politike në këtë zonë të vendit meqë Bashkimi Europian i ka kërkuar Kosovën opsionin më të lehtë – atë të dorëheqjes së kryetarëve.

Por, presidentja Osmani dhe kryeministri Kurti kishin kundërshtuar këtë, duke thënë se nuk është në bindjet e tyre politike që të kërkojnë dorëheqjen e një kryetari të zgjedhur.

“Çështja e udhëzimit administrativ që është miratuar nga ana e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve ndonëse përmendet si opsion nuk ka gjetur përkrahjen apo vlerësim pozitiv nga ana e KE-së duke e ditur që kërkesa dhe insistimi i BE-së ka qenë që të ndiqen rrugë më të lehta edhe procedurale edhe në aspektin kohor e që më e lehta është dorëheqja nga ana e kryetarëve”, tha Cakolli.

Ai shton gjithashtu se nëse deri më tani s’u ndërmor asnjë veprim nga ana e qytetarëve të këtyre komunave për të shkuar në zgjedhje përmes peticionit atëherë është e qartë që mungon vullneti.

“Prandaj, me udhëzimin administrativ për vetë faktin që ka kaluar gati tre muaj që nga miratimi i tij dhe s’është ndërmarrë asnjë hap i vetëm në terren që të ushtrohet kjo e drejtë ligjore e qytetarëve tregon që nuk ka interes as gatishmëri e as vullnet nga ana e komunitetit serb që ta ndjekë këtë procedurë pa pasë një marrëveshje më të madhe politike që parasheh zgjidhjen e problemit dhe ngërçit institucional që mbizotëron aktualisht në pjesën veriore të vendit, sepse problemi nuk janë vetëm qytetarët”.

Cakolli adreson dhe një problem tjetër të udhëzimit administrativ.

“Nuk duhet të harrojmë që edhe anëtarët e kuvendeve komunale janë në shumicë dërrmuese nga parti tjera joserbe për shkak të dorëheqjeve të Listës Serbe që ato nuk rregullohen me udhëzimin administrativ në fjalë dhe as me ndonjë dispozitë tjetër ligjore në fuqi. Pra, pa dhënë të njëjtit dorëheqje s’mund të ketë përfundim të mandatit të tyre që e komplikon jashtë mase situatën”.

Çka tha KE për zgjedhjet në veri?

“Pas tërheqjes së serbëve të Kosovës nga institucionet e Kosovës në nëntor të vitit 2022, në katër komunat e veriut të Kosovës u organizuan zgjedhjet e pjesshme lokale. Të planifikuara fillimisht për në dhjetor 2022 dhe më pas të shtyra për 23 prill 2023, këto zgjedhje të pjesshme për kryetar komune dhe asamble u mbajtën në përputhje me kornizën ligjore të Kosovës dhe u bënë përpjekje që ato të zhvillohen në mënyrë të qetë dhe të rregullt. Mirëpo, për shkak të pjesëmarrjes shumë të ulët (3.47% të votuesve), veçanërisht nga qytetarët serbë të Kosovës, këto zgjedhje nuk ofrojnë zgjidhje politike afatgjatë për këto komuna. Zgjedhjet e parakohshme lokale duhet të mbahen sa më shpejt në të katër komunat, të organizuara në mënyrë plotësisht gjithëpërfshirëse dhe me pjesëmarrjen e pakushtëzuar të serbëve të Kosovës”, thuhet ndër të tjera në raport.

 

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments