Ministrja e Jashtme e Rumanisë, Luminita Odobescu, ka takuar emisarin e BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, me të cilin tha se ka folur për procesin e dialogut.
Odobescu, vendi i së cilës vazhdon të mos e njohë pavarësinë e Kosovës, tha se i ka ofruar mbështetje Lajçakut në ndërmjetësimin e tij në dialog.
“Shumë e kënaqur që të takoj Përfaqësuesin Special sot në Bukuresht. Një shkëmbim i mirë në zhvillimet e fundit në Ballkanin Perëndimor. Ritheksova të Rumanisë mbështetjen e plotë për përpjekjet e tij për të përmirësuar dialogun e udhëhequr Beograd-Prishtinë, është esenciale për sigurinë dhe stabilitetin në Ballkanin Perëndimor”, ka shkruar ajo në X.
Rumania është një ndër pesë shtetet anëtare të Bashkimit Europian që s’e njeh Kosovën, por e cila ka thënë se e mbështet dialogun Kosovë-Serbi.