Ministri i Mbrojtjes së Kroacisë, Ivan Anushiç, ka përcjellur të martën kontingjentin e 40-të të ushtarëve kroat (HRVCON) në operacionin për mbështetjen e paqes në Kosovë, në kuadër të Forcës së NATO-s (KFOR), transmenton rrjeti ballkanik i lajmeve “N1”, në dritën e ngritjes së tensioneve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe rrezikut të përshkallëzimit.
Disa shtete evropiane kanë rritur tashmë prezencën në Kosovë në kuadër të KFOR-it. Mbretëria e Bashkuar ka dislokuar rreth 200 ushtarë për t’iu bashkuar kontingjentit britanik prej 400 trupash dhe Rumania ka dislokuar rreth 130 ushtarë në kuadër të KFOR-it pas përshkallëzimit të situatës në veri, përkatësisht pas sulmit terrorist në Banjë të Zveçanit.
Qeveria e Maqedonisë së Veriut po ashtu ka marrë vendim që të shtojë numrin e pjesëtarëve të ushtarëve të saj në KFOR. Në linjë me zhvillimet aktuale edhe Sllovenia ka rritur numrin e ushtarëve në misionin paqeruajtës të NATO-s. Aktualisht 90 ushtarë sllovenë janë në misionin e NATO-s në Kosovë, ndërsa numri pritet të rritet për të paktën 100.
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, të hënën ka qëndruar për vizitë në Kosovë, në kuadër të një turneu katërditor në rajonin e Ballkanit Perëndimor, gjatë së cilit ka qëndruar edhe në Bosnjë-Hercegovinë dhe Serbi, ndërsa pritet të udhëtojë drejt Maqedonis së Veriut, për të diskutuar me liderët rajonalë për situatën e rënduar të sigurisë.Ai ka paralajmëruar se NATO-ja është duke shqyrtuar nëse duhet të ketë një shtim të përhershëm të pranisë së saj ushtarake në Kosovë, veçanërisht pas shpërthimit të dhunës në pjesën veriore të Kosovës të banuar me shumicë serbe që ka dëshmuar se paqja në Ballkanin Perëndimor është akoma e brishtë. NATO-ja ka dislokuar mbi një mijë trupa shtesë në Kosovë.Albanianpost