Zyra e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, ka njoftuar se kryeministri do ta takojë sot në orën 16:35 Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg
“Mediat mund të marrin pamje në oborrin e Qeverisë. Ekipet e mediave duhet të jenë në oborrin e Qeverisë më së largu në orën 16:20. Pamjet nga fillimi i takimit do t’ju përcjellim përmes Zyrës për Komunikim me Publikun”, bën të dikur ZKM-ja për mediat.
Stoltenberg sipas njoftimit të NATO-s do të takohet ne presidenten Vjosa Osmani dhe kryeministrin Albin Kurti, dhe më pas do të vizitojë Kampin e KFOR’it “Nothing Hill”, ku do të takohet me Komandantin e KFOR’it dhe do t’iu adresohet trupave.
Ai do të takohet gjithashtu me Drejtorin e Ekipit Këshillues dhe Ndërlidhës të NATO-s, gjeneral brigade Hammerstein.Stotelberg do të qëndrojë në Kosovë, shtet ku aleanca ushtarake ka mbi 4.600 trupa. Kosova për një kohë të gjatë ka thënë se ka dy qëllime strategjike sa u përket integrimeve euroatlantike: anëtarësimin në Bashkimin Evropian dhe NATO. Por, për aspiratën e fundit, fillimisht ka kërkuar që të pranohet në Programin e Partneritetit të Paqes.
Vizita e Stoltenbergut në Kosovë vjen në kohën e tensioneve, por edhe paralajmërimeve për konflikte të mundshme.
Tensionet mes Kosovës dhe Serbisë janë të larta pas një sulmi të armatosur në veri të Kosovës nga një grup i armatosur serbësh.
Po ashtu, komuniteti ndërkombëtar së fundi ka shpeshtuar thirrjet që Kosova të themelojë Asociacionin e komunave me shumicë serbe e Serbia të njohë de facto pavarësinë e Kosovës.
Ndërkaq, pesë ditë para vizitës së Stoltenbergut në Kosovë, Ukraina ka paralajmëruar se Rusia po synon të nxisë një konflikt në Ballkanin Perëndimor.
Për çështjen e fundit, Bashkimi Evropian është pajtuar me presidentin Volodymyr Zelensky, ndërkaq nga Departamenti amerikan i Shtetit, i kanë thënë Radios Evropa e Lirë se ndikimi malinj rus në rajonin e Ballkanit Perëndimor pengon rrugën e shteteve drejt integrimeve euroatlantike. DASH u shpreh se pikërisht ky ndikim tregon urgjencën e punës që po bën Uashingtoni për të luftuar ndikimin rus.