Qeveria e Kosovës ende nuk ka marrë ndonjë vendim lidhur me vilën e Milan Radojiçiqit. Ideja është që ky objekt të shndërrohet në stacion të Policisë së Kosovës. Por, për t’u bërë kjo, fillimisht duhet një vendim i Ministrisë së Bujqësisë për t’ia kaluar pronën Ministrisë së Punëve të Brendshme, meqë vila është e ndërtuar në pronën që i përket Agjencisë Pyjore.
Ideja e Ministrit të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçlës, që vila e ish-nënkryetarit të Listës Serbe, Milan Radojiçiq, të kthehet në stacion të Policisë së Kosovës, nuk është jetësuar ende. Kjo vilë, e cila gjendet buzë Liqenit të Ujmanit, u zbulua për publikun pas bastisjeve që u kryen në veri menjëherë pas sulmit terrorist ndaj Policisë së Kosovës në Banjskë.
Për këtë vilë, Sveçla ka thënë se është e ndërtuar ilegalisht në pronë të shtetit. Saktësisht, vila është e ndërtuar në tokën e Agjencisë Pyjore që funksion në kuadër të Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural.
E për t’u shndërruar ky objekt në stacion të Policisë, MBPZHR’ja duhet të nxjerrë vendim për t’ia kaluar pronën Ministrisë së Punëve të Brendshme. Një gjë e tillë ende nuk është bërë.
Nga Ministria e Bujqësisë i kanë thënë Gazetës Express se si Qeveri po koordinojë veprimet institucionale që vila e Radojiçiq të vihet në funksion të organeve të rendit dhe sigurisë.
“Si Qeveri po koordinojmë veprimet institucionale me qëllim që pronat e ndërtuara ilegalisht në pronë të shtetit përkatësisht të Agjencisë Pyjore të Kosovës e në këtë rast konkret Vila e Radojçiqit, të vihet në funksion të organeve të rendit dhe sigurisë”, thuhet në përgjigje.
Gazeta Express ka dërguar pyetje edhe në Ministrinë e Punëve të Brendshme, lidhur me atë se kur do të mund të jetë i gatshëm objekti për shfrytëzim dhe a ka pajtim, por s’ka marrë përgjigje.
Lidhur me pronat e Radojiçiqit ka folur para disa javësh edhe Shefi i Zyrës së BE’së në Kosovë, Thomas Szunyog. Ai është pyetur nëse BE do t’i mbështes institucionet e Kosovës “për të filluar operacionet apo konfiskimin e pronës së Milan Radojiçiq, nëse kjo është pjesë e punës së tyre”.
Szunyog ka thënë se nëse Gjykata vendos se ai është fajtor dhe se arrihet në përfundim se kjo duhet të bëhet atëherë këtë duhet ta bëjnë autoritetet përkatëse.
“Unë mendoj se duhet të ndjekim procedurat e duhura dhe institucionet e sundimit të ligjit. Dua të them, nëse ka një dëshmi të besueshme, ajo duhet të shkojë në gjykatë. Nëse gjykata vendos se dikush është fajtor, dhe meqë ra fjala, në Kosovë është një ligj i mirë që nga viti 2018 për konfiskimin penal të pasurisë. Nëse kjo arrihet në përfundim të gjykimit se kjo duhet të bëhet dhe këtë e bëjnë autoritetet përkatëse, duke përfshirë edhe gjykatat atëherë ky është sundimi i ligjit”, ka deklaruar Szunyog në “Kallxo Përnime”
Ndërkohë, deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Xhavit Haliti, ka deklaruar se Radojiçiq, përmes një sms që ka siguruar Policia e Kosovës, ka kërcënuar me vrasjen e udhëheqësve politikë nëse atij i preket banesa dhe restoranti që posedon në veri të vendit.
“Milan Radojiçiq ka kërcënuar nga Rashka. Kërcënimi i është dërguar me sms Policisë së Kosovës në të thuhet se : “në qoftës se ju ma prekni restorantit dhe banesën time në veri unë do t’iu vras sepse kam njerëz. Do t’i vras udhëheqësit e partive dhe do të vras njerëz atje nëpër Kosovë’’, këta janë frikësuar shumë dhe kanë vendos rohje tek drejtuesit politik (Memli Krasniqin dhe Lumir Abdixhikun). Ndoshta do të duhej ta refuzonin të dytë mbrojtjen e Policisë sepse ata janë të sigurt në Kosovë. Dhe Radojiçiçi le të vjen në qftëse ka guxim dhe le ta vret kënd dojë”, ka thënë Haliti për RTV21.