Më shumë se 63 milionë euro janë ndarë nga Qeveria e Kosovës gjatë vitit 2022 për mbulimin e energjisë së shpenzuar në katër komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës, ka bërë të ditur kryesuesi i Bordit të Drejtorëve të KOSTT-it, Jeton Mehmeti, gjatë raportimit në Komisionin për Buxhet, Punë dhe Transfere.
Ndërsa në total për vitet 2021-22, shuma e paguar për veriun janë 113 milionë euro.
I pyetur nga deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Mërgim Lushtaku, lidhur me këto pagesa, Mehmeti tha se shuma totale është 63.1 milionë euro.
“Një ndër sfidat kryesore që është jashtë kontrollit të KOSTT-it e që është mbulimi i humbjeve të konsumit për pjesë veriore të Kosovës. Përshkrimi i përgjithshëm i performancës për vitin 2022, indikatorët kyç të performancës tregon se gjatë 2022-ës janë realizuar përveç treguesit që ka të bëjë me kërkesën”, u shpreh Mehmeti.
“KEDS dhe KESCO kanë refuzuar faturat për muajt korrik, gusht dhe shtator për vitin 2022 dhe KOSTT-i ka ngrotur kontest në Zyrën e Rregullatorit të Energjisë ku vlera e faturave të kontestuar është 18.7 milionë euro”.
Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti, pyeti për shumën e ndarë nga Qeveria për pagesën e rrymës në veri për vitin 2021 dhe 2022.
“Nëse e shohim se vitin e kaluar janë ndarë 63 milionë euro e në vitin 2021 janë ndarë rreth 40 milionë euro që vlera totale është 90 deri në 110 milionë euro për dy vite”, u përgjigj Mehmeti.
“Sa prej tyre janë paguar nga Qeveria”, pyeti sërish Hoti.
“Të gjitha pagesat për veriun janë paguar nga Qeveria”, u përgjigj Mehmeti.
Kritika për pagesat në veri të vendit, pat edhe deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Pal Lekaj.
“Qeveria e Kosovës vazhdon të paguajë humbjet në veri dhe ajo që dua ta theksoj se edhe ish-qeveritë kanë paguar por në një shumë më të vogël dhe më kujtohet se në kohën e ish-qeverisë Haradinaj janë ndarë 1 milion euro dhe VV-ja sa ishte në opozita nuk ka lënë gjë pa thënë”, u shpreh Lekaj.