Wednesday, November 27, 2024
HomeBotaUshtria izraelite bastis spitalin kryesor të Gazës

Ushtria izraelite bastis spitalin kryesor të Gazës

Forcat izraelite e kanë bastisur spitalin më të madh të Gazës në orët e para të së mërkurës, ku qindra pacientë, përfshirë foshnja të sapolindura, kanë mbetur me pak furnizime, përfshirë mungesën e rrymës.

Spitali Shifa është kthyer në simbol të vuajtjeve të civilëve palestinezë gjatë luftës në mes të Izraelit dhe Hamasit, grupit palestinez të shpallur terrorist nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian.

Lufta është nxitur pas sulmeve të grupit ekstremit në Izrael, më 7 tetor, duke i vrarë rreth 1.200 njerëz dhe duke i marrë peng mbi 240 të tjerë.

Spitali është, po ashtu, në zemër në narrativave rreth asaj se kush duhet fajësuar për mijëra vdekje dhe shkatërrim të konsiderueshëm në Gazën e rrethuar me 2.3 milionë palestinezë.

Izraeli e akuzon Hamasin se i ka përdorur palestinezët si mburoja njerëzore, derisa palestinezët dhe grupet për të drejta të njeriut kanë thënë se Izraeli i ka rrezikuar civilët, teksa tenton ta shkatërrojë Hamasin.

Mohammed Zaqout, drejtor i spitaleve në Gazë, ka thënë se tanket izraelite kanë hyrë në zonën e spitalit Shifa dhe se ushtarët kanë hyrë në ndërtesë, përfshirë emergjencën dhe departamentet e operimit, ku gjenden dhomat për kujdes intensiv.

“Forcat pushtuese kanë hyrë në ndërtesa”, ka thënë ai i zemëruar, përmes telefonit.

Zaqout ka thënë se pacientët, përfshirë fëmijët, janë të tmerruar.

“Ata po bërtasin. Është situatë tmerruese… nuk mund të bëjmë asgjë për pacientët, përveçse të lutemi”.

Ushtria izraelite ka thënë se po kryen “operacion të saktë dhe të shënjestrar kundër Hamasit në disa zona të specifikuara në Spitalin Shifa”.

Ushtria ka thënë se i ka paralajmëruar “autoritetet relevante në Gazë” që të gjitha aktivitetet ushtarake brenda spitalit duhet të ndalen.

“Fatkeqësisht, ajo nuk ka ndodhur”.

Izraeli ka thënë se Hamasi e ka një qendër masive komanduese brenda dhe rreth Spitalit Shifa, mirëpo nuk ka ofruar të dhëna për këtë pretendim, derisa Hamasi dhe stafi i spitalit i kanë hedhur poshtë këto deklarata.

Disa orë para bastisjeve, Shtetet e Bashkuara kanë thënë se kanë inteligjencë që sugjeron se Hamasi e ka përdorur Spitalin Shifa dhe spitale tjera, si dhe tunelet poshtë tyre, për t’i mbështetur operacionet ushtarake dhe për t’i mbajtur pengjet.

Ushtria ka thënë se forcat e saj, që janë duke e bastisur Shifan, kanë ekipe mjekësore dhe janë duke kërkuar për pengje, në kuadër të operacionit.

Pjesa më e madhe e qindra mijëra njerëzve që jeton në qytetin e Gazës dhe në zonat përreth, kanë ikur prej pjesës veriore të enklavës, pasi disa javëve të bombardimeve izraelite.

Shumë pak ndihmë ka depërtuar në zonat veriore, të cilat kanë mbetur pa energji dhe ujë të pijshëm që disa javë.

Më shumë se 11.200 njerëz, dy të tretat gra dhe fëmijë, janë vrarë në Gazë, sipas autoriteteve shëndetësore palestineze, dhe dy të tretat e 2.3 milionë banorë kanë ikur prej shtëpive të tyre.

Rreth 2.700 janë raportuar të zhdukur.

Pothuajse gjithë popullsia e Gazës është tkurrur në jug, ku kushtet e jetesës janë duke u përfaqësuar çdo ditë e më shumë, me vazhdimin e bombardimeve.

Izraeli ka deklaruar se në kuadër të sulmeve në Gazë ka vrarë disa luftëtarë, përfshirë disa komandantë të rëndësishëm të Hamasit.

Ky shtet ka thënë se në ofensivë e sipër në Gazë i janë vrarë 46 ushtarë.

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments