Raporti i vlerësimit i Komisionit Europian për progresin integrues të vendeve kandidate është më i rëndësishmi nga pikëpamja e zgjerimit të BE-së në 20 vitet e fundit, thotë Vladimír Bilcik, raportues i përhershëm për Serbinë në Parlamentin Europian dhe kreu i Delegacionit të PE-së për Malin e Zi.
“Fakti që ne po fillojmë negociatat e pranimit me Ukrainën, Moldavinë dhe se BE është e përkushtuar për të lëvizur gjeopolitikisht në lindje është një gjë e madhe. Në Ballkanin Perëndimor dëgjohen zëra se ato po neglizhohen, por reagimi im është se ky është një një shans real që këto vende të ecin përpara. Sidomos kur zgjerimi është një nga temat kryesore politike të BE-së sot ”, tha Bilcik për mediumin malazez, TASR.
Sipas tij, vendet e Ballkanit Perëndimor kanë shanset të mëdha për t’u anëtarësuar në BE. Sipas Bilcik, Mali i Zi ka shanset më të mira për t’u anëtarësuar brenda pak vitesh, pasi ka sërish një qeveri dhe institucione shtetërore funksionale. Tashmë i takon vetëm vendit se si do t’i përmbushë prioritetet dhe reformat integruese dhe kur do të fillojë mbylljen e kapitujve të parë të negociatave.
Ai kujtoi se raporti i Komisionit Europian për Serbinë përmend vetëm përparimin e pjesshëm në luftën kundër korrupsionit dhe lirinë e medias në Serbi. BE-ja pret përparim pozitiv në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën dhe në harmonizimin e pozicionit të saj me politikën e jashtme të Unionit, përfshirë sanksionet kundër Rusisë.
“Nëse Serbia i ndërmerr këto hapa, mund të afrohet shumë shpejt me Malin e Zi. Nëse nuk i merr, do të mbetet larg anëtarësimit në BE”, theksoi ai.