Dy gjetje serioze i ka identifikuar raporti i progresit sa i përket shëndetësisë në Kosovë. Sipas raportit, për 33 për qind të vdekjeve, shkaku nuk përcaktohet saktë e numri i vdekjeve të fëmijëve deri në 5 vjeç është 16 në 1000, që është trefish më shumë sesa në vendet e Evropës.
Raporti i Progresit i Komisionit Evropian ka identifikuar defekte të mëdha në sistemin publik shëndetësor në Kosovë.
Këtë herë, raporti ka përfshirë aspekte që nuk ishin trajtuar viteve të kaluara.
Një nga gjetjet më serioze është vdekshmëria e fëmijëve nën 5 vjeç, që sipas raportit në Kosovë është trefish me i lartë sesa në Evropë.
“Vdekshmëria te fëmijët mbetet një çështje serioze, 16 nga 1 mijë foshnja që lindin të gjalla, vdesin përpara se të mbushin pesë vjeç, shkallë kjo që është trefish më e lartë sesa mesatarja në BE”, thuhet në Raportin e Progresit.
Ky raport ka identifikuar se për 1 në 3 persona që vdesin në Kosovë, ose nuk dihen shkaqet ose ato përcaktohen gabimisht.
“Jetëgjatësia në Kosovë mbetet më e ulëta në regjion: sëmundjet jongjitëse janë shkaktar kryesor i vdekjeve, sidomos sëmundjet kardiovaskulare dhe kanceri. Rreth 33 për qind të shkaktarëve të vdekjes janë raportuar në mënyrë të gabuar ose nuk janë diagnostikuar fare”, thuhet në raport.
Kosova ka marrë kritika edhe për mënyrën se si funksionon Programi për Trajtim Jashtë Vendi.
“Për shërbimet e specializuara shëndetësore që nuk janë në dispozicion në Kosovë, pacientët mund të përfitojnë nga Fondi i Sigurimeve Shëndetësore për shërbime shëndetësore jashtë vendit. Megjithatë, Fondi është aktualisht duke shërbyer vetëm si agjent pagesash, në vend të zhvillimit të miratimit dhe monitorimit të standardizuar të procesit. Ajo nuk angazhohet në asnjë negocim kontrate me spitalet jashtë vendit. Pozicioni i tillë pasiv ka gjeneruar rrezik të konsiderueshëm financiar për Fondin e Sigurimeve Shëndetësore”, thekson Raporti i Progresit.
Kosova, sipas raportit nuk ka shumë rezultate as në procesin e screeningut të kancerit.
“Kosova ka programin e skreningut të kancerit. Megjithatë, përkundër disa përparimeve, skriningu i kancerit nuk kryhet në mënyrë sistematike”, thekson raporti.
Institucionet kosovare janë kritikuar edhe për mosamendamentim të ligjeve e moshartim të Strategjisë Kombëtare për Shëndetësi.
Nga të paktat aspekte ku raporti e rendit mirë Kosovën është menaxhimi mirë i COVID-19.
KOHA ka kërkuar koment nga Ministria e Shëndetësisë për këto probleme të identifikuara, mirëpo nga ky institucion kanë thënë se do ta bëjnë këtë ditëve në vijim.