Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, do të raportojë sot para Kuvendit të Kosovës lidhur me takimin e fundit në Bruksel në lidhje me dialogun Kosovë-Serbi. Kuvendi do të mblidhet me fillim nga ora 11:00.
Kurti ishte takuar me udhëheqësit e Gjermanisë, Francës dhe Italisë me 26 tetor dhe pas takimit kishte deklaruar se ishte i gatshëm për ta nënshkruar propozimin që i ishte dorëzuar më 21 tetor nga pesëshja e madhe, lidhur me themelimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe.
”Pavarësisht ofertës sime, Serbia refuzoi të nënshkruajë marrëveshjen dhe draftin e 21 tetorit. Përkundrazi, ajo kërkoi një letër anësore që do të anulonte 3 parime të marrëveshjes dhe propozimin e 21 tetorit. Pranimi do të thotë nënshkrim, dhe nënshkrimi garanton pranimin dhe zbatimin”, ka deklaruar Kurti.
Përvec raportimit të Kurtit, në rend dite janë edhe disa pika tjera. Do të votohet Propozim-rezoluta për mbështetjen financiare të Policisë së Kosovës, si dhe Projekt-rezoluta nga debate parlamentar në lidhje me nevojën për ngritjen e koeficientit të pagave.
Në vazhdim janë të gjitha pikat e rendit të ditës:
1. Raportimi i Kryeministrit të Kosovës, z. Albin Kurti për takimin e fundit në Bruksel në lidhje me dialogun Kosovë-Serbi,
2. Votimi i Propozim-Rezolutës për mbështetjen urgjente financiare të Policisë së Kosovës,
3. Votimi i Projekt-Rezolutës nga debati parlamentar në lidhje me nevojën për ngritjen e koeficientit të pagave,
4. Shqyrtimi i dytë i Projektligjit nr.08/L-208 për Parqet Industriale dhe Teknologjike,
5. Shqyrtimi i dytë i Projektligjit nr.08/L-237 për kadastër të pronës së paluajtshme,
6. Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr. 08/L-257 për Administrimin e Procedurave Tatimore,
7. Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr.08/L-258 për promovimin e përdorimit të burimeve të ripërtërishme të energjisë,
8. Shqyrtimi i rekomandimeve lidhur me Raportin e Auditorit të Përgjithshëm për Raportin Vjetor Financiar të Buxhetit të Republikës së Kosovës, për vitin 2022,
9. Zgjedhja e 2 (dy) anëtarëve të Komisionit të Pavarur të Mediave,
10. Zgjedhja e 1 (një) anëtari të Bordit të Radiotelevizionit të Kosovës, nga radha e komunitetit serb,
11. Miratimi i buxhetit të Komisionit Hetimor Parlamentar në lidhje me rastet e dhunës seksuale dhe dhunës në familje,
12. Shqyrtimi i Projekt-Deklaratës për raportet e Republikës së Kosovës me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.