Lëvizje të reja në betejën e Këshillit Prokurorial me presidenten për Kryeprokurorin. Emri i Blerim Isufajt ka shkuar përsëri në Presidencë, pavarësisht se Vjosa Osmani e kishte konsideruar të mbyllur këtë çështje që para dy javësh, kur vendosi të mos e dekretojë.
Këshilli Prokurorial i Kosovës nuk ka hequr dorë nga insistimi për ta bërë Blerim Isufajn kryeprokuror të shtetit. Dy javë pasi presidentja Vjosa Osmani refuzoi ta dekretojë kryeprokurorin e Prokurorisë Speciale, KPK e ka bërë edhe një tentim.
KPK të mërkurën vendosi unanimisht që t’ia çojë shefes së shtetit emrin e Isufajt për dekretim edhe një herë.
Letrën e KPK-së të nënshkruar nga kryesuesi i Këshillit, Jetish Maloku, në Presidencë nuk e kanë hapur ende.
“Ka ardhë një letër nga z.Maloku, sapo ta shohim ju njoftojmë”, i tha Gazetës Express dje Bekim Kupina, këshilltar për media i presidentes.
Osmani tashmë kishte marrë një vendim për këtë çështje para dy javësh, por ai s’u ka pëlqyer anëtarëve të Këshillit Prokurorial. Më 17 tetor Osmani vendosi zyrtarisht që të mos e dekretojë Isufajn për kryeprokuror, pasi tha se në procesin e përzgjedhjes së tij kishte “shkelje masive”.
Vendimi erdhi një vit e gjysmë pasi KPK e kishte çuar në Presidencë emrin e të përzgjedhurit të tyre për ta udhëhequr organin më të lartë të ndjekjes në vend, kryeprokurorin e Prokurorisë Speciale, Blerim Isufajn.
Procesi i përzgjedhjes së Isufajt, sipas presidentes, nuk ishte zhvilluar mbi respektimin e procedurave kushtetuese dhe ligjore.
“Shumica e shkeljeve që janë pjesë e vlerësimit të Presidencës janë konstatuar edhe përgjatë procedurës dhe janë bërë publike nga organizatat monitoruese të shoqërisë civile si dhe nga ambasadat e SHBA-së, Gjermanisë dhe Zyra e BE-së”, tha Osmani në një konferencë për media më 17 tetor.
Po atë ditë, Këshilli Prokurorial mbajti një takim të mbyllur për të diskutuar për situatën. KPK i quajti “tejet të pabazuara dhe jashtëzakonisht tendencioze” arsyetimet e Osmanit për mosdekretimin e Isufajt. Presidentja u akuzua nga prokurorët për “ndërhyrje në sistemin prokurorial”.
“Presidentja, si garantuese e zbatimit të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, në konferencën e sotme për media vërtetoi përpjekjen sistematike për shtrirjen e ndikimit politik mbi sistemin prokurorial të Republikës së Kosovës, me ç’rast lidhur me këtë çështje prezantoi arsye të paqëndrueshme për mosdekretimin e kandidatit për Kryeprokuror të Shtetit, gjë që është në kundërshtim me normat ligjore dhe kushtetuese”, u tha në një reagim të KPK-së.
Osmani tha se ndaj saj ishte bërë “presion i paligjshëm dhe jokushtetues”. Tha se KPK-ja kishte vepruar “në kundërshtim me çdo praktikë të mëhershme të komunikimin ndërinstitucional”, duke përmendur edhe mesazhe kërcënuese, të cilat tha se i ka marrë.
“Në anën tjetër, unë mund t’ju them se ka pasur edhe presione të tjera të paligjshme. Ta zëmë njerëz që dërgonin mesazhe se në qoftë se nuk e dekreton dhe nuk e nënshkruan do të bëjmë dosje, do të ngrisim aktakuza, do të t’i lidhim duart, etj, etj. Por ata duhet ta dinë që këto më shumë se dy dekada që jam në politikë, presionet asnjëherë nuk kanë bërë punë, e nuk do të bëjnë as tani”, tha ajo.
KPK i tha presidentes “t’i dërgojë tek organet kompetente” nëse ka prova dhe dëshmi për këto pretendime.
Përderisa KPK priste vendimin e Osmanit, presidentja e akuzoi Këshillin për presion kur ky organ më 5 prill i kishte kërkuar asaj që ta dekretonte me urgjencë Isufajn në pozitën e kryeprokurorit, pasi ishin bërë mbi një vit që kur propozimi i tyre po qëndronte pa epilog në Presidencë.
Osmani ishte përgjigjur me një letër dërguar kryesuesit të KPK-së, Jetish Maloku: “Shpreh kundërshtimin tim ndaj tendencës që përmes interpretimeve të shtrembëruara të vendimeve të gjykatave në lidhje me procedurën e zhvilluar në KPK, të tentohet të vihet në lajthitje opinioni publik dhe institucioni i Presidencës”.
Osmani shkruante se e kishte informuar KPK-në se do ta priste “shterimin e të gjitha afateve kushtetuese dhe ligjore” që kandidatët që janë ankuar të merrnin përgjigje.
Lëvizje të reja ndodhën në këtë ‘betejë’ edhe pas vendimit për mosdekretim, ndonëse Osmani e konsideronte të mbyllur. Ajo para dy javësh kishte thënë se KPK s’ka më të drejtë të bëjë propozim për kryeprokuror.
“Sa i përket çështjes së dytë që ka të bëjë me Këshillin Prokurorial, ju e dini që sipas ligjit dhe Kushtetutës, Këshilli Prokurorial ka të drejtë që ta bëjë propozimin e kandidatit për kryeprokuror një herë. Për dallim prej çështjes së prokurorëve, për kryeprokuror ka të drejtë ta bëjë një herë propozimin dhe pastaj që ky propozim të vlerësohet nga ana e Presidencës”.
KPK kishte vendosur që së shpejti ta mbante një tjetër takim ku do të diskutohej për hapat që duhet të nbdiqeshin pas vendimit të Osmanit. Dhe pasoi vendimi për ta çuar sërish emrin e Isufajt në Presidencë, në një letër me vërejtje për vendimin paraprak të presidentes.
Ehat Miftaraj nga Instituti i Kosovës për Drejtësi shkroi në Facebook se vendimi i Osmanit ishte i drejtë, pasi që “Këshilli Prokurorial ka dështuar të udhëheqë një proces të bazuar në meritokraci dhe integritet”.
Kjo organizatë dhe dy të tjera (Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS) dhe Lëvizja FOL), i kishin kërkuar presidentes që të mos e dekretonte Isufajn, duke e konsideruar propozimin e KPK-së të papranueshëm.
Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Europian, në veçanti Gjermania, e kishin konsideruar befasuese, zhgënjyese dhe shqetësuese, mënyrën se si Këshilli Prokurorial e kishte zgjedhur Blerim Isufajn për Kryeprokuror të Shtetit më 6 prill 2022. Këshilli Prokurorial i Kosovës e kishte votuar unanimisht Blerim Isufajn për ta pasuar Aleksandar Lumezin në pozitën e Kryeprokurorit të Shtetit. Kur Lumezit i përfundoi mandati shtatëvjeçar, KPK e pati caktuar Besim Kelmendin ushtrues detyre të Kryeprokurorit të Shtetit.
Më pas nisi procesi i ankimimit të kundërkandidatëve të Isufajt nëpër gjykata. Përfundimin e këtyre procedurave Osmani vendosi ta priste deri në fund, duke e bërë procesin të stërzgjatur. Dhe kur në Presidencë thanë se po e prisnin fundin e prillit të këtij viti që shefja e shtetit të merrte vendim, ankesa e një prej kandidatëve për Kryeprokuror e zgjati edhe më shumë këtë proces.
Kurti dhe Osmani kishin paralajmëruar për vendimin
I përzgjedhuri i KPK-së për kryeprokuror ishte vënë në qendër të sulmeve nga kryeministri Albin Kurti dhe deputetët e partisë në pushtet pas arrestimit të kryeshefit të Korporatës Energjetike të Kosovës, Nagip Krasniqi në prill, me urdhër të Prokurorisë Speciale të udhëhequr prej Blerim Isufajt.
Kurti në një seancë të Kuvendit i pati etiketuar prokurorët si kundërshtarë, duke shprehur indinjatën e tij me arrestimin e kryeshefit të KEK-ut. Pati thënë se Isufaj nuk do të mund të bëhet kryeprokuror.
“Prokurorët që vrasjen ta bëjnë vetëvrasje e vetëvrasjen ta bëjnë vrasje, përkundër vullnetit dhe qëndrimit të presidentes, kryeministrit dhe kryeparlamentarit, duan me çdo kusht, në çfarëdo rrethane, me patjetër të bëhen kryeprokuror. Por nuk do të munden. Nuk do të munden. Jo pse jam unë. Jo pse jeni ju. Por sepse në këtë shtet ka edhe Republikë, edhe popull”, shprehej Kurti. Ai i quante prokurorët “njerëz të cilët ende nuk janë pajtuar me rezultatin e 14 shkurtit 2021”.
Ndërkaq presidentja Vjosa Osmani që në fund të tetorit të vitit të kaluar kishte thënë se e kishte njoftuar KPK-në që të mos presë dekretim nga ajo.
“Këshilli Prokurorial është i njoftuar dhe atë në takimin e fundit që kemi pasur me ta. Është absurde që të pritet të dekretohet një proces, i cili është duke u kontestuar në gjykatat e Kosovës. Kjo nuk ndodh në një vend ku sundon ligji. E unë jam presidente që e respektoj ligjin dhe kushtetutën”, pati thënë Osmani më 26 tetor 2022.