Tuesday, November 26, 2024
HomeLajmeKosovaDetaje nga letra që KPK ia dërgoi Presidencës për Kryeprokurorin e Shtetit

Detaje nga letra që KPK ia dërgoi Presidencës për Kryeprokurorin e Shtetit

Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK), ka dorëzuar sërish në Presidencë emrin e Blerim Isufajt, për dekretim në pozitën e Kryeprokurorit të Shtetit.

Betimi për Drejtësi ka publikuar një shkresë sipas burimeve të saj, së cilës i referohet si letër ku KPK ka kërkuar nga Presidentja e Republikës së Kosovës që ta dekretojë Blerim Isufaj për Kryeprokuror të Shtetit, përcjell klankosova.tv.

Në këtë letër ndër të tjera thuhet se KPK, mbetet pranë qëndrimit për propozimin e Blerim Isufajt për Kryeprokuror të Shtetit të 8 prillit 2023.

Në letrën e cila mban datën 25 tetor 2023, thuhet se KPK njoftimin e presidentes për mosdekretimin e Isufajt e konsideron si “Akt i mosdekretimit”.

Tutje, sipas kësaj letre një akt i tillë, sipas KPK ka pikëpamje tërësisht kundër kushtetuese, si në aspektin e bazës kushtetuese ashtu edhe në arsyetimin e tij..

KPK, në këtë letër drejtuar presidentes, ka vlerësuar se presidentja është lëshuar në nivelin e vlerësimit të meritave të procesit të rekrutimit si dhe meritave të kandidatëve.

”KPK, konsideron se në rrethanat e rastit konkret, të lëshuarit tuaj në nivelin e vlerësimit të meritave të procesit të rekrutimit si dhe meritave të kandidatit/ëve, ka cenuar thelbësisht kompetencat dhe përgjegjësitë kushtetuese dhe ligjore të Këshillit, prandaj për arsyet e poshtëcekura, ka ardhur në përfundim se rrugëzgjidhja e krizës institucionale në çështjen e Kryeprokurorit të Shtetit,, e zvarritur nga ana juaj për më shumë se një vit e gjysmë, mund të gjendet vetëm duke e rishikuar aktin tuaj…”, thuhet në këtë letër.

Sipas KPK-së, mos dekretimi e Blerim Isufajt konsiderohet si ndërhyrje jo kushtetuese në pavarësinë e Këshillit për disa aspekte që sipas KPK-së janë kundër kushtetuese në veprimet e mos dekretimit.

Së pari, sipas KPK-së në aktin e mos dekretimit nuk është dhënë asnjë arsye nga presidentja se pse nuk ka vepruar për më shumë se një vit e gjysmë për të nxjerrë dekret për Kryeprokurorin e Shtetit.

Po ashtu, sipas kësaj letre, KPK e konsideron të paqëndrueshme referimin e presidentes në “ushtrimin” e kompetencës sipas nenit 84, pika 2 të Kushtetutës, kjo pasi sipas KPK-së, ushtrimi i kësaj kompetence duhet të bëhet në drejtim të angazhimit për të themeluar pa asnjë vonesë institucionet.

Tutje, së dyti, KPK ka vlerësuar se akti i mos dekretimit është rezultat i një vlerësimi të njëanshëm dhe legjitimon qëndrimin politik të zyrtarëve të lartë qeveritar lidhur me emrin e Blerim Isufajt.

”Konsiderojmë se vlerësimet politike apo perceptimet e qeverisë për punën dhe imazhin e KPK-së, nuk mund të shndërrohen në akte juridike, siç është rasti me aktin e mosdekretimit sepse kjo do të përbënte një praktikë tepër të rrezikshme për pavarësinë kushtetuese, institucionale dhe funksionale të KPK-së”, thuhet tutje në këtë letër.

Së treti, KPK në këtë letër vë në theks edhe se Këshilli gëzon pavarësi kushtetuese e cila buron nga parimi i ndarjes së pushteteve dhe kontrollit reciprok të tyre. Sipas KPK-së, Gjykata Kushtuese në mënyre bindëse ka konfirmuar se KPK ka pavarësi të plotë kushtetuese, duke përfshirë pos tjerash edhe zgjedhjen dhe propozimin e Kryeprokurorit të Shtetit.

Së katërti, në letër thuhet se KPK ka konsideruar si Institucioni i Presidentit të Republikës së Kosovës nuk ka përgjegjësi kushtetuese vendimmarrëse për të mos e dekretuar kandidatin e propozuar.

Sipas KPK-së, kompetenca e presidentit për të ”emëruar” dhe ”shkarkuar” Kryeprokurorin e Shtetit është e lidhur vetëm me propozimin e Këshillit dhe nuk mund të shtrihet në vlerësime të substancës dhe meritave të propozimit.

Në vazhdim të kësaj letre, thuhet se së pesti përgjegjësi ekskluzive e KPK-së është vlerësimi i meritave dhe substancës së procedurës së rekrutimit të kandidatëve.

Së gjashti, sipas KPK-së, konfirmimi se akti i mos dekretimit është rezultat i raporteve të OJQ-ve dhe sipas presidencës KPK nuk ka siguruar një proces që ofron garanci për emërimin e kandidatit që gëzon “reputacion profesional” dhe “integritet moral”, këto vlerësime mund të bëhen vetëm ga KPK-ja dhe gjykatat kompetente në aspektin e ligjshmërisë.

Po ashtu, KPK në këtë letër i konsideron të papranueshme edhe vlerësimet e tjera lidhur me meritën e kandidatëve në të cilat është lëshuar presidenca.

Sipas KPK-së, konstatimet e mësipërme jo vetëm se nuk qëndrojnë por edhe si të tilla paraqesin esencën e substancës së kandidatëve dhe procesit, që si i tillë, nuk mund të bëhet nga ana e presidentes por nga instancat kompetente gjyqësore.

Tutje, KPK i referohet edhe nenit 45 të Kushtetutës [Të Drejtat Zgjedhore dhe të Pjesëmarrjes] ku sipas këtij neni thuhet se: “1.Çdo shtetas i Republikës së Kosovës që ka arritur moshën tetëmbëdhjetë vjeç, qoftë edhe ditën e zgjedhjeve, gëzon të drejtën të zgjedhë dhe të zgjedhet, me përjashtim kur kjo e drejtë i kufizohet me vendim gjyqësor. 2. Vota është personale, e barabartë, e lirë dhe e fshehtë. 3. Institucionet shtetërore mbështesin mundësitë për pjesëmarrjen e çdonjërit në aktivitete publike dhe të drejtën e secilit për të ndikuar në mënyrë demokratike në vendimet e organeve publike”.

Sipas KPK-së akti i mosdekretimit ka shkaktuar pasoja juridike edhe kandidatit të propozuar, sepse në bazë zë tij, është cenuar edhe e drejta kushtetuese për tu zgjedhur e kandidatit sipas nenit 45 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës.

Në fund të kësaj letre, KPK ka kërkuar rishikimin e aktit të presidentes për mosdekretim, në afatin sa më të shkurtër kohor sepse sipas KPK-së të njëjtit nuk do të tërhiqen nga propozimi i tyre, e aq më pak për të organizuar një proces të ri rekrutues.

Tutje, sipas letrës së dërguar, KPK i është drejtuar presidentes se është në dorën e saj që të zgjedh nëse do ta bllokojë këtë proces.

“Është në dorën tuaj që të zgjedhni nëse do të vazhdoni të bllokoni themelimin e kreut të Institucionit të Prokurorit të Shtetit, siç keni bërë për më shumë se një vit e gjysmë, apo të anuloni aktin tuaj të mosdekretimit, dhe ti hapni rrugë dekretimit të kandidatit të propozuar, në mënyrë që të mundësoni dhe garantoni “funksionimin kushtetues të institucioneve”, thuhet në fund të kësaj letre.

Kjo letër është nënshkruar nga kryesuesi i Këshilli, Jetish Maloku.

Ndryshe, nga Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK), kanë njoftuar të mërkurën se kanë dorëzuar sërish në Presidencë emrin e Blerim Isufajt, për dekretim në pozitën e Kryeprokurorit të Shtetit.

“Po, është e vërtetë që e kanë dërgu edhe një herë, po po Këshilli me vendim”, tha për “Betimi për Drejtësi”, anëtarja e KPK-së, Jehona Grantolli.

Edhe anëtari tjetër i KPK-së, Arian Gashi tha se ishte formuar një grup që ka analizuar çështjet e ngritura dhe pastaj e ka dhënë secili qëndrimin.

“E di që është formu një grup që ka pas me i analizu qito çështjet e ngritura, është dërgu pastaj të gjeturat lidhur me këtë çështje dhe na kemi dhanë secili qëndrimin tonë. Mbledhje e veçantë nuk është mbajtë, se nëse ish mbajtë mbledhja ishit informu besoj, të gjitha mediat”, tha Gashi për “Betimi për Drejësi”.

Kurse, Bekim Kupina, këshilltar për medie i Presidentes Osmani, tha për “Betimi për Drejtësi” se kanë pranuar një letër nga kryesuesi i KPK-së, Jetish Maloku.

“Ka ardhë një letër nga z.Maloku, sapo ta shohim ju njoftojmë”, konfirmoi Kupina.

Kujtojmë se Presidentja Vjosa Osmani më 17 tetor 2023, përmes një konference për medie njoftoi se e ka njoftuar KPK-në që duke u bazuar në shkeljet e evidentuara në proces, nuk mund ta dekretojë Isufajn për Kryeprokuror të Shtetit.

“Sot e kam njoftuar Këshillin Prokuriorial të Kosovës në lidhje me këtë vlerësim të procedurës, duke pasur parasysh të gjitha shkeljet e përmendura, më obligon të mos bëj dekretimin e kandidatit të proopuar për Kryeprokuror të Shtetit, sipas propozimit të Këshilit Prokurorial”, kishte thënë Osmani.

Ndërsa, në një intervistë ekskluzive për emisionin “Tempus“, Osmani renditi shkeljet që janë evidentuar në këtë proces, kurse theksoi se për dekretimin e Kryeprokurorit ka pranuar edhe kërcënime.

Më 6 prill 2022, Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK) kishte votuar unanimisht Blerim Isufajn për këtë pozitë, kurse vendimi për dekretim ishte në duart e presidentes Vjosa Osmani. Ky proces ka shkaktuar reagime të shumta, ku koalicioni i OJQ-ve: IKD, GLPS dhe Lëvizja FOL, e kanë quajtur të papranueshëm propozimin për emërimin e Isufajt si Kryeprokuror dhe se kanë propozuar që të përsëritet konkursi.

Para vendimit të Presidentes, Gjykata Kushtetuese publikoi vendimin e plotë, ku ishte konstatuar se prokurori Shqipdon Fazliu pas afatit ligjor kishte kontestuar procesin e zgjedhjes së Kryeprokurorit të Shtetit në gjykatat e rregullta.

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments