Wednesday, November 27, 2024
HomeLajmeDialogu e kthen Kurtin në Bruksel – tre liderë të BE’së provojnë...

Dialogu e kthen Kurtin në Bruksel – tre liderë të BE’së provojnë ta bindin për planin e ri dhe Asociacionin

Albin Kurti nesër rikthehet në Bruksel për dialogun me Serbinë. Atje priten diskutime për një plan të ri për zbatimin e marrëveshjeve dhe për një draft të statutit të Asociacionit që i është dorëzuar para katër ditësh. Kurti do të flasë me shefat e Pesëshes – kancelarin e Gjermanisë, Olaf Scholz, Presidentin e Francës, Emmanuel Macron dhe Kryeministren e Italisë, Giorgia Meloni të cilët do të jenë aty për një samit të BE’së dhe do të provojnë t’i bindin palët për rrugën e re në dialog.

Me gjithë hezitimin dhe akuzat për anshmëri, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti i përgjigjet sërish pozitivisht Bashkimit Europian dhe nesër do të jetë në Bruksel për dialog, sikur edhe presidenti serb, Aleksandar Vuçiq.

Vjosa Osmani dhe Glauk Konjufca kishin deklaruar mosgatishmërinë e Kosovës për t’u kthyer si zakonisht në dialogun me Serbinë pas sulmit të 24 shtatorit në veri ku mbeti i vrarë rreshteri Afrim Bunjaku. “Sanksionet (ndaj Serbisë) fillimisht e më pas mund të diskutojmë”, deklaroi Presidentja. Dialogu tash “është në rend të tretë”, tha Kryeparlamentari. Por ndërkombëtarët që e konsiderojnë jetik dhe urgjent kthimin në dialog, presin përparim të shpejtë në njëfarë normalizimi të marrëdhënieve.

Kurti do të shkojë në kryeqendrën europiane pasi ka lexuar në Prishtinë një plan të ri për dialogun, të cilin ia sollën të shtunën pesë diplomatë nga Europa e Amerika, përfshirë të dërguarin e BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak dhe të dërguarin e SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.

Siç raportoi Gazeta Express të shtunën, kryeministrit të Kosovës i është dorëzuar edhe një draft-statut për Asociacionin e komunave me shumicë serbe, i propozuar nga BE-ja, që nga Kosova dhe Serbia pret veprime të shpejta. Zëdhënësi i bllokut europian, Peter Stano të martën e përshkroi propozimin si “modern”.

“Diskutimet e të dërguarit të posaçëm, Miroslav Lajçak, gjatë fundjavës në Beograd dhe Prishtinë ishin të fokusuara në zbatimin e Aneksit të Ohrit. Nuk ka ndonjë qëllim që ai të zëvendësohet. U diskutuan propozime dhe ide të ndryshme – disa me shkrim – dhe këto diskutime do të vazhdojnë. Kjo po ashtu përfshin edhe një propozim modern europian për statutin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe”, tha Stano.

Kurti: Pa sanksione ndaj Serbisë, s’ka dialog

Para se të niset për në Bruksel, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti paralajmëroi se mund të heq dorë nga angazhimi i tij në dialog.

“Nëse nuk do të ketë dënime dhe sanksione ndaj Serbisë pas asaj që ja bërë, definitivisht nuk do të ketë dialog”, tha Kurti në një intervistë për Financial Times.

Ai tha se “do të përfundojmë me një menaxhim të dështuar të krizës dhe do ta harrojmë plotësisht normalizimin” e marrëdhënieve, nëse Serbia nuk sanksionet.

Scholz, Macron dhe Meloni në Bruksel, priet njëfarë dakordimi – s’ka shumë afat

Në Bruksel nesër dhe pasnesër mbahet një samit i Këshillit Europian. Atje do të jenë edhe kancelari i Gjermanisë, Olaf Scholz, presidenti i Francës, Emmanuel Macron dhe kryeministrja e Italisë, Giorgia Meloni, përfaqësuesit e të cilëve ishin në Prishtinë dhe Beograd të shtunën.

Tre liderët kryesorë të Bashkimit Europian, së bashku me shefin e politikës së jashtme të bllokut pritet t’i takojnë Kurtin e Vuçiqin veç e veç në margjinat e samitit.

Express mësoi nga burimet e saj se pritjet janë që nesër të arrihet njëfarë dakordimi për Asociacionin. Drafti i dorëzuar nga Pesëshja mësohet se për rreth 70% është i ngjashëm me propozimin e Institutit Friedrich-Ebert-Stiftung” dhe “Institutit Evropian për Paqe” në fillm të këtij viti.

REL raportoi duke cituar burime se afati i Kurtit dhe Vuçiqit për t’u deklaruar për kërkesat e emisarëve “nuk është i gjatë” – “më së largu deri të enjten”.

Në rast se ata nuk bëjnë lëvizjet e pritura, atëherë në konkluzat e samitit të BE-së pritet të përfshihet një porosi për Kosovën dhe Serbinë dhe për procesin e dialogut, sipas REL-it.

Takimi i fundit ndërmjet Kurtit dhe Vuçiqit më 14 shtator përfundoi pa rezultatin e pritur nga ndërkombëtarët dhe 10 më pas ndodhi sulmi kundër Policisë së Kosovës nga një grup serbësh të armatosur në veri të Kosovës.

Shefi i politikës së jashtme të BE-së, Josep Borrell, i cili e ndërmjetësoi takimin e fundit të nivelit të lartë bashkë me të dërguarin e BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak, pati thënë se Kurti s’ishte i gatshëm të ecte përpara, ndryshe nga Vuçiqi, për të cilin tha se “e ka pranuar propozimin” e BE-së për zbatim.

Propozimi i BE-së e kishte si bazë formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe. Nisja e procesit negociues rreth statutit të tij ishte vendosur në krye të hapave për implementimin e marrëveshjes. Ndërsa do të niste puna për statutin e kësaj bashkësie komunash, Serbia parashihej të mos insistonte më në përdorimin e asteriksit dhe fusnotës në emrin e Kosovës në forumet rajonale.

 

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments