Gjykata Themelore në Prishtinë ua ka vazhduar masën e paraburgimit edhe për dy muaj tre të dyshuarve Vladimir Toliq, Blagoje Spasojeviq dhe Dushan Maksimoviq për sulmim terrorist ndaj Policisë së Kosovës në Banjskë.
Lajmi u bë i ditur për “Betimi për Drejtësi” nga zëdhënësja e kësaj gjykate, Milinda Gashi.
“Referuar kërkesës tuaj për informata, ju njoftojmë se pas kërkesës së Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës për vazhdimin e masës së paraburgimit në çështjen penale kundër të pandehurve V.T, B.S dhe D.M, Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti Special ka vendosur lidhur me kërkesën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës. Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti Special ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, ashtu që të pandehurve V.T, B.S dhe D.M, iu është vazhduar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej 2 (dy) muaj, për secilin”, thuhet në përgjigjen e gjykatës.Të ngjajshme
Në Bajsnkë të Zveçanit, në orët e hershme të 24 shtatorit 2023, ishte vrarë rreshteri Afrim Bunjaku si dhe ishin plagosur dy të tjerë. Pastaj, të vrarë kishin mbetur edhe tre sulmues, kurse të tjerët ishin larguar pasi ishin strehuar për disa orë në Manastirin e Bajnskës.
Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla kishte publikuar pamje të Milan Radoiçiq, ku kishte theksuar se Radoiçiq ka qenë udhëheqës i këtij grupi terrorist dhe i sulmit ku mbeti i vrarë polici Afrim Bunjaku.
E vet Radoiçiq e kishte marrë përipër përgjegjësinë për sulmin terrorist.