Serbia ka vlerësuar marrëdhëniet e mira me Kinën, duke vënë në fokus bashëpunimin ushtarak mes dy vendeve.
Duke folur për Global Times, zëvendëskryeministri serb, Milos Vuçeviq, njëherësh ministër i Mbrojtjes është shprehur se pajisjet ushtarake kineze kanë forcuar ndjeshëm forcat e armatosura serbe, e në veçanti ka vlerësuar sistemin e mbrojtjes ajrore dhe dronët kinezë.
“Për sa i përket marrëdhënieve dypalëshe Serbi-Kinë, do të veçoja bashkëpunimin ushtarak-ushtarak, si dhe bashkëpunimin ekonomik dhe investimet e shumta, të cilat janë shumë të rëndësishme për vendin tonë,”- ka thënë Vuçeviq.
Vuçeviq tutje ka shtuar se sistemi i raketave kundërajrore me rreze të mesme veprimi të Kinës FK-3 dhe UAV-të e saj CH-95 dhe CH-92A kishin qenë “pa dyshim” ndër sistemet më të rëndësishme të mbrojtjes që kishte marrë Serbia. Kujtojmë se Serbia e bleu sistemin e mbrojtjes tokë-ajër FK-3, të ngjashëm me sistemin rus S-300 ose sistemin amerikan Patriot, në vitin 2019.
Ndërkohë edhe presidenti kinez Xi Jinping ka kërkuar një koordinim më të fortë strategjik me “mikun e hekurt” Serbinë, gjatë një takimi me Aleksandar Vuçiq në Pekin javën e kaluar. Jinping poashtu është zotuar për mbështetje të Serbisë në ruajtjen e sovranitetit dhe integritetit të saj territorial.
Në intervistën e dhënë Vuçeviç ka treguar se Serbia do të vazhdojë të rrisë aftësitë ushtarake të saj, por nuk ka dhënë detaje nëse do të blinte më shumë pajisje ushtarake kineze. Megjithatë, ai e ka konsideruar Kinën si “një nga miqtë më të besueshëm të Serbisë”.