Dëshmitari i mbrojtjes në gjykimin ndaj Pjetër Shalës, Mark Shala, në seancën e së hënës deklaroi se ka qenë ish-pjesëtar i armatës së ish-Jugosllavisë, pas kësaj ka kaluar në armatën e Kroacisë para se të kyçet në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).
Në pyetje këtë dëshmitarë është duke e marrë mbrojtja e Pjetër Shalës përmes avokatit Mohamed Hedi Aouini.
Mark Shala ka thënë se është ushtarak i shkolluar në akademinë ushtarake në Beograd të cilën pastaj e ka vazhduar në Sarajevë. Aktualisht, dëshmitari Shala mbanë dy nënshtetësi; atë kroate dhe kosovare.
“Pas shkollës së mesme kam përfundu akademinë ushtarake në ish-Jugosllavi, jam regjistrua në Beograd, dy vitet e para i kam kry në Beograd kurse dy vitet e fundit i kam kry në Sarajevë, Bosnjë dhe Hercegovinë. Pas kryerjes së akademisë ushtarake jam caktu me detyre në Kroaci në një vend që quhet Gospic dhe aty e kam filluar karrierën time si oficer prej muajt 8, 1985 deri në muajin e tetë 1991 kam punuar në armatën e ushtrisë jugosllave në Gospiq. Kam qenë komandant kompanie, diku një vit- një vit e dy-tre muaj, pastaj kam punuar në departamentin e logjistikës në Gospiq deri në mbarim të karrierës”, tha dëshmitari Shala.
Ai tha se ka qenë pjesëtar i ushtrisë së ish-Jugosllavisë deri në vitin 1991.
“Deri në vitin 1991 kam qenë si pjesëtar i ushtrisë së Jugosllavisë, por në ato kohë kanë filluar luftimet këto… Kroacia ka qenë e sulmuar nga ushtria jugosllave dhe serbe dhe atëherë unë e kam braktisë armatën jugosllave dhe kam kalu në armatën e Kroacisë”, tha Shala.
Pastaj dëshmitari tregoi se si iu kishte bashkuar ushtrisë kroate.
“Fillimisht pasi e kam braktisë armatën jugosllave diku kah fundi i muajit të tetë 1991, për një kohë kam shkuar për ta laruar familjen time që një kohë ka qenë në Kosovë që ka qenë bashkëshortja ime dhe vajzat se kanë qenë të rrezikuar aty. Unë nuk e kam lëshuar armatën jugosllave me vetëdëshirë sepse unë kam qenë i kërkuar. E kam marrë familjen dhe përmes Shkupit i kam dërgua deri në Zvicër. Kur e kam dërgua familjen në Zvicër… kam ra në kontakt me disa epror dhe jam marrë vesh që të kthehem në vijën e Kroacisë dhe pas tre muajve iu kam bashkëngjitë ushtrisë së Kroacisë diku afër vitit 1992”, tha dëshmitari Shala.
Ai tha se në ushtrinë kroate ka shërbyer nga viti 1992 deri në vitin 1999.
“Ushtrinë e Kroacisë e kam ndërpre në atë moment kur me është kërku apo kur janë bërë kushtet që ta lëshoj atë armatë dhe t’i bashkëngjitëm Ushtrisë Çlirimtare. Jam liru nga armata e Kroacisë me gradën nënkolonel”, tha ai.
Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, dëshmitari Shala tha se iu është bashkuar në muajin mars të vitit 1999.
“Kjo ka qenë diku kah fundi i muajit mars-muajit të tretë 1999. Data saktësisht mundet me qenë 26 diçka qashtu. Nga Kroacia kam udhëtuar për në Slloveni, në Lubjana. Në Lubjane jam takuar me disa kolegë të mijë që kishin vendosur që t’i bashkohen UÇK-së dhe nga Lubjana kemi udhëtuar për Tiranë në Shqipëri”, tha ai.
Dëshmitari Shala tha se në Tiranë është takuar me njerëz nga UÇK-ja ku edhe ka filluar kyçja e tij në ushtri.
“Në Tiranë ishte si e vetmja mënyrë me udhëtu nga Lubjana në Tiranë. Në Tiranë jemi takuar edhe me njerëz të tjerë nga UÇK-ja, aty ka filluar edhe kyçja ime e shokëve të mijë. Jemi takuar edhe me pjesëtar të tjerë të UÇK-së të shtabit dhe aty ka filluar dal nga dal kyçja ime në UÇK. Në disa ditë kemi qenë aty të vendosur, banesë apo një hotel të vogël dhe kemi pritë një ekip i cili ka pas me ardh nga Kosova, nga terreni, nga vatra e luftës me planin e luftës apo të operacionit shigjeta, aty i kemi pritë dhe deri sa kanë ardh ata, aty ka zgjatë 6-7 ditë”, tha dëshmitari Shala, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Pas Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, dëshmitari Shala tha se ka punuar edhe në Ministrinë e Mbrojtjes së Kosovës.
“Kam punuar me Ministrinë e Forcës së Sigurisë së Kosovës në Kosovë. Më herët kam qenë pjesëtar i trupave mbrojtëse të Kosovës prej fund vitit 1999 deri në transformimin e TMK-së në FSK. (në Ministri) kam qenë në Departamentin e Sigurisë në kohë, pastaj kam kalu në kabinetin e ministrit, kam qenë këshilltar politik i ministrit të Forcës së Sigurisë”, tha dëshmitari.