Friday, November 15, 2024
HomeLajmeRezoluta e PE’së, kërkohet ndëshkimi i Serbisë nëse vërtetohet përfshirja në sulmin...

Rezoluta e PE’së, kërkohet ndëshkimi i Serbisë nëse vërtetohet përfshirja në sulmin e Banjskës

Parlamenti Evropian miratoi të enjten një rezolutë me të cilën dënon ashpër sulmin e 24 shtatorit në veri të Kosovës nga “paraushtarakët e mirë organizuar serbë” ndërsa kritikon, siç thuhet, politikën e rrezikshme të Serbisë ndaj Kosovës dhe partnerëve të saj perëndimorë.

Rezoluta që u miratua me ngritje dore, thekson se “deputetët evropianë po ndjekin nga afër hetimet e vazhdueshme nga autoritetet e Kosovës dhe i kërkojnë Serbisë që të bashkëpunojë plotësisht dhe të sjellë para drejtësisë përgjegjësit për sulmin, të cilët aktualisht janë duke banuar në Serbi, duke përfshirë lehtësimin e ekstradimit të tyre në Kosovë”.

Në rezolutë thuhet se sjellja agresive ushtarake, së bashku me mesazhet politike të radikalizuara në Serbi dhe sinjalet e forta të përfshirjes së shtetit serb në dhunën e fundit politike në veri të Kosovës, tregon se qeveria serbe po ndjek një politikë shumë të rrezikshme, por të vazhdueshme në lidhje me Kosovën dhe me partnerët perëndimor. Deputetët evropianë po ashtu theksojnë se janë të shqetësuar nga provat që lidhin grupet e dhunshme kriminale në veri të Kosovës dhe në Serbi me shtetin serb.

“Nëse hetimi zbulon përfshirjen e drejtpërdrejtë të shtetit serb në sulmet e 24 shtatorit, Komisioni Evropian duhet të ngrijë fondet për Serbinë nga Instrumenti i Ndihmës së Para anëtarësimit 3”, thuhet në rezolutë ndërsa i bëhet thirrje Këshillit të miratojë masa kufizuese të synuara, duke përfshirë por pa u kufizuar në ngrirjen e pasurive dhe ndalimin e udhëtimit ndaj aktorëve destabilizues në veri të Kosovës dhe udhëheqësve të rrjeteve kryesore të krimit të organizuar.

Parlamenti Evropian i bën thirrje Serbisë dhe Kosovës që të denoncojnë të gjitha format e dhunës dhe aktet e provokimit, duke u kërkuar që të ndalojnë çdo veprim që mund të përshkallëzojë më tej tensionet dhe të punojnë në mënyrë aktive drejt një zgjidhjeje paqësore të mosmarrëveshjeve përmes dialogut të lehtësuar nga Bashkimi Evropian.

Kosova akuzon Serbinë për organizimin e sulmit ndaj policisë në fshatin Banjskë në veri më 24 shtator me ç’rast u vra një oficer policie dhe tre nga sulmuesit. Beogradi zyrtar mohon çfarëdo lidhjeje me grupin e armatosur që kreu sulmin përgjegjësinë për të cilin e mori Milan Radojçiç, ish nënkryetar i Listës Serbe, subjektit më të madh politik të serbëve në Kosovë.

Diplomatët perëndimorë thonë se 24 shtatori dëshmoi rëndësinë e normalizimit të marrëdhënieve Kosovë – Serbi ndërsa janë vënë në përpjekje të reja për ripërtëritjen e bisedimeve Kosovë – Serbi.

Në këtë kuadër të dërguarit e posaçëm të Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian, Gabriel Escobar dhe Miroslav Lajçak së bashku me këshilltarët e presidentit francez Emannuel Macron, të kancelarit gjerman Olaf Scholz dhe kryeministres italiane Giorgia Meloni pritet të qëndrojnë të shtunën me 21 tetor në Kosovë dhe në Serbi, në përpjekje për të nxitur palët drejt zbatimit marrëvshjes së arritur në Bruksel dhe aneksi i zbatimit në Ohër në fillim të këtij viti.

Autoritetet në Kosovë thonë se procesi i dialogut duhet të rimendohet pas sulmit të 24 shtatorit, duke kërkuar sanksionimin e Serbisë dhe përparësinë që duhet t’i jepet sigurisë në Kosovë. /VOA

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments