Wednesday, November 27, 2024
HomeLajmeReuten i ashpër me Macron: Deklaratë e pamatur, ai s’e ka fuqinë...

Reuten i ashpër me Macron: Deklaratë e pamatur, ai s’e ka fuqinë për të ndryshuar vendimin e BE’së për vizat

Deklarata e Presidentit të Francës Emmanuel Macron sot në Tiranë, që sipas përkthimit zyrtar të Zyrës së Kryeministrit të Shqipërisë ishte se Parisi ka suspenduar vizat për Kosovën, ka nxitur reagime të shumta. Edhe mediat franceze deklaratën, që po diskutohet gjithandej, e panë si kërcënim për liberalizim të vizave për Kosovën.
Por, a është i mundur kthimi i regjimit të vizave nga Macron?  Reuten e ka quajtur të pamatur deklaratën e presidentit francez, duke thënë se ai nuk e ka fuqinë ta bëjë këtë.

Eurodeputeti holandez, Thjis Reuten, që ishte raportues për vizat në Parlamentin Europian, ka sqaruar se qytetarët e Kosovës do të udhëtojnë nga 1 janari në vendet europiane, duke shtuar se qëndrimi i Francës nuk është i gjithë BE-së dhe se Presidenti Macron s’e ka fuqinë për ta ndryshuar.

“Liberalizimi i vizave për Kosovën do të jetë në fuqi nga 1 janari 2024. Ky vendim është marrë unanimisht nga Këshilli muaj më parë. Përpjekja e Francës për të revokuar këtë vendim nuk është qëndrim i BE-së dhe presidenti Macron nuk ka fuqinë të ndërmarrë në mënyrë të njëanshme hapa të tillë”, tha Reuten.

Reuten thotë se ky qëndrim i Macron nuk do t’i ndihmojë aspak dialogut Kosovë-Serbi dhe se ndëshkimi i Kosovës do të përkthehet si stimulues për Serbinë që të vazhdojë me pengesa në procesin e pajtimit.

“Kjo lëvizje e pamatur po shqetëson situatën tashmë të pasigurt në dialogun Beograd-Prishtinë. Ky diskutim nuk duhet të jetë pjesë e përpjekjeve tona për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Serbisë dhe Kosovës sepse nuk ka të bëjë me të. Do të ishte një stimul për Serbinë për të penguar më tej normalizimin e nevojshëm, në vend të angazhimit shumë të nevojshëm në mirëbesim midis dy vendeve të lehtësuar nga BE”.

Derisa deklarata e Macron po vazhdon të diskutohet, Agjencia franceze e lajmeve, AFP, lidhur me deklaratën e Macronit në Tiranë për vizat, tha se me këtë “ai e ka kërcënuar Kosovën me zhbërjen e vendimit të vizave”. Të njëjtën e ka publikuar edhe gazeta e përditshme franceze “Le Figaro”.

Këto raportime e shtyn edhe Ministrinë e Jashtme të Kosovës të reagojë, duke thënë se institucionet e Republikës së Kosovës deri më tani nuk kanë pranuar asnjë vendim tjetër zyrtar për çështjen e liberalizimit të vizave.

Ministria e udhëhequr nga Donika Gërvalla shtoi se “duket madje edhe të jetë interpretuar gabimisht”.

Më pas Ministria ka treguar mbi procedurat se si do të mund të kthehej vendimi për liberalizim të vizave.

“Vendimet për miratim, pezullim apo shtyrje të liberalizimit të vizave merren në nivel të Bashkimit Evropian, e jo të shteteve anëtare. Procedurat e tilla i kanë afatet e caktuara kohore dhe vendimet merren me shumicën e paraparë të votave. Nuk kemi asnjë informacion që një procedurë e tillë të jetë kërkuar apo nisur lidhur me liberalizimin e vizave për qytetarët e Republikës së Kosovës”.

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments