Wednesday, November 27, 2024
HomeLajmeKosovaIsh-ambasadori Kosnett: Derisa Serbia është e futur thellë në krahët e Rusisë...

Ish-ambasadori Kosnett: Derisa Serbia është e futur thellë në krahët e Rusisë dhe Kinës, Kosova po trajtohet si fëmijë i padisiplinuar

Përpjekjet për të tërhequr Serbinë në krahët e Perëndimit në vend të Kinës dhe Rusisë nuk kanë dhënë rezultate dhe është koha për të nisur një qasje të re, ka deklaruar ish-ambasadori amerikan në Kosovë, Philip Kosnett.

Kosnett, i cili ishte ambasador nga viti 2018 deri në vitin 2021, tha në një intervistë për mediumin ‘Euractiv’ se gjatë 15-20 viteve të fundit të përpjekjeve për të ndërmjetësuar marrëveshje midis Kosovës dhe Serbisë, ekzistonte një lloj tendence për t’u frustruar me Kosovën dhe për ta trajtuar atë si “fëmijë të padisiplinuar, që duhet të bëjë siç është thënë”.

“Kjo, e kombinuar me idenë se Serbia është më e rëndësishmja në rajon dhe ne duhet ta “fusim në vathën evropiane dhe jo ta shtyjmë në krahët e Rusisë dhe Kinës”, nuk ka qenë qasja më e mençur”, shtoi ai.

“Unë mendoj se Serbia qartazi është e futur thellë në krahët e Rusisë dhe Kinës. Pra, çfarëdo përpjekjesh që ndërkombëtarët kanë ndërmarrë gjatë gjithë këtyre viteve për të tërhequr Beogradin drejt Perëndimit nuk ka treguar ende ndonjë rezultat”, tha ai.

Kosnett, tani bashkëpunëtor i lartë për programin e mbrojtjes dhe sigurisë transatlantike në Qendrën për Analizën e Politikave Evropiane, shtoi se është koha që Evropa dhe Perëndimi duhet të jenë më realistë për këtë.

Ndërsa Rusia vazhdon të përpiqet në mënyrë aktive për të destabilizuar Ballkanin Perëndimor, Kosnett tha se do të ishte një manifestim i rëndësishëm i solidaritetit evropian dhe perëndimor të “njohësh realitetin që Kosova ekziston” dhe faktin “që është një vend”.

“Mendoj se kjo do të ishte kohë e mirë për SHBA-në dhe Bashkimin Evropian që t’i bëjnë një thirrje të fortë atyre vendeve evropiane që janë anëtare të NATO-s që nuk e kanë njohur Kosovën që ta bëjnë këtë”, tha ndër të tjera Kosnett.

Vendet e BE-së Spanja, Qiproja, Sllovakia, Rumania dhe Greqia nuk e njohin pavarësinë e njëanshme të Kosovës, të shpallur në vitin 2008. Kjo shkakton probleme edhe në NATO, ku kërkohet edhe unanimiteti për anëtarësim dhe mbahet nga të njëjtat vende, me përjashtim të Qipros e cila nuk është anëtare e NATO-s.

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments