Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, ka akuzuar Qeverinë Kurti se Policinë e do vetëm për mburrje. Deklarata e tij erdhi pas dështimit për herë të dytë të miratimit të një rezolute që ka propozuar PDK për Policinë e Kosovës.
“Pushteti e do policinë vetëm për mburrje – refuzon që ta ndihmojë e ta forcojë. Sot, për herë të dytë brenda një jave, Lëvizja Vetëvendosje kundërshtoi Rezolutën e propozuar nga Partia Demokratike e Kosovës, e cila, me miratimin e saj, do të ndihmonte shpejt dhe konkretisht Policinë e Kosovës”, ka shkruar Krasniqi.
“Është e mjerueshme dhe për keqardhje kjo qasje e pushtetit ndaj policëve tanë. Shpejt e harruan sakrificën e Heroit Afrim Bunjaku dhe kolegëve të tij, të cilët, çdo ditë e vënë jetën e tyre në rrezik për të garantuar sigurinë e qytetarëve dhe sovranitetin e shtetit tonë”.
Por, Krasniqi thotë se PDK nuk do të ndalet.“Ne do të insistojmë, përmes të gjitha mënyrave dhe mekanizmave që këtë Rezolutë ta miratojmë. Shtesat për rrezikshmërinë, sigurimi shëndetësor dhe miratimi i Ligjit për pensionim të parakohshëm – janë më të paktat që meritojnë policët tanë”, ka shkruar ai.