Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka konfirmuar shkarkimin e deputetes së Partisë Demokratike të Kosovës, Blerta Deliu-Kodra nga pozita e anëtares së Komisionit për kompensimin e viktimave të krimit.
Haxhiu për “Betimi për Drejtësi”, tha se shkarkimi i deputetes Deliu-Kodra nga pozita e anëtares së komisionit, erdhi pas raportimit të saj se është paguar pa shkuar fare në mbledhje të komisionit.
“Po, ne i kemi dorëzuar dy raporte të Drejtësisë Tranzicionale, përkatësisht të divizionit të Drejtësisë Tranzicionale dhe atij financiar edhe i kemi njoftuar anëtarët e komisionit edhe me atë se sa mbledhje janë mbajtur, sa herë ka qenë e pranishme dhe sa ka qenë vlera që është paguar për herat që nuk ka qenë e pranishme”, tha ajo.
Ajo shtoi se përveç Deliu-Kodrës, ka edhe anëtarë tjerë për të cilët ka raporte që janë paguar pa marrë pjesë në mbledhje të komisionit.
“Po ka edhe anëtarë të tjerë, tash sigurisht që ne i kemi emrat do t’i ofrojmë qasje mediave, juve në dokumente publike. Tashmë kemi filluar procedurat edhe për zyrtarët përgjegjës të cilët kanë bërë pagesa të paligjshme dhe kthimin e mjeteve”, tha ajo.
Haxhiu theksoi se shkarkimi i Deliu-Kodrës është bërë nga Komisioni për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe Mbikëqyrjen e Agjencisë Kundër Korrupsionit, ndërsa tha se nuk ka qenë e pranishme gjatë votimit në atë mbledhje.
“Betimi për Drejtësi” ka provuar të marrë një koment edhe nga Deliu-Kodra, mirëpo e njëjta nuk ka qenë e qasshme.