Aleanca Kosovare e Bizneseve (AKB) ka mbajtur konferencë për medie me temën “7 ditë pas sulmit në veri dhe ndikimi në ekonominë e Kosovës”, raporton Ekonomia Online.
Në këtë konferencë, u diskutua për ndikimin që sulmi pati në ekonominë e vendit dhe aktivitetin e bizneseve.
Kryetari i AKB-së, Agim Shahini, ka thënë se Aleanca e ka përcjellë nga afër situatën e krijuar nga sulmi, i cili i ka shkaktuar Kosovës 20 milionë euro humbje të qarkullimit të brendshëm.
Ai theksoi se nga të dhënat e mbledhura, konsumi i përgjithshëm ka rënë 4%, bizneset kishin 10% më pak aktivitete, e se vizitat turistike e shitja e patundshmërive kanë rënë 50%. Siç tha ai, sulmi i ka frikësuar edhe investitorët e huaj.
“Aleanca Kosovare e Biznesit ka përcjellur nga afër situatën e krijuar nga sulmi diversant. Ky sulm terrorist që pati qëllim të marr nën kontroll pikat vitale të veriut të Kosovës. 7 ditë pas sulmit terrorist në vend, la pasoja në ekonomi, frikësoi qytetarët dhe investitorët e huaj”.
“Konsumi i përgjithshëm ra për 4%. Bizneset ulën aktivitetetin e tyre deri në 10%. Vizitat turistike e familjare ra për 50%. Shitja e patundshmërisë ra për 50%. Interesimi për investime të huaja ishte 0%. Kosova ka pasur një humbje të qarkullimit të brendshëm për 20 milionë euro”, tha Shahini.
Në këtë diskutim mori pjesë edhe njohësi i ekonomisë, Mustafë Kadriaj, i cili tha se vlerësimet ekoomike të tilla janë të nevojshme.
Kadriaj shtoi së është pikërisht qëllimi i Serbisë që ta dëmtojë Kosovën ekonomikisht.
“Është shumë e nevojshme që të vlerësohet ekonomikisht situata. Interesat politike kanë pluset dhe minuset e tyre, por në një kohë afagjate po dëmtohet interesi ekonomi. Që nga pas lufta, ekonomia ka mbetur nën hije. Edhe Serbia e ka këtë qëllim, që ta dëmtojë Kosovën ekonomikisht”./EO/