Presidenti Frank-Walter Steinmeier është për kufizimin e pranimit të refugjatëve në Gjermani. “Ne duhet ta kufizojmë numrin e hyrjeve, kjo është e qartë”, u shpreh kreu i shtetit.
Presidenti i Gjermanisë, Frank Walter Steinmeier u shpreh në edicionin qendror të lajmeve “Tagesthemen” në ARD, se një kufizim i pranimeve mund të arrihet, vetëm nëse Gjermania vendos kontrolle kufitare bashkë me vendet e tjera anëtare të Bashkimit Europian. Gjithashtu duhet që të arrihet, që procesi i verifikimit të aplikimeve për azil për personat, që nuk kanë asnjë shans të fitojnë azilim, të realizohen në kufijtë e jashtëm dhe njerëzit të kthehen që atje.
“Nëse vendoset ky rregull, dhe jemi drejt kësaj rruge, për fat të mirë, atëherë mund të pakësohen edhe shifrat e të mbërriturve në Gjermanu”, tha Steinmeier. “Ky është një proces i mundimshëm.” Në debat duhet hequr dorë prej formulimeve, që sugjerojnë, se ka një mundësi. Steinmeier bën thirrje, që federata, landet dhe komunat të veprojnë bashkarisht. Ndërkohë, sipas tij, politika është ende në modusin e luftës elektorale për shkak të zgjedhjeve parlamentare në landet e Hesenit dhe Bavarisë. “Shpresoj shumë, që kur të kenë kaluar zgjedhjet, sërish do të krijohet një klimë, ku partitë demokratike mes tyre të arrijnë në marrëveshje.”Nëse kjo nuk arrihet atëherë kjo mbetet një çështje debati, prej të cilit përfitojnë të tjerë.
Edhe kancelari Scholz është për kufizime
Në fundjavë edhe kancelari Olaf Scholz u shpreh për kufizimin emigracionit në rritje drejt Gjermanisë. “Numri i refugjatëve që synojnë të vijnë në Gjermani, është aktualisht shumë i lartë”, i tha Scholz rrjetit redaksional “Redaktionsnetzwerk Deutschland”.
Numri i migrantëve të rinj në Gjermani është rritur së fundi. Nga janari deri në gusht 2023, sipas Bundesamt für Migration und Flüchtlinge (Bamf), kanë paraqitur kërkesë për azil 220.116 vetë, shumica nga Siria dhe Afganistani. Sipas anketimeve shumica prej 70 përqind e gjermanëve të pyetur ndihen të mbingarkuar. 27 përqind mendojnë, se Gjermania mund ta përballojë numrin e azilkërkuesve.