Wednesday, November 27, 2024
HomeLajmeKriza ekonomike në Kosovë – Pasojat e rritjes së pakontrolluar të çmimeve

Kriza ekonomike në Kosovë – Pasojat e rritjes së pakontrolluar të çmimeve

Si shumë vende tjera, edhe Kosova, gjatë këtij viti po përballet me rritje të theksuar të çmimeve. Rënia e ofertës në tregjet ndërkombëtare, mungesa e kapaciteteve prodhuese të brendshme dhe rritja e ndjeshme e kërkesës janë ndër shkaktarët kryesorë për këtë situatë.

Rritje e vazhdueshme dhe e pakontrolluar e çmimeve të artikujve bazik në Kosovë, po e rëndon gjithnjë e më shumë gjendjen ekonomike të shumë familjeve.

Agjencia e Statistikave të Kosovës ka bërë të ditur se indeksi i tërësishëm i harmonizuar i çmimeve të konsumit është më i lartë në një mesatare prej 3.2 për qind në muajin gusht 2023, krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2022.

Norma mujore dhe vjetore e inflacionit në % të matura nga IHÇK, Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK)

Sipas ASK-së, ngritja e çmimit të konsumit ka ndodhur te perimet 28 për qind, pemët 11,4 për qind, mobilje, pajisje shtëpie dhe mirëmbajtje e shtëpisë 7,2 për qind.

Po ashtu sipas këtij raporti, pijet alkoolike dhe duhani janë shtrenjtuar 6,3 për qind, pijet joalkoolike 5,7 për qind, blerja e automjeteve 5,1 për qind, buka dhe drithërat 4,5 për qind, energjia elektrike, gaz dhe lendet djegëse të tjera 4,5 për qind, shërbimet për transport 4,4 për qind, mishi 3.8 për qind dhe qumështi, djathi dhe vezët 2,4 për qind, me një ndikim të përbashkët të këtyre nëngrupeve prej 3,4 për qind në Indeksin e Harmonizuar të Çmimeve të Konsumit (IHÇK-it).

Ndryshimet mujore dhe vjetore të çmimeve në % për grupe dhe nëngrupe të COICOP-it, Kosovë, Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK).

Ndërsa, rënie e çmimeve vërehet te grupet dhe nëngrupet e COICOP-it: vajrat dhe yndyrat 14.5% dhe lënde djegëse të ngurta, dru zjarri, pelet etj. 3,7% dhe me një ndikim të përbashkët të këtyre nëngrupeve prej 0,2 për qind në IHÇK-it.

Kurse, indeksi i tërësishëm i harmonizuar i çmimeve të konsumit është më i lartë në një mesatare prej 1,0 % në muajin gusht 2023, krahasuar me muajin korrik 2023.

“Kjo kryesisht është shpjeguar me ngritjen e çmimeve të konsumit të nëngrupet e COICOPI-it: biletat e fluturimeve (8,4 %), karburantet dhe lubrifikantet për pajisjet e transportit personal (5,3 %), perimet (4,8 %), shërbimet për transport (4,7%), mobilje, pajisje shtëpie dhe mirëmbajtje e shtëpisë (1,2%), blerja e automjeteve (1,1%) dhe pijet alkoolike, duhani ( 0,9 %) me një ndikim të përbashkët të këtyre nëngrupeve prej 1,0 për qind në IHÇK”, thuhet në raportin e publikuar nga ana e ASK-së.

Ekonomisti, Egzon Kastrati për Portalin Dukagjini rreth kësaj çështjeje ka thënë se Qeveria e Kosovës ka vepruar në raport me inflacionin përmes masës monetare apo rritjes së pagës me ligjin e ri.

“Qeveria ka vepruar përmes masës monetare që është indeksimi i pagës, pra rritja e pagës me ligjin e ri mund të quhet një masë anti-inflacion e cila në kontekstin real baraz vlerëson në aspektin nominal inflacion mirëpo fuqia reale te të ardhurat mbetet e njejtë”, ka thënë Kransiqi .

Tutje, ai ka theksuar se tendenca për mungesë të kontrollit të çmimeve ka sjellur “pasojat e disfunksionit të Autoritetit Kosovar të Konkurencës. Në rast se masat ndëshkuese do të kishin qenë të efektshme, ato do të ndikonin në frenimin e kësaj tendence të rritjes së çmimeve”.

Megjithatë, sipas tij “zvogëlimi i produkteve në treg po favorizon formimin e karteleve dhe marrëveshjeve të fshehta midis tregtarëve, që në mënyrë të përsëritur dëmtojnë konsumatorët, duke i lënë ata të prekur edhe në sasi të ndryshme”.

Në tjetrën anë, ekonomisti Naim Huruglica ka thënë se ky veprim i kompanive për zvogëlimin e saisë dhe mbetjes konstante të çmimit nënkupton inflacion.

“Kompanitë kanë shku për mos me ardhë deri tek rritja e çmimeve kanë zvogëluar sasinë. Se për vetë faktin se për një çmim më të shtrenjtë blenë më pak kjo është inflacion domethënë është rritje e kostos së çmimit”, ka thënë Huruglica.

I pyetur nga Portali Dukagjini për evidentim nga ana e ASK-së për këtë lloj infalcioni, ai është përgjigjur se “ish dashur të evidentohet ky lloj inflacioni edhe nga ASK-ja”.

“Gjatë matjeve që bëjnë ata duhet me krahasu ‘të ngjajshmen me të ngjajshmen’ që do të thotë se nuk mundesh me krahasu çmimin si ka qenë para një apo dy muajve, shembull; 1 kilogram oriz me çmimin qysh e ka 900 gram oriz, që do të thotë kjo nuk është e barabartë”, ka përfunduar Huruglica.

Ne jemi interesuar dhe kemi telefonuar edhe Agjencinë e Statistikave të Kosovës, ku është përgjigjur një zyrtarë nga ky dikaster dhe ka thënë se çmimin e matin për njësi matëse.

“Kur monitorojmë çmimet me pakicë dhe secilin çmim, por sidomos çmimet e konsumit janë çmimet me pakicë, çmimet që do të thotë konsumatori i fundit e bënë pagesën për atë blerje të mallit. Ne bazohemi tek njësia matëse, çmimin e matim për njësi matëse”.

Një zyrtar i ASK-së, i ka thënë Portalit Dukagjinit se evidentimi zvogëlimit të sasisë së produkteve ushqimore “Ish dashtë me u matë dhe duhet me matë metodologjikisht për njesinë matësë. Ne si statistikë, si institucion e bëjmë matjen e çmimit për njësi matësë të definuar”.

Ndryshe, ditë më parë për trendin rënës të ekonomisë ka reaguar deputeti nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Avdullah Hoti duke thënë se rënia ekonomike po vazhdon gjatë gjithë mandatit të kësaj qeverie – që nga tremujori i dytë i vitit 2021 kur e nisën mandatin.

“Pa zot shtëpie që kujdeset për ekonominë e bashkëpunon me sektorin privat, rritja ekonomike është shafitur në nivele të ulëta që as amortizimi i kapitalit nuk mbulohet. Kjo ka qenë e pritshme. Në tri vite të qeverisjes, nuk ka asnjë politikë ekonomike e fiskale që siguron punësim e prodhim të qëndrueshëm. Investimet publike në tri vitet e fundit janë tkurrur jashtëzakonisht shumë. E gjithë politika ekonomike është reduktuar në subvencione, të cilat mundësojnë mbijetesë, por jo zhvillim”, ka thënë Hoti.

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments