Wednesday, November 27, 2024
HomeLajmeKosovaJanjiq: Shumica e njerëzve në Beograd e pranojnë realitetin, asgjë s’mund të...

Janjiq: Shumica e njerëzve në Beograd e pranojnë realitetin, asgjë s’mund të arrihet me forcë në Kosovë

Analistët vlerësojnë sulmin e fundjavës në Kosovë si një ngjarje që sposton kontestin ndërmjet Kosovës dhe Serbi nga dialogu i lehtësuar nga bashkësia ndërkombëtare për normalizim mes dy vendeve në çështje urgjente të sigurisë, por edhe që i jep fund mendimeve në Serbi se me forcë mund të arrihet ndonjë rezultat në Kosovë.

Analistë në Beograd vlerësojnë se sulmi i grupit të armatosur serb në Kosovë, nuk ishte i papritur, por një ngjarje e paralajmëruar, që pritet të ndryshojë parametrat e negociatave mes Kosovës dhe Serbisë, duke krijuar një realitet krejtësisht të ri mes dy vendeve.

“Do të jetë shumë e vështirë të menaxhohen dy gjëra, fillimisht, reagimi shovinist, etno-nacionalist rreth humbjes së kontrollit të territorit në pjesën veriore të Kosovës, gjë që ka ndodhur në realitet… Në këtë moment, përqendrimi është në sigurinë dhe kjo nuk është gjë e keqe, sepse më në fund njerëzit do ta kuptojnë që zgjidhja nuk vjen me konflikte, me dhunë dhe këtë duhet ta pranojnë. Jam i bindur se shumica e njerëzve që jetojnë në Beograd e pranojnë realitetin – realitetin që asgjë nuk mund të arrihet me forcë në Kosovë”, deklaroi Dushan Janjiq, kryetar i Forumit për Marrëdhënie Ndëretnike.

Analistja Maja Piscevic nga organizata Këshilli Atlantik me seli në Washington, thotë se publiku në Serbi është i vetëdijshëm se, siç tha ajo, “diçka e tmerrshme ka ndodhur.”

“Ka kaq shumë pyetje. A ishte ky një tërmet? A ishte ky paralajmërim, apo një përgatitje e terrenit? Ngase të gjithë e kemi parashikuar dhe e kemi paralajmëruar bashkësinë ndërkombëtare se do të ndodhte. Dhe tani kur ndodhi, të gjithë u befasuam, ngase ndoshta shpresuam se nuk do të ndodhte. Vlerësimi im është se ky është një episod tragjik për serbët dhe shqiptarët, pasojë e mundësive të humbura, mungesës së guximit politik, zgjuarsisë politike dhe përgjegjësisë. Dhe në këtë kuptim, ishte e pashmangshme që diçka e tillë të ndodhte,” tha Piscevic.

Sipas Janjiqit, ka gjithnjë e më shumë argumente se ky ishte një “përshkallëzim i përdorimit të dhunës për qëllime politike” por që përshtypja që kjo është bërë nga elementë kriminalë tashmë nuk qëndron.

Ai thotë se është tashmë e qartë që “KFOR-i, EULEX dhe Policia e Kosovës kanë bashkëpunuar profesionalisht dhe që Beogradi është gjithashtu i përfshirë në strehimin e njerëzve në Serbi që nuk janë arrestuar dhe që nuk janë në spitale, në Prishtinë”.

Sipas tij, Beogradi tani detyrohet të hetojë dhe shkëmbejë informata për të gjithë ata që janë të përfshirë.

“Kemi ardhur në këtë pikë – përparësi është diskutimi, marrëveshja me Kosovën, me Prishtinën, jo për asociacionin e komunave, jo për shtetin. Tani ka të bëjë me sigurinë, që do të thotë me demilitarizimin e paramilitarëve”, deklaroi Janjiq.

Sipas tij, Presidenti serb Vuçiq tashmë ka pranuar përgjegjësinë “kur e ka përcaktuar tërë procesin si protestë të njerëzve, qytetarëve dhe jo të kriminelëve”.

“Nuk ma merr mendja se do të ketë përshkallëzim të mëtejshëm të organizuar në Kosovë. Nëse Beogradi ka dashur të bëjë diçka, tash është e qartë që një gjë të tillë nuk mund ta bëjë në Kosovë. Ndoshta mund ta bëjë në Bosnjë, por në Kosovë, kjo vatër e nxehtë është tani e mbrojtur nga BE-ja, NATO-ja dhe prania amerikane”, theksoi ai.

Piscevic thotë se një hetim i ngjarjeve është i domosdoshëm për të përcaktuar se çfarë ka ndodhur. Megjithatë, sipas saj, një gjë është e qartë.

“Është tashmë fakt që komuniteti serb është përfundimisht i radikalizuar dhe nuk u beson institucioneve të Kosovës. Diçka duhet të ndodhë. Diçka neutrale që të ndajë të dy palët. Kjo është gjithsesi një krizë sigurie. Dhe nuk mund të kesh zgjidhje politike pa e zgjidhur krizën e sigurisë. Dhe kjo çështje ka përparësi tani”, tha Piscevic.

Por, përpos pasojave të menjëhershme në marrëdhëniet mes Kosovës dhe Serbisë, analistët parashohin që sulmi i armatosur i grupit serb në pjesën veriore të Kosovës ndaj policisë së Kosovës shkon përtej kundërthënieve mes Kosovës dhe Serbisë, duke pasur implikime për Shtetet e Bashkuara dhe pjesën tjetër të bashkësisë ndërkombëtare, por edhe për rajonin.

Sipas Janjiqit, Rusia mund të ketë qenë e përfshirë në atë që ndodhi.

Ai thotë se është e rëndësishme që Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të flasin “me një zë për të gjitha çështjet e rëndësishme.” Por, sipas tij, janë Shtetet e Bashkuara ato që tani duhet të vihen në krye të proceseve.

“Amerika duhet të udhëheqë për një arsye të vetme, Amerika thjesht po udhëheq bllokun perëndimor të sigurisë për të garantuar paqen në Evropë dhe jashtë Evropës. Së dyti, koha do ta dëshmojë se Rusia është e përfshirë me (Milan) Radoiçiqin dhe të tjerët në këtë incident – Rusia po tenton të tregojë se Amerika nuk është garantuesi i vetëm i paqes, që nuk është garantues i besueshëm i saj dhe konsideroj se është tejet e rëndësishme që Amerika të marrë rolin udhëheqës në këtë çështje të sigurisë”, deklaroi Janjiq.

Por, sipas Janjiqit, Moska tashmë synon lojtarë dhe shënjestra të tjera.

“Beogradi duhet ta ndryshojë politikën e tij. Beogradi zyrtar i Vuçiqit nuk do të përkrahet shumë nga Moska. Shansi i fundit është Këshilli i Sigurimit (të OKB-së). Moska tashmë po bën llogari me njerëz të rinj në Beograd, në Serbi dhe po bën një lloj tregtie. Kosova nuk është shënjestra kryesore apo pikë interesi rus. Është pikë e rëndësishme për t’u përleshur dhe luftuar me NATO dhe për ta shpërndarë atë nëpër tërë Evropën. Është mësim shumë i rëndësishëm që u mësua”, tha ai.

Ndërsa analistja Piscevic thotë se ndonëse roli i faktorëve të jashtëm nuk mund të përjashtohet nga sulmi i së dielës, duke marrë parasysh që situata e paqëndrueshme që ka ekzistuar për një kohë në Ballkan ka krijuar terren joshës për aktorë që janë të investuar në një rajon të destabilizuar.

“Është terren i favorshëm për ata që janë të interesuar për një Ballkan të destabilizuar, që ta përkrahin një gjë të tillë. Por nuk mund të them nëse janë të angazhuar drejtpërdrejt, nëse po, flasim për Rusinë. Por, ka kuptim që nuk janë të palumtur me atë që po ndodh në veri këto ditë,” tha ajo.

Analistët nuk mund të parashikojnë se çfarë zhvillime mund të priten, por ata theksojnë se vetëm një prani e shtuar e pranisë dhe vëmendjes ndërkombëtare ndaj Kosovës dhe Serbisë mund të sigurojë një rrugëdalje nga kjo gjendje.

“Kjo ishte një tronditje e madhe. A do të pasohet nga ndonjë incident tjetër? Sinqerisht, e kam të vështirë të imagjinoj se kjo rrjedhë e ngjarjeve mund të ndalojë vet, pa bashkësinë ndërkombëtare dhe pa rritjen e pranisë dhe gatishmërisë së KFOR-it në këtë pjesë të Kosovës”, thotë Piscevic.

Ndërkaq, Janjiq thotë se ndonëse nuk sheh përshkallëzim të mëtejmë në Kosovë, këto zhvillime paraqesin një moment të ri.

“Është krijuar një realitet krejtësisht i ri. Ka pasur rrezik të lartë se do të nxiste ndonjë konflikt të ri të armatosur. Tani jam i sigurtë se nuk do të ketë aktivitete të armatosura. Është një moment, që politikanët në dy anët ta shfrytëzojnë këtë moment. Zgjidhja para tyre është jo si të vazhdojnë me menaxhimin e sigurisë; por si të vazhdohet me stabilizimin e paqes. Kjo e ka ndryshuar tërësisht kahjen dhe nuk jam i sigurtë nëse Vuçiqi do të shkojë deri në fund. Për momentin, ai duhet ta pranojë këtë”, thotë ai.

“Njerëzit në Serbi janë shumë të frikësuar nga një luftë e re, nuk janë për të, por se çfarë do të ndodhë në të ardhmen, nuk mund ta them tani. Zona e vetme ku tani transferohet pasiguria është në Bosnjë”, përfundoi Janjiq./VOA

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments