Është e qartë se sulmi i armatosur në veri të Kosovës, të dielën, nuk ishte spontan, thotë Charles Kupchan, profesor në Universitetin Georgetown dhe ish-drejtor i çështjeve evropiane në Këshillin e Sigurisë Kombëtare të Shteteve të Bashkuara në administratat e Bill Clintonit dhe Barack Obamas, në një intervistë për Radion Evropa e Lirë.
Një pjesëtar i Policisë së Kosovës u vra dhe disa u plagosën në përleshjet me një grup të armatosur në pjesën veriore të vendit, të banuar me shumicë serbe, më 24 shtator. Rreshteri i policisë, Afrim Bunjaku, vdiq nga plagët e marra në sulm, konfirmuan autoritetet.
Autoritetet kosovare thanë se tre sulmues janë vrarë, ndërsa gjashtë persona, që dyshohet se ishin në kontakt me ta, janë arrestuar. Rreth 30 sulmues ishin vendosur në manastirin e fshatit Banjskë të komunës së Zveçanit dhe përreth tij.
Kosova e bëri përgjegjëse Serbinë për sulmin, ndërsa Beogradi zyrtar serbët e Kosovës.
“Duket se ky është një aksion i mirëorganizuar, prandaj është më i rrezikshëm, sepse sugjeron se në terren ka grupe që janë të interesuara për të shkaktuar dhunë dhe janë të gatshëm të organizohen dhe të gjejnë armë që do t’u mundësojnë të bëjnë kështu”, beson Kupchan.
Ai tha se nuk dëshiron të spekulojë se kush qëndron pas sulmuesve.
“Mund të jetë një grup i brendshëm me mbështetje nga jashtë, por jo domosdo nga qeveria. Qëllimi i tyre? Të nxisin telashe, më shumë dhunë, të rrisin tensionet për të bërë të paarritshëm bashkëpunimin e palëve të përfshira për të arritur paqen e qëndrueshme ”, theksoi ai.
Radio Evropa e Lirë: Autoritetet në Kosovë njoftuan se policia ka rimarrë kontrollin e territorit në veri – zonë e banuar me shumicë serbe – pas një sulmi nga një “grup i armatosur rëndë”, që rezultoi me vrasjen e një polici dhe të tre sulmuesve.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, fajësoi Beogradin për incidentin, duke thënë se “krimi i organizuar me mbështetjen politike, financiare dhe logjistike të zyrtarëve në Beograd, po sulmon vendin tonë”.
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, e dënoi vrasjen e policit kosovar dhe tha se nuk ka asnjë justifikim për të. Ai, megjithatë, tha se incidenti ishte shkaktuar nga rebelimi i serbëve të Kosovës, sepse ata “nuk donin të vuanin më nën terrorin e Kurtit” dhe se ishte çështje kohe se kur do të ndodhte diçka e tillë.
Pse ndodhi ky incident pikërisht tani, apo është pasojë logjike e tensioneve që janë rritur prej vitesh, sepse të dyja palët nuk janë gati të bëjnë kompromise, pavarësisht shumë rundeve të negociatave që kanë zhvilluar?
Charles Kupchan: Ky shpërthim i ri i dhunës është dëshpërues, por jo shumë befasues. Kohëve të fundit, tensionet janë duke u rritur. Mendoj se ka zhgënjim të të gjithë aktorëve. Në njërën anë, ka një udhërrëfyes serioz – me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian – që do të duhej ta çonte Kosovën dhe Serbinë drejt normalizimit [të marrëdhënieve]. Në të njëjtën kohë, asnjëra palë nuk tregon gatishmëri, guxim të mjaftueshëm për të ecur përpara dhe për ta zbatuar atë udhërrëfyes.
Mendoj se kryeministri Kurti, muajve të fundit, ka ndërmarrë hapa që kanë qenë provokues dhe kanë rritur temperaturën – duke filluar me përpjekjet për t’i detyruar serbët e Kosovës që të marrin karta të reja identiteti dhe targa. Pastaj, vendimi për instalimin e kryetarëve të komunave në veri, të zgjedhur në zgjedhje që u bojkotuan nga komuniteti serb.
Këta mund të jenë hapa legjitimë për një Kosovë sovrane, por, megjithatë, kanë rezultuar provokues dhe mendoj se e kanë penguar përparimin. Nuk e dimë se kush janë autorët e dhunës që solli këtë vrasje.
Vuçiq e mohoi çdo përfshirje të drejtpërdrejtë të Serbisë, por ne e dimë nga historia se, në kohën e rritjes së tensioneve etnike, formohen grupe paraushtarake të një lloji apo të një lloji tjetër. Qytetarët i marrin gjërat në duart e tyre dhe kryejnë akte dhune, pas të cilave ndoshta nuk qëndron asnjëra palë. Ndoshta kjo situatë e paralajmëron Qeverinë në Prishtinë dhe atë në Beograd se nuk përjashtohet shpërthimi më i gjerë i dhunës, se të dyja palët duhet të ushtrojnë përmbajtje dhe se situata në terren mbetet e paqëndrueshme dhe e rrezikshme.
Radio Evropa e Lirë: Kush mund të qëndrojë pas këtij sulmi? A mund të jetë Lista Serbe, partia kryesore serbe në Kosovë, apo Beogradi, pavarësisht distancimit të Vuçiqit, apo shërbimi rus i sigurisë, siç përmendet në rastin e pazgjidhur të komplotit për rrëzimin e kryeministrit të atëhershëm malazez, Millo Gjukanoviq, më 2016? Gjithashtu, çfarë donin të arrinin sulmuesit me këtë sulm?
Charles Kupchan: Nuk do të doja të rrezikoja me supozime për sulmuesit. Mund të jetë një grup i brendshëm me mbështetje nga jashtë, por jo domosdoshmërisht nga qeveria. Qëllimi i tyre? Nxitja e telasheve, dhunës më të madhe, ngritja e tensioneve për ta bërë të paarritshëm bashkëpunimin mes palëve të përfshira në arritjen e paqes së qëndrueshme.
Radio Evropa e Lirë: Kurti thotë se Beogradi i mbështet këto lloje strukturash dhe grupesh paralele. Vuçiq thotë se vetëm Kurti është fajtor për gjithçka që po ndodh në Kosovë. “Albin Kurti është i vetmi që dëshiron konflikte dhe luftë”, thotë Vuçiq. Si është e mundur që serbët lokalë të kenë armë të tilla tipike për njësitë e rregullta apo paraushtarake? Si është e mundur që popullata vendase të ketë armë aq moderne?
Charles Kupchan: Nuk është për t’u habitur që secila palë e fajëson tjetrën. Mendoj se të dyja palët mbajnë përgjegjësi. A veproi Serbia me mirëbesim për ta ndihmuar Kosovën që të jetë koherente si shtet unitar? Absolutisht jo. A i inkurajoi Qeveria në Beograd strukturat paralele dhe pakicën serbe që të jenë më besnike ndaj Serbisë sesa ndaj Kosovës? Absolutisht.
Pra – nëse shikojmë një pamje më të gjerë – a mban Serbia përgjegjësi të konsiderueshme për stagnimin dhe për shpërthimin e dhunës? Po, mban. Në të njëjtën kohë, e dimë se Kurti ka ndërmarrë hapa që kanë rritur temperaturën, kanë polarizuar marrëdhëniet ndërmjet shqiptarëve etnikë dhe serbëve etnikë.
Nga vijnë armët e tilla? Epo, në botën e sotme, është shumë e lehtë të arrihet në tregun e zi. Mund të kenë ardhur edhe nga Beogradi, përmes tregut të zi.
Ne nuk e dimë këtë, por e dimë se shpërthimi i konflikteve dhe dhunës së tillë është i rrezikshëm, sepse ato kanë potencial për t’u përhapur. Shpresoj që ky incident të përjetohet si një alarm zgjimi dhe të jetë arsye për të dyja palët që të ecin përpara në frontin diplomatik.
Radio Evropa e Lirë: A ka ndodhur ky incident spontanisht, brenda natës, apo është përgatitur me ditë, nëse jo me javë, siç sugjeron Policia e Kosovës?
Charles Kupchan: Me sa duket, nuk ka qenë një veprim spontan. Nga sa mund të kuptojmë nga raportimet e mediave, kamionët po bllokonin urën. Është tentuar të shkaktohej një lloj bllokimi. Me sa duket, një grup prej disa dhjetëra personash ka kërkuar strehim në një manastir serb.
Pra, ky duket të jetë një veprim i organizuar mirë – gjë që e bën atë më të rrezikshëm, sepse sugjeron se ka grupe në terren që kanë interes të shkaktojnë dhunë dhe janë të gatshme të organizohen dhe të kërkojnë armë, që do t’u mundësonin ta bënin atë.
Radio Evropa e Lirë: Sulmuesit kërkuan strehim në manastirin e Banjskës, por kleri u distancua prej tyre…
Charles Kupchan: Mendoj se është një shenjë pozitive që manastiri serb, kleri i tij është distancuar nga dhuna. E konsideroj si shenjë pozitive që presidenti Vuçiq e ka dënuar vrasjen e një polici të Kosovës dhe dhunën. Ky lloj i përmbajtjes është i rëndësishëm.
Tani është e nevojshme që të dyja palët të tregojnë përmbajtje të mëtejshme, afatgjate, të heqin dorë nga akuzat e ndërsjella dhe të ecin përpara me zbatimin e udhërrëfyesit të përgatitur nga Bashkimi Evropian.
A ka vendime të vështira për t’u marrë? Po. A do të jetë e vështirë për Kosovën që ta themelojë Asociacionin e komunave [me shumicë] serbe që do ta kënaqte popullatën [serbe] dhe do të çonte në një marrëveshje? Po, do të jetë.