Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në fjalimin e tij për ngjarjet e fundit në Veri, tha se serbë nga Kosova morën pjesë në sulmin ndaj Policisë së Kosovës.
Ai ka folur edhe për të vrarit nga ana e sulmuesve serbë, derisa është ankuar që aksionin ndaj tyre e ka bërë Policia e Kosovës dhe jo KFOR, raporton Danas.
“Ndaj tyre është kryer një sulm brutal dhe ne në fillim menduam se pse KFOR-i nuk e bëri këtë, do të kishte më pak viktima. Sipas informacioneve që disponojmë, thuhet se janë vrarë tre serbë nga Kosova. Dy sigurisht nga zjarri me snajper, kur nuk ishte e nevojshme që të likuidoheshin. Dy prej tyre janë plagosur rëndë, ndërsa ka frikë se ka mbetur i vrarë edhe personi i katërt. Ne ndoqëm, përgjuam se çfarë po bënte policia shqiptare, do t’ju tregojmë provat, ndoshta edhe gjatë konferencës, presim vetëm përkthimin”, tha Vuçiq.
Sipas Vuçiqit, “Albin Kurti është i vetmi fajtor për atë që po ndodh sot në Kosovë dhe i vjen keq që një pjesë e serbëve ranë në provokimet e tij. Kurti dëshiron të na fusë në luftë me NATO-n dhe nuk ka dëshirë tjetër. Është e vetmja gjë që funksionon gjatë gjithë kohës. I vetmi”, tha Vuçiq.