Më shumë se 90 pjesëtarë të misionit të NATO-s në Kosovë u plagosën në fund të majit, kur protestat e popullatës lokale serbe kundër kryetarëve shqiptarë të komunave u shndërruan në përleshje të dhunshme.
Në Kosovë, deri më tani, janë arrestuar dhjetë persona për “pjesëmarrje në protesta të dhunshme” dhe sulme ndaj pjesëtarëve të KFOR-it.
Komandanti i KFOR-it, Angelo Ristuccia, tha më 19 shtator se nuk ka informacione të reja rreth hetimeve, por se e di se autoritetet e Kosovës janë duke punuar në to.
Ai tha se shpreson që edhe autoritetet në Beograd t’i hetojnë ata persona që “u kthyen në Serbi” pas trazirave.
Ristuccia tha se edhe KFOR-i pret që të gjithë autorët e dhunës “të ndiqen penalisht menjëherë”.
Çfarë thonë në Beograd?
Ministria e Punëve të Brendshme e Serbisë nuk iu përgjigj pyetjeve të Radios Evropa e Lirë se a po punohet në këtë rast dhe a do të arrestohen autorët e dhunës që gjenden në Serbi.
REL-i pyeti edhe Zyrën për Kosovën në Qeverinë e Serbisë në lidhje me pretendimet se ata që kanë marrë pjesë në protesta të dhunshme në veri të Kosovës, gjenden në Serbi, por nuk mori përgjigje.
Tensionet në veri të Kosovës – zonë e banuar me shumicë serbe – filluan më 26 maj, kur grupe të serbëve lokalë u mblodhën para ndërtesave komunale, për të kundërshtuar hyrjen e kryetarëve të rinj shqiptarë në këto ndërtesa.
Situata u përshkallëzua më 29 maj, kur demonstruesit në komunën e Zveçanit u përleshën me pjesëtarë të KFOR-it.
Nëntëdhjetë e tre ushtarë të KFOR-it u plagosën rëndë dhe lehtë, ashtu si edhe disa protestues.
“Dihet saktësisht se kush ishte atje, çfarë është dhe nga vjen. Dihet, gjithashtu, se ata nuk kanë mundur të veprojnë pa koordinim me Listën Serbe dhe me Serbinë”, thotë Dushan Janjiq, nga Forumi joqeveritar për Marrëdhënie Etnike, me seli në Beograd.
Lista Serbe, partia më e madhe e serbëve të Kosovës, e cila ka mbështetjen e autoriteteve në Beograd, i dënoi sulmet ndaj KFOR-it, por edhe arrestimet e serbëve që lidhen me këto sulme.
Pas dhunës në Zveçan më 29 maj, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, u bëri thirrje demonstruesve që “të mos hyjnë në konflikt me NATO-n” dhe të protestojnë në mënyrë paqësore. Ai e fajësoi kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, për trazirat, duke thënë se Kurtit “i konvenon të ketë konflikt mes NATO-s dhe serbëve”.
Qeveria e Kosovës, në anën tjetër, këmbëngul se pas trazirave të fundit në veri të Kosovës qëndron Beogradi zyrtar dhe “grupet kriminale të afërta me Vuçiqin”.
Çfarë thonë në Prishtinë?
Ministria e Punëve të Brendshme dhe Prokuroria e Kosovës nuk iu përgjigjën pyetjeve të REL-it për ecurinë e hetimeve të sulmit ndaj ushtarëve të NATO-s, sa persona janë duke u hetuar dhe nëse të gjithë ata janë në dispozicion të autoriteteve gjyqësore.
Nga dhjetë personat që u arrestuan në lidhje me trazirat, disa u liruan për t’u mbrojtur në liri, ndërsa dy pjesëtarë të komunitetit serb u dëbuan nga Kosova.
Më 2 qershor, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, u tha deputetëve në Kuvendin e Kosovës se institucionet kanë identifikuar 45 persona, që kanë lidhje me trazirat dhe me sulmet ndaj KFOR-it, dhe i lexoi publikisht emrat e tyre.
Ai, po ashtu, tha se në mesin e të tubuarve në protestën në Zveçan më 29 maj, kishte edhe tifozë të klubit beogradas të futbollit “Cervena zvezda”.
Ehat Miftaraj, drejtor i Institutit të Kosovës për Drejtësi, i cili monitoron punën e policisë, prokurorisë dhe gjykatave, thotë se janë iniciuar disa raste në lidhje me sulmet ndaj KFOR-it.
“Rastet e tilla janë duke u hetuar dhe disa persona të arrestuar janë duke u hetuar përmes procedurave të rregullta gjyqësore”, thotë ai.
Kush janë personat që i sulmuan ushtarët e NATO-s?
Si pjesëmarrës kryesorë në sulmet kundër KFOR-it, autoritetet e Kosovës i emëruan pjesëtarët e organizatave “Mbrojtja Civile” dhe “Brigada e Veriut” – që të dyja të shpallura terroriste nga Prishtina zyrtare.
Si lider i “demonstruesve të dhunshëm” dhe organizator i sulmeve ndaj KFOR-it u identifikua Millun Millenkoviq – Llune, i cili u arrestua më 13 qershor dhe është ende në paraburgim.
Ai akuzohet për tri vepra: terrorizëm, ndryshim të dhunshëm të rendit kushtetues të Kosovës dhe rrezikim të personelit me mbrojtje ndërkombëtare.
Ministri i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Sveçla, tha se Millenkoviq “është një nga liderët e formacionit kriminal ‘Mbrojtja Civile’ dhe lider i grupeve kriminale që me vite i terrorizojnë qytetarët, i sulmojnë pjesëtarët e Policisë së Kosovës dhe institucionet e Republikës së Kosovës”.
Në Mitrovicën e Veriut u mbajtën protesta pas arrestimit të Millenkoviqit.
Lista Serbe kërkoi amnisti për të gjithë serbët e arrestuar që kanë marrë pjesë në protesta kundër vendimeve të Qeverisë së Kosovës.
A ka bashkëpunim mes Kosovës dhe Serbisë?
Në fund të qershorit, kryeministri i Kosovës kërkoi nga Serbia që t’i tërheqë “demonstruesit e saj të dhunshëm para ndërtesave komunale dhe vendeve përreth”, si dhe të bashkëpunojë në ndjekjen penale të atyre që i kanë shkelur ligjet e Kosovës.
Kosova dhe Serbia nuk bashkëpunojnë drejtpërdrejt në hetime.
Misioni i BE-së për Sundimin e Ligjit në Kosovë, EULEX, i tha REL-it se çështja e bashkëpunimit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë lidhur me hetimet e sulmeve ndaj ushtarëve të KFOR-it, është “jashtë mandatit të EULEX-it”.
Në përshkrimin e mandatit të këtij misioni, që gjendet në ueb-faqen e tij, thuhet ndër të tjera se “EULEX-i mbështet Policinë e Kosovës në fushën e bashkëpunimit policor ndërkombëtar, duke lehtësuar shkëmbimin e informacioneve ndërmjet Policisë së Kosovës dhe Interpol-it, Europol-it, ose Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë”.
Miftaraj, nga Instituti i Kosovës për Drejtësi, beson se Serbia është një “parajsë për individët që kryejnë vepra kriminale në Kosovë”, sepse Beogradi refuzon të bashkëpunojë rreth ekstradimit apo ndjekjes së tyre penale.
“Një qasje e tillë paraqet edhe shkelje të standardeve të sundimit të ligjit. Vërtet duhet të ketë më shumë presion nga BE-ja”, thotë Miftaraj.
Edhe Janjiq, nga Forumi i Beogradit për Marrëdhënie Etnike, thotë se Serbia duhet të japë informacione dhe t’i dorëzojë përgjegjësit për sulme ndaj ushtarëve të NATO-s.
“Nëse keni nevojë që KFOR-i t’ju bindë publikisht për këtë, atëherë keni një problem të madh në vend dhe pasoja edhe më të mëdha politike nga mosveprimi juaj”, thotë Janjiq.
Janjiq shton se Serbia i është shmangur “reagimit të ashpër” të KFOR-it, për faktin se asnjë ushtar i NATO-s nuk ka vdekur, përkundër lëndimeve të rënda.
“Kjo është një krizë shumë serioze e mosbesimit në Beograd. Natyrisht, nuk ka një vetëdije më të madhe se ne jemi në një lojë të rrezikshme, e cila quhet krizë sigurie”, thotë ai.
Ky nuk është rasti i parë dhe i vetëm ku pjesëmarrësit në trazira apo të akuzuarit për krime në Kosovë, strehohen në Serbi, ku edhe jetojnë të lirë.
Nënkryetari i Listës Serbe në Kosovë, Millan Radoiçiq, prej vitesh ndodhet në Serbi, ku edhe merr pjesë në takime me zyrtarë të lartë, edhe pse Prishtina zyrtare e akuzon për përfshirje në rastin “Brezovica”, që ka të bëjë me ndërtimet pa leje.
Më herët, për Radoiçiqin ishte lëshuar një urdhërarrestim nën dyshimin se ishte i lidhur me vrasjen e politikanit opozitar serb në Kosovë, Oliver Ivanoviq. Megjithatë, ky urdhërarrestim u tërhoq pa ndonjë shpjegim në mars të vitit 2021. Radoiçiq ishte ende në Serbi atëkohë.