Wednesday, November 27, 2024
HomeLajmeNjohësit nuk i përjashtojnë masat shtesë ndaj Kosovës

Njohësit nuk i përjashtojnë masat shtesë ndaj Kosovës

Dështimi i takimit të 14 shtatorit mund të prodhojë pasoja për Kosovës, sipas njohësve ndërkombëtarë e vendorë të çështjeve politike. Ata i kualifikuan si të larta gjasat për zbatimin e masave ndëshkuese shtesë, shkaku që nga ndërmjetësi i dialogut pala kosovare është mbajtur përgjegjëse për mosarritjen e një ujdie. E kjo, sipas tyre, rrezikon ta dëmtojë pozitën e Kosovës në arenën ndërkombëtare.

Njohës politikë vendorë e ndërkombëtarë e shohin të lartë mundësinë e përballjes së Kosovës me pasojat e masave shtesë për shkak të dështimit të rundit të fundit të dialogut në Bruksel.

Takimi i 14 shtatorit, midis kryeministrit Albin Kurti e presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, u përmbyll pa një rezultat, e në Bashkimin Evropian përgjegjëse për dështim e mbajtën Kosovën. E çështja e heqjes apo e zbatimit të masave shtesë, sipas burimeve në BE të Radios Evropa e Lirë, është ndërlidhur me rrjedhën në dialog.

Daniel Serëer, profesor në universitetin “Johns Hopkins”, ka thënë se pas takimit të së enjtes gjasat për masa shtesë janë të mëdha, porse shton që për të, ato do të ishin të pajustifikueshme.

“Unë mendoj se ka gjasa, megjithëse do t’i konsideroja masat e tilla si të pajustifikuara. Prishtina ka paraqitur një propozim të arsyeshëm që me sa duket nuk është diskutuar. BE-ja dhe Serbia duan të diskutojnë Asociacionin, pa marrë parasysh çështjet e rëndësishme për Kosovën. Kjo nuk do të funksionojë”, ka thënë Serwer në një përgjigje për KOHËN.

E politologu Dorajet Imeri ka shprehur shqetësimin se masat që mund t’i shtohen Kosovës do ta dëmtojnë pozitën e saj në arenën ndërkombëtare.

“Mundësia që të shtohen masat ndëshkuese në raport me atë se çfarë u tha nga këta zyrtarë është relativisht e lartë. Natyrisht që këto masa do të ndikojnë relativisht shumë në procesin e forcimit të subjektivitetit politik të Kosovës dhe mundësia që të dëmtojë, po ashtu, pozitën ndërkombëtare të Kosovës është relativisht e madhe”, ka thënë ai.

Ai ka shprehur brengën edhe për dallimet në qëndrime midis BE-së dhe Kosovës, të shprehura pas takimit të fundit.

‘Serbia ka arritur që ta paraqesë Kosovën si palë që nuk është e gatshme për të prodhuar kompromis, duke e kthyer kështu Asociacionin si pikën kyç për zbatimin e marrëveshjes”, ka shtuar Imeri.

Për këtë shkak, analisti Visar Xani ka vlerësuar se Kosova duhet ta gjejë një gjuhë të përbashkët si me bllokun evropian ashtu edhe me Shtetet e Bashkuara, në mënyrë që të mos jetë pala e ndëshkuar.

“Për Kosovën është me rëndësi që ta marrë këtë takim shumë seriozisht, që qasjen e BE-së ta trajtojë në mënyrë serioze, për shkak se mund të ketë pasoja për të ardhmen, por që të hapë rrugën e bashkëpunimit dhe koordinimit, me qëllim që të mos vazhdojë edhe më tutje që Serbia të pasqyrohet si palë e cila është bashkëpunuese e duke mos u ndëshkuar, duke marrë ndëshkime vetëm Kosova. Nëse ne arrijmë të gjejmë gjuhën e përbashkët me BE-në dhe SHBA-në do të hapet rruga dhe mundësia për të goditur Serbinë me masa të cilat mund të jenë edhe më të ashpra sesa ndaj Kosovës”, ka deklaruar ai.

Sipas tij, takimet e fundit në Bruksel kanë treguar se ka paqartësi në procesin e dialogut.

“Për shkak që edhe lehtësuesit në këtë rast nuk bënë përpjekje për të përmbyllur një proces të suksesshëm, për të provuar për të gjetur një marrëveshje për kryeministrin e Kosovës dhe presidentin e Serbisë, por ishte një nga takimet e shkurta ku u pasqyrua një mospajtim dhe refuzim për të vazhduar përpara”, ka nënvizuar ai.

Në Bashkimin Evropian kanë bërë të ditur se heqja e masave ndëshkuese ndaj Kosovës, të vendosura shkaku i tensioneve në veriun e banuar kryesisht me serbë, është e varur nga ecuria e dialogut dhe nga konsultimet lidhur me to, që shtetet anëtare pritet të kenë gjatë javëve në vijim.

Të enjten e 14 shtatorit Kosova e Serbia nuk u pajtuan për sekuencimin e zbatimit të marrëveshjes të arritur në Bruksel dhe të aneksit të saj të dakorduar në Ohër.

Plani i Kosovës nuk u pranua nga Serbia e BE-ja. E për planin e konsensusit të prezantuar nga BE-ja, Kurti tha se ishte kushtëzim i zbatimit të gjithë marrëveshjes me Asociacionin e komunave me shumicë serbe dhe akomodim i kërkesave të Serbisë.

 

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments