Wednesday, November 27, 2024
HomeLajmeKosovaStano pas bisedimeve: Masat do të jenë aty – mund të lehtësohen,...

Stano pas bisedimeve: Masat do të jenë aty – mund të lehtësohen, por edhe të shtrëngohen

Zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano, ka thënë se ky union nuk është palë në dialogun në mes të Kosovës dhe Serbisë.

Duke qenë vetëm ndërmjetësues, sipas tij evropianët nuk mund të bëjnë diçka, pa u pajtuar Prishtina dhe Beogradi.

I pyetur se pse nuk ka masa edhe ndaj Serbisë, Stano ka theksuar se ato do të vendosen ndaj secilës palë që nuk kontribuon për shtensionim të situatës.

“Ka ende potencial për eskalim. Masat mund të kenë sukses për shtensionim. Masat ndaj Kosovës janë të përkohshme, të vendosura nga vendet anëtare që sipas tyre nuk duhet përdorur vetëm karrotën, por edhe shkopin”, ka thënë Stano në konferencë.

“Masat do të jenë aty për aq sa vlerësohet. Ato mund të lehtësohen, por edhe të shtrëngohen”.

Stano ndër të tjera ka shtuar se për takimin e djeshëm, i dërguari Miroslav Lajçak do t’i njoftojë të gjitha vendet anëtare të BE-së.

Ky deklarim i Stanos erdhi pas takimit të parë që Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, kishin që kur tensionet në veri të Kosovës u rritën në fund të majit.

Takimi i fundit mes bartësve të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë u zhvillua më 2 maj, – nëntë ditë pas zgjedhjeve të jashtëzakonshme në veri të Kosovës, të cilat janë bojkotuar nga popullata lokale serbe.

Kryetarët e rinj shqiptarë që dolën nga këto zgjedhje po kundërshtohen nga serbët lokalë. Hyrja e tyre në ndërtesat komunale në fund të majit, rriti tensionet të cilat u përshkallëzuan me dhunë më 29 maj në Zveçan, pas përleshjes së protestuesve serbë me pjesëtarët e misionit paqeruajtës të KFOR-it.

BE-ja dhe Shtetet e Bashkuara vazhdimisht i kanë kërkuar Kosovës dhe Serbisë që të ulin tensionet. Prishtinës i është kërkuar që të mundësojë mbajtjen e zgjedhjeve të reja, ndërkaq Beogradit që të inkurajojë serbët të marrin pjesë në votime.

Së fundi, Kosova ka paraqitur një udhëzim administrativ që u mundëson qytetarëve të largojnë kryetarët e komunave përmes një peticioni.

Kosova po ashtu po kërkon që të zbatohet Marrëveshja drejt normalizimit që arriti me Serbinë në shkurt në Bruksel. Në mars, në Ohër palët arritën pajtim për Aneksin e zbatimit të saj.

Në 11 nenet e marrëveshjes nuk përfshihet njohja reciproke për të cilën insiston Kosova, por kërkon nga Kosova dhe Serbia që t’i pranojnë dokumentet dhe simbolet e njëra-tjetrës, përfshirë: pasaportat, diplomat dhe targat.

Kosova dhe Serbia zhvillojnë bisedime që nga viti 2011. Kosova kërkon që në fund të procesit të arrihet një marrëveshje ku do të përfshihej edhe njohja reciproke, ndërkaq Serbia dëshiron një zgjidhje kompromisi-pa treguar se për çfarë kompromisi bëhet fjalë.

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments