Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës sot në orën 12:00 do të tubohen te selia e EULEX-it në Fushë Kosovë në shenjë proteste për bastisjet në shtëpitë ish-luftëtarëve, raporton Gazeta Sinjali.
Ushtruesi i detyrës së kryetarit të OVL-UÇK, Faton Klinaku, tha dje se Zyra e Prokurorit të Specializuar dhe EULEX-i janë duke i shqetësuar familjet e ish-pjesëtarëve të UÇK-së, duke dërguar pa paralajmërim njerëz për të cilët thotë se janë të panjohur e me kapela në kokë, për intervistime e duke ua konfiskuar edhe telefonat e tyre personal.
“Jeni dëshmitarë që Zyra e Prokurorit të Specializuar në Hagë dhe EULEX-i janë, duke i shqetësuar familjet e bashkëluftëtarëve tanë dhe familjet e dëshmorëve, duke dërguar pa paralajmërim njerëz të panjohur e me kapela në kokë, për gjoja intervistime e duke ua konfiskuar edhe telefonat e tyre personal. Kjo gjë kështu, siç po bëjnë këta të panjohur për ne, po bëhet në shtetin tonë sikur dikur në kohën e pushtuesit, dhe institucionet tona vetëm po heshtin”, tha Klinaku.
EULEX me urdhër të Dhomave të Specializuara ka sekuestruar telefonat personal të ish-komandantit të Zonës Operative të Llapit, Rrustem Mustafa – Remit, ish-të burgosurit politik, Nait Hasanit, vëllait të luftëtarit të UÇK-së, Sali Mustafës, si dhe ka bastisur shtëpinë e heronjve Fahri e Bahri Fazliu.