Wednesday, November 27, 2024
HomeLajmeAsnjë rezultat në dialog, krejt çka ndodhi dje në Bruksel

Asnjë rezultat në dialog, krejt çka ndodhi dje në Bruksel

Dallime të mëdha pati dje për rrugën drejt zbatimit të Marrëveshjes Bazë dhe normalizimin e marrëdhënieve mes dy vendeve kanë shfaqur kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në Bruksel.

Ndërmjetësi i takimit, shefi i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe të Sigurisë, Joseph Borrell, e ka fajësuar Kurtin se ka insistuar në njohjen reciproke, duke mos e pranuar propozimin e tij që palët të nisin paralelisht zbatimin e kërkesave. E Kurti ka deklaruar se kushtëzimi i Serbisë me Asociacionin e komunave me shumicë serbe tashmë është shndërruar në qëndrime të emisarëve Borrell dhe Lajçak

Asnjë rezultat në funksion të zbatimit të Marrëveshjes Bazë nuk ka prodhuar takimi i së enjtes në Bruksel midis kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Përderisa Kurti ka thënë se nuk ka mundur që ta pranonte kompromisin mes propozimit të tij me sekuencë dhe kushtëzimit të Serbisë për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, Vuçiqi ka insistuar te themelimi i këtij mekanizmi.

Përfaqësuesi i lartë i Bashkimit Evropian (BE) për Politikë të Jashtme dhe të Sigurisë, Joseph Borrell, ka fajësuar Kurtin për mungesën e kompromisit pasi që, sipas tij, është refuzuar propozimi që palët të nisin paralelisht zbatimin e kërkesave. Sipas Borrellit, Kurti ka kërkuar së pari njohje “de facto” nga Serbia, ndërsa Vuçiqi themelimin e Asociacionit.

“Ne kemi propozuar të zbatohen këto paralelisht, të sigurohet që të marrë diçka e të japë diçka. BE-ja dhe komuniteti i gjerë ndërkombëtar, përfshirë partnerët amerikanë, e shohin këtë si rrugë të vetme për të funksionuar zbatimi. Të dyja duhet të kenë garanci se veprimet shpërblehen, me masa nga pala tjetër. Jam munduar me Kurtin e Vuçiqin të gjej rrugën para, duke u bazuar në propozimin tonë. Për fat të keq, pas takimit të gjatë Kurti nuk ishte i gatshëm që të ecet para, të fillojë një proces kredibil për themelimin e Asociacionit. Ai insistoi të formalizohet njohja de facto si hap i parë”, ka thënë Borrelli, pas takimit trepalësh.

E kryeministri Kurti ka deklaruar se nuk mundet që pika e cila i referohet themelimit të Asociacionit të vendoset si “qerrja para kuajve”. Ai ka shtuar se në kushtëzimin e Vuçiqit kanë rënë edhe Borrelli dhe emisari evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak.

“E unë s’mund ta pranoja një gjë të tillë duke e cenuar Kosovën, kryeministër i së cilës jam. Edhe ky dokumenti i vjetër që paraqet dokumentin e kushtëzimit që një herë Asociacioni e pastaj shohim, e kemi në dorë e nuk kemi qenë në dijeni që ka pasur një të tillë. Ne kemi bërë një propozim. Secilin nen nga 11 sosh të Marrëveshjes, secilën fjali dhe pikë jam i gatshëm dhe i interesuar që ta zbatojmë një orë e më parë, në tërësi. Ta vendosësh Asociacionin në qendër është në kundërshtim me Marrëveshjen bazike që e kemi pranuar e lansuar më 27 shkurt dhe që është bërë pjesë e konkluzioneve”, është shprehur Kurti. Sipas tij, insistimi i Beogradit rreth Asociacionit është shndërruar në qëndrim të emisarëve Borrell-Lajçak.

“Nuk jemi në prillin e vitit 2013, kur në dhomë ndodheshin baronesha Ashton, këshilltari i saj Cooper dhe kryeministrat e asaj kohe, Hashim Thaçi e Ivica Daçiq. S’është marrëveshja e vitit 2013. Qartë, neni 10 i Marrëveshjes bazike thotë se duhet të zbatohen të gjitha marrëveshjet e mëhershme të dialogut në Bruksel të cilat janë të obligueshme dhe valide. Janë 39 sosh gjithsej. Nuk mundet nga neni 10 nga 39 marrëveshje të përzgjidhet një e të vendoset sikur qerrja para kuajve. Të bëhet edhe thelb, edhe parakusht. Një kushtëzim të tillë unë nuk e kam pranuar”, ka thënë Kurti para gazetarëve, teksa ka ndarë propozimin e që e ka paraqitur në takim.

Propozimi i Kurtit për sekuencimin e Marrëveshjes

Gjithçka nis me Deklaratën për të Zhdukurit, për të cilën Kurti ka thënë se është kompletuar nga të dyja palët. Dy pikat e tjera pasuese në këtë udhërrëfyes janë përfunduar nga Kosova, siç ka thënë Kurti në propozim. Bëhet fjalë për prezantimin e draftstatutit të Ekipit Menaxhues dhe prezantimin e draftstatutit te ndërmjetësit e dialogut.

Pika e radhës në këtë propozim është që përfaqësuesi i lartë i BE-së të ndajë marrëveshjet me sekretarin e përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara, që të dyja palët janë pajtuar me parimet e përcaktuara në Kartën e Kombeve të Bashkuara, për respektim të integritetit territorial dhe trajtim të palës tjetër si anëtare të barabartë të bashkësisë ndërkombëtare dhe zëvendësohet nevoja për përdorimin e asteriksit dhe përfaqësimin nga UNMIK-u.

Njohja e dokumenteve respektive dhe e simboleve kombëtare, përfshirë pasaportat, diplomat, targat, vulat doganore, janë në pikën e radhës të propozuar nga Kurti. Lansimi i procesit negociues mbi statutin e instrumentit të vetëmenaxhimit për serbët e Kosovës është në pikën pasuese që prek nenet 1, 7 dhe 10 të Marrëveshjes bazë. Në pikën e ardhshme propozohet që palët të zotohen për përmbajtje nga kërcënimi apo përdorimi i forcës apo i praktikave të tjera kundër njëra-tjetrës, në pajtim me Kartën e OKB-së. Aty po ashtu thuhet se palët i përmbahen parimit të mosndërhyrjes në punët e brendshme dhe njohin juridiksionin e ndërsjellë në territoret përkatëse.

“Marrëveshja zyrtarizon heqjen dorë formale të Serbisë nga të gjitha pretendimet territoriale ndaj territorit dhe kufijve të Kosovës dhe palët bien dakord për demarkacionin e kufirit në një periudhë dyvjeçare”, thuhet në propozim.

Si hap vazhdues në udhërrëfyes është paraparë marrja e hapave të rëndësishëm për aplikimin e Kosovës për anëtarësim në BE, anëtarësim në Këshill të Evropës, nënshkrimin e Partneritetit për Paqe me NATO-n dhe lëvizje drejt njohjeve. Po ashtu, aty thuhet që Serbia të zotohet se do t’i pushojë të gjitha kundërshtimet për anëtarësimin e Kosovës në çdo organizatë ndërkombëtare, duke e përjashtuar votën kundër, si dhe lobimin publikisht, direkt, tërthorazi ose konfidencialisht, duke përfshirë edhe palët e tjera për këtë qëllim. Në pikën e radhës flitet për konkludimin e negociatave për statutin e instrumentit të vetëmenaxhimit të serbëve të Kosovës. Kurse pika tjetër përcakton që Kosova dhe Serbia të zbatojnë bashkëpunim normal, fqinjësor të mirë dhe të angazhohen në komunikim të rregullt qeveri-qeveri për të vazhduar marrëdhëniet miqësore dypalëshe.

Të dyja palët, sipas propozimit, duhet të kenë sjellje të duhur ndërshtetërore dhe fjalori i zyrtarëve duhet të pasqyrojë frymën e Marrëveshjes bazë, përfshirë përmirësimin për t’iu referuar palëve si Kosovë dhe Serbi dhe për të ndalur referimin si Prishtinë e Beograd apo ndonjë emërtim tjetër. Të dyja palët marrin qëndrim miqësor dhe ndërpresin përpjekjet përçarëse apo minimin e palës tjetër në të gjitha fushat, përfshirë bojkotimin e ngjarjeve ndërkombëtare.

“Duhet të përfundojë edhe përdorimi i pabarazisë në nivele dypalëshe a shumëpalëshe – duke i dhënë fund përdorimit të fusnotës”, shkruan në propozim.

Vuçiqi kërkon që gjithçka të nisë me Asociacionin

Ndërkaq presidenti serb, Vuçiq, ka përsëritur se Kurti po refuzon që ta zbatojë marrëveshjen për të cilën ka dakordim që prej 19 prillit të vitit 2013.

“Sa i përket rrjedhës, nuk ka pasur shumë gjëra të këndshme, por shumë gjëra të pakëndshme. Logjikisht, të gjithë po luftojmë për të veten. Është e qartë se Kurti po i shmanget formimit të Asociacionit. Serbia nuk po u ikën detyrimeve të saja, por ne i folëm si është dhe BE-ja se si duhet ecur gjërat. Dhe ne e pranuam një propozim të tillë, pavarësisht se nuk ishte i lehtë, por Kurti e refuzoi dhe kështu përfundoi çdo gjë”, ka thënë Vuçiqi.

Ai ka shtuar se Asociacioni duhet të formohet duke u bazuar në marrëveshjet e vitit 2013 dhe 2015.

“Kemi pasur disa marrëveshje me Prishtinën, e para, baza ishte Marrëveshja e Brukselit që e arritëm më 19 prill, 2013. Kjo është diçka që nga fillimi kemi insistuar, ishte letër e nënshkruar nga dyja palët, më pas kishim planin e zbatimit dhe të parimeve që jemi pajtuar më 2015. Të dyja palët i kanë nënshkruar këto dokumente. Është diçka që kemi insistuar nga fillimi. Kemi pranuar çdo gjë që jemi pajtuar më vonë, në vitet në vijim, veçanërisht këtë vit. Por, duhet të fillojmë me zbatimin, e çdo gjë duhet të nisë me Asociacionin. Por, pala tjetër s’do ta zbatojë. Është rreth vicioz, duke pritur të njëjtën çështje”, ka thënë Vuçiqi.

Dorëheqja e kryetarëve në veri, rreziku për rikthim të tensioneve

Temë diskutimi në takimin trepalësh ka qenë edhe situata në veriun e Kosovës, të banuar kryesisht me serbë.

Shefi i BE-së, Borrell, ka thënë se ndonëse Kosova ka bërë hapa përpara drejt shtensionimit, “megjithatë nuk i ka plotësuar të gjitha kushtet”. Kësisoj, BE-ja nuk ka dhënë sinjale drejt heqjes së masave sanksionuese, të cilat i ishin vendosur Kosovës pas tensioneve në veri. Ndryshe nga seç është përcaktuar Qeveria e Kosovës, Borrelli ka vlerësuar se dorëheqjet e kryetarëve në Mitrovicë të Veriut, Leposaviq, Zubin-Potok e Zveçan janë rrugë më e mirë dhe më e shpejtë për zgjedhjet e reja në veri. Qeveria tashmë e ka miratuar udhëzimin administrativ që e hap rrugën për shkarkimin e kryetarëve aktualë nëpërmjet peticionit. Për t’u konsideruar i pranueshëm shkarkimi i kryetarëve, duhet votuar 50 për qind e qytetarëve me të drejtë vote. Por deri tash nuk ka një iniciativë për shkarkimin e kryetarëve, të cilin duhet ta iniciojnë së paku 20 për qind e qytetarëve më të drejtë vote të komunës përkatëse.

“BE-ja e sheh dorëheqjen e kryetarëve që janë zgjedhur nga vetëm 3 për qind e popullatës si rruga më e shpejtë dhe më e mirë që të mundësohen zgjedhjet e reja. Procedura tjetër për të kërkuar largimin nëpërmjet peticionit është tepër e gjatë dhe e pasigurt. Serbët e Kosovës po ashtu duhet të tregojnë konstruktivitet e të angazhohen pa kushte në procesin elektoral. Duhet të marrin pjesë në zgjedhje. E mirëpres garancinë që e mora nga presidenti Vuçiq në këtë. Nëse nuk ka përparim në zgjedhje, rreziku i përshkallëzimeve të reja do të vazhdojë”, ka theksuar Borrell.

Ai ka shtuar se duhet të merren hapa të menjëhershëm nga të dyja palët për të mos pasur përshkallëzime të tjera në veri. Borrelli po ashtu ka thënë se do t’i njoftojë shtetet anëtare të BE-së për rezultatin e takimit dhe se më pas do të vendoset për hapa të mëtutjeshëm.

Marrëveshja për normalizimin e marrëdhënieve, sipas propozimit të BE-së, është arritur më 27 shkurt në Bruksel, ndërsa për Aneksin e zbatimit të saj palët janë dakorduar më 18 mars në Ohër. Kjo marrëveshje parasheh zgjidhjen e shumë çështjeve të hapura ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Porse ngeli në plan të dytë pas tensioneve në veri të Kosovës në fund të majit. Në kundërshtim të vendosjes së kryetarëve shqiptarë në objektet komunale, protestues të dhunshëm serbë sulmuan pjesëtarët e Policisë së Kosovës, KFOR-in dhe gazetarët.

 

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments