Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, i kanë realizuar shtatë takime brenda dy vjetësh, në kuadër të dialogut të ndërmjetësuar nga Brukseli. Takimi i tetë pritet sot. Por, dy udhëheqësit janë çuar nga tavolina e bisedimeve pa nënshkruar ndonjë marrëveshje.
Për herë të parë pas më shumë se katër muajsh, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, takohen sot në Bruksel, në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve.
Bashkimi Evropian, si ndërmjetësues i procesit, ka njoftuar se takimet nisin nga ora 09:00.
Fillimisht, shefi i politikës së jashtme të BE-së, Josep Borrell, dhe i dërguari i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, presin njërin përfaqësues, pastaj tjetrin.
Takimi trepalësh do të mbahet më vonë gjatë ditës dhe temë diskutimi do të ketë zbatimin e Marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve, e arritur gojarisht mes Kurtit dhe Vuçiqit në muajin shkurt.
Kjo marrëveshje me 11 nene parasheh, mes tjerash, një nivel të vetëmenaxhimit për komunitetin serb në Kosovë; kërkon nga Kosova dhe Serbia që t’i pranojnë dokumentet dhe simbolet e njëra-tjetrës, dhe i obligon ato që të mos e pengojnë njëra-tjetrën në proceset integruese.
Kurti dhe Vuçiq, sipas agjendës që ka publikuar BE-ja, do të diskutojnë edhe për “çështjet aktuale”.
Shtetet e Bashkuara u kanë bërë thirrje që t’i marrin seriozisht obligimet e tyre.
Përballje në kohë tensionesh
Takimi vjen në kohën e tensioneve të larta në veri të Kosovës, ku jetojnë rreth 50.000 serbë dhe përbëjnë shumicën lokale.
Situata atje është acaruar qysh nga fundi i majit. Atëkohë, grupe serbësh kanë nisur protestat për të kundërshtuar vendosjen e kryetarëve shqiptarë – nën përcjelljen e policisë – në zyrat e komunave në veri.
Këta kryetarë kanë dalë nga zgjedhjet e jashtëzakonshme të prillit që janë mbajtur në Mitrovicë të Veriut, Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq, por që janë bojkotuar nga popullata lokale serbe.
Protestat në zonë janë shndërruar disa herë në përleshje të dhunshme – më të rëndat kanë qenë më 29 maj, kur dhjetëra ushtarë të misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR, kanë mbetur të plagosur.