Deputeti i Kuvendit nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Shemsedin Dreshaj, përmes një konference për shtyp ka numëruar problemet me të cilat po përballet shëndetësia në vend.
Dreshaj ka thënë se është dyfishuar buxheti për shëndetësinë ndërsa problemet mbesin të njëjta dhe po shtohen dita ditës.
“Shëndetësia sot me buxhet të dyfishuar vazhdon me probleme të njëjta dhe të cilat po shtohen disa ditës. Thuajse nuk ka dotë që nuk jemi në media për probleme, dështime e skandale nga më të ndryshmet. Premtimet e dhëna lidhur me shërbime cilësore në shëndetësi ende vazhdojnë, ndërsa ende vazhdojnë problemet e vjetra si: ikja e personelit profesional shëndetësor, lista e barnave esenciale me probleme të njëjta, lista e pritjes në rritje e sipër, si në aspekton diagnostik dhe terapeutik, si psh në Ortopedi ka pacient që për protezë të gjurit presin deri në 4 vite, shërbimet emergjente si Stroke Center nga 24 orë funksionale në vetëm 4 orë, nga ora 13:00 çdo ditë të rregullt pune rrezikon që periudha e intervenimit efikas prej 4 orë të humbet”, ka thënë Dreshaj.
Dreshaj ka thënë se tri ligje madhore që janë shtylla të shëndetësisë janë ende askund.
“Tre ligje madhore që janë shtylla e shëndetësisë të premtuara në agjendën legjislative nga viti 2021, ende askund. • Ligji për shëndetësi (qe dy vite zhagitet në agjendën legjisative të Kuvendit), •Ligji për Sigurime Shëndetësore askund madje as forma si të bëhen nuk është në vizion, • Ligji për Sigurimet sociale njëjtë (sigurimet shëndetësore, sigurimet jetësore, pensionale, invalidore, pensionet e parakohëshme) ende nuk kemi një formë të prezantuar; a do të jetë gjenerata për gjeneratë apo ndonjë formë tjetër •Jemi shteti i vetëm në rajon dhe Evropë pa sigurime shëndetësore”, është shprehur deputeti Dreshaj.
Ai ka kërkuar nga mediat, shoqëria civile, partitë politike, profesionistë e inteleltualë që të mobilizohen dhe të kërkojnë veprime konkrete që përmirësojnë shëndetësinë në vend.
“Shëndetësia është keq. Intervenimet duhet të jenë urgjente dhe të drejta. Qëllimi i kësaj konference është ftesë për mediat, shoqërinë civile, partitë politike në pozitë e opozitë, intelektualët dhe strukturat tjera vendore me influencë që të mos heshtin, të mos rrinë duar kryq por të mobilizohen dhe të kërkojnë urgjentisht veprime. Ky është shtet i yni”, ka thënë ai.
Dreshaj ka dhënë disa këshilla se si të dilet nga kjo situatë e rënduar shëndetësore. “Nga kjo situatë ka dalje. Duhet urgjent që:
•Shëndetësia prioritet (buxhet dhe mbështetje)
• Kompetentë në vendimarrje
• Kompentecë dhe përgjegjësi për menxherë në secilin nivel.
• Politika të jetë mbështetëse e jo të pengojë me vendime politike dhe nominime të të dëgjueshmëve dhe të pa dëshmuarëve.
•Të bëhet ndarja strikte mes shërbimit shtetëror shëndetësor dhe atij privat.
• Sigurimet shëndetësore
• Të largohen eksperimentet dhe improvizimet”, ka thënë deputeti i AAK-së.
Ai ka bërë thirrje që të ndalen eksperimentet në shëndetësi. “Ju përkujtoj se shëndetësia është shkencë, nuk është politikë, ka hierarki të definuar profesionale, arsimore dhe përgjegjësi bazuar në thirrje”.
“Mjaftë me eksperimente të padëshmuara në shëndetësi. Eksperimentet e padëshmuara janë avanturë, që çdo herë rezultojnë me dështim”, ka përfunduar Dreshaj.