Sunday, November 24, 2024
HomeLajmeKosovaGjykimi për vrasjen me 14 plumba në Gjilan, dje u shikuan video-incizimet...

Gjykimi për vrasjen me 14 plumba në Gjilan, dje u shikuan video-incizimet e ditës kritike

Në seancën e së hënës në Gjykatën Themelore në Gjilan, në gjykimin ndaj të akuzuarve Lirim Jakupi, Afrim Ismajloviq dhe Faton Osmani, të cilët ngarkohen për vrasjen e B.V., janë shikuar video-incizimet e vendit të ngjarjes.

Pas shikimit të video-incizimeve, dëshmitarët kanë bërë idenfikimin e të akuzuarve Jakupi dhe Ismajloviq në videot që iu shfaqën, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Fillimisht, dëshmitari Sahit Qerimoviq, pasi shikoi video-incizimet identifikoi të akuzuarit Lirim Jakupi dhe Afrim Ismajloviqin.

Më pas, dëshmitarja- e dëmtuara Ismete Veseli (bashkëshortja e tani të ndjerit B.V), në video-incizime identifikoi të akuzuarin Lirim Jakupi, ndërsa tha se personin tjetër nuk e njeh.

Kurse, dëshmitarja Lutfije Veseli, e cila fillimisht identifikoi të akuzuarin Lirim Jakupi, për personin tjetër tha se në Prokurori ka thënë se nuk e njeh dhe nuk është familjar i tyre, por se kur e kishte parë në Gjykatë e kishte parë se ka kontruktin e trupit të të akuzuarit Afrim Ismajloviq.

“Personi që erdhi i pari në vend të ngjarjes, që ka fillu me shtënë është Lirimi, me të dy duart e ka kapë armën dhe i duken duart, kur fillon me ikë i pari Lirim Jakupi shifet edhe konstrukti i trupit të tij edhe tu dalë i rrotullohet kama, ndërsa personi tjetër është Afrim Ismajloviqi, edhe këtij i duket veshi dhe pjesa e faqes nën nofull”, tha ndër të tjera ajo.

Paraprakisht, u dëgjua dëshmitarja Mirvete Ismajloviq (bashkëshortja e të akuzuarit Afrim Ismajloviq), e cila tha se qëndron pranë deklaratës së dhënë në shqyrtimin gjyqësor të 18 prillit 2023.

“Ёshtë e vërtetë se te Albi Mall së bashku me bashkëshorten e Lirim Jakupit dhe fëmijët tanë, ditën kritike kemi dalë të Albi Mall- Prishtinë, dhe aty kemi bërë fotografi. Unë kam harru se kush i ka shkrepë ato fotografi, unë apo djali, sepse ka kaluar një kohë. Fotografitë janë shkrepë me telefonin tim, nuk e di saktë orën se sa ka qenë”, tha dëshmitarja Ismajloviq.

Ajo shtoi sërish se nuk e di nëse fotografitë i ka shkrepur vetë apo ia ka dërguar dikush.

Në këtë seancë, mungoi dëshmitari Sabit Veseli, i cili sipas informatave të përfaqësuesit të të dëmtuarve, avokatit Elmi Qerimi, ky dëshmitar ndodhet ende në paraburgim në Serbi.

Meqenëse nuk ishte i pranishëm në seancë, gjykata mori vendim që të lexohet deklarata e tij e dhënë në Prokurori më 2 shkurt 2021.

Pasi ishte fundit i orarit të punës, gjykatësi Naser Maliqi ndërpreu seancën e sotme, ndërsa e radhës u caktua për 18 shtator 2023.

Ndryshe, sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Gjilan, të ngritur më 30 shtator 2022, Lirim Jakupi dhe Afrim Ismajloviq akuzohen se më 12 shtator 2021, rreth orës 19:42 minuta, në kafenenë “Cafe Bar “Premium” në rrugën “Villiam Shekspir” në Gjilan, pas një përgatitje paraprake, me dashje dhe në bashkëveprim, kanë privuar nga jeta tani të ndjerin B.V., nga Gjilani dhe kanë vënë në rrezik me dashje jetën e disa personave tjerë që kanë qenë në kafene dhe afërsi të tani të ndjerit.

Aktakuza thotë se bashkërisht kanë ardhur me veturën e markës “Audi A3”, të cilën po e drejtonte tani i pandehuri i tretë Faton Osmani, ndalen tek marketi “Korqa” dhe nga automjeti dalin dy të pandehurit të armatosur me armë dhe nisen në drejtim të kafenesë dhe me të arritur në vendin e ngjarjes, i afrohen në shpejtësi tani të ndjerit B.V, i cili ishte në shoqëri edhe me dy persona të tjerë ulur në karrige dhe po bisedonin, dhe me atë rast aty me shpejtësi arrijnë dy të pandehurit me armë në dorë dhe nga distanca prej rreth një metër, i pari shtie i pandehuri me pistoletë të kalibrit 9 mm, duke i zbrazur tetë fishekë dhe në vazhdim edhe i pandehuri tjetër, me revole të kalibrit 7.65 mm, duke e goditur me gjashtë plumba, në pjesë vitale të trupit.

Sipas aktit akuzues, tani i ndjeri nuk iu mbijeton plagëve dhe vdes menjëherë në vendin e ngjarjes, kurse të pandehurit pas kryerjes së vrasjes largohen me shpejtësi, shkojnë te vetura që ishte duke i pritur dhe nga aty ikin në drejtim të lagjes “Arbëria”, ku i pandehuri Lirim Jakupi, ka shtëpinë e vet.

Me këtë, Lirim Jakupi dhe Afrim Ismajloviq ngarkohen se kanë kryer veprën penale “Vrasje e rëndë”, nga neni 173, paragrafi 1, nënparagrafi 1.5 lidhur me nenin 31 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).

Sipas dispozitivit të dytë të aktakuzës, në datë, kohë dhe vend ashtu siç është përshkruar në dispozitivin e parë të kësaj aktakuze, të pandehurit Jakupi dhe Ismajloviq ngarkohen se kanë siguruar dhe mbajtur në pronësi në mënyrë të paautorizuar dy armë zjarri- pistoleta, njëra e kalibrit 9 mm, dhe tjetra e kalibrit 7.65 mm, me të cilat në bashkëveprim kane kryer veprën penale të vrasjes së rëndë, të tani të ndjerit B.V.

Me këtë, dy të akuzuarit ngarkohen me veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” nga neni 366 par.1, të KPRK-së.

Kurse sipas dispozitivit të tretë të aktakuzës, i pandehuri Faton Osmani akuzohet se më 12 shtator 2021, rreth orës 19:42, në kafenenë “Cafe Bar Premium” në rrugën “Villiam Shekspir” në Gjilan pas një përgatitje paraprake, me vetëdije të plotë dhe dashje ka ndihmuar të pandehurit Lirim Jakupi dhe Afrim Ismajloviq, në kryerjen e vrasjes së rëndë të tani të ndjerit B.V.

Gjithnjë sipas aktakuzës, i pandehuri Osmani me automjetin e vet të markës “Audi A3”, para aktit të vrasjes, si drejtues i automjetit dhe me dy të pandehurit Lirimin dhe Afrimin si pasagjerë, me automjet bëjnë xhiro në rrugën e parkut të qytetit, aty në kafenenë “Premium” e vërejnë tani të ndierin B.V dhe të njëjtit pa u ndalur, vazhdojnë rrugën deri te rrethrrotullimi përballë Teatrit të qytetit, lëvizin në rrugën në drejtim të Ferizajt, te rrethi përballë Spitalit Regjional, kthehen në drejtim të lagjes së “Kamnikut”, të rrugëkryqi kthehen në të majtë në drejtim të Stacionit të autobusëve dhe në afërsi të marketit “Korqa”, aty e ndal automjetin.

Sipas aktakuzës, nga automjeti dalin dy të pandehurit, i pari Lirimi e pas tij edhe Afrimi, të cilët nisen në këmbë dhe shkojnë te kafeneja “Premium”, aty në bashkëveprim e privojnë nga jeta tani të ndjerin B.V, dhe pas kësaj ikin në drejtim të Stacionit të autobusëve dhe shkojnë e hipin në automjet ku ishte duke i pritur i pandehuri Faton Osmani, i cili e kthen automjetin në drejtim të kundërt nga kishte ardhur, dhe te udhëkryqi në lagjen e Kamnikut, kthen në të majtë vazhdon rrugën dhe kyçet ne rrugën e Zabelit, dhe nga aty lëvizë në drejtim të lagjes “Arbëria”, aty të pandehurit Lirimi dhe Fatoni, kanë shtëpitë e tyre.

Në këtë mënyrë, aktakuza thotë se i pandehuri me veprimet e veta ka ndihmuar në kryerjen e veprës penale para dhe pas kryerjes së veprës penale të vrasjes.

Me këtë, Faton Osmani akuzohet se kryer veprën penale “Ndihmë në kryerjen e veprës penale Vrasje e rëndë” nga neni 173, par. 1 nënpar. 1.5 lidhur me nenin 33 të KPRK-së.

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments