NATO po përgatit stërvitjen më të madhe që prej Luftës së Ftohtë, që do të mbahet vitin e ardhshëm, duke grumbulluar mbi 40 mijë trupa për të praktikuar se si Aleanca do të zmbrapste një agresion eventual të Rusisë ndaj një prej vendeve anëtare të saj.
Stërvitja e koduar “Mbrojtësi i Palëkundur” vjen në kuadër të përpjekjeve të shpejta të NATO-s për t’u transformuar nga një njësi reagimi ndaj krizave në një aleancë luftarake, e nxitur edhe nga pushtimi i Ukrainës.
Stërvitja do të nisë në vjeshtë të vitit të ardhshëm dhe pritet të mbajë deri në 700 misione ajrore, si dhe të përfshijë 50 luftanije dhe rreth 41 mijë trupa tokësore, kanë deklaruar zyrtarë të NATO-s, të cituar nga “Financial Times”. – Advertisement –
Ajo është projektuar që t’u japë formë manovrave ndaj armikut, bazuar në modelin e koalicionit të udhëhequr nga Rusia, i quajtur “OCCASUS”.
Stërvitja është gjithashtu e para në aspektin e testimit të kapaciteteve teknike, me përdorimin e të dhënave reale gjeografike për të krijuar skenarë sa më realistë për trupat.
Suedia, aplikimi i të cilës për në NATO duhet ende të ratifikohet nga Turqia dhe Hungaria, do të marrë gjithashtu pjesë duke e çuar numrin e vendeve pjesëmarrëse në 32.
Procesi do të zhvillohet në Gjermani, Poloni dhe vendet Baltike në muajt shkurt dhe mars dhe do të formojë një strategji të re stërvitjeje, që do të angazhojë trupat e Aleancës në dy stërvitje masive në vit dhe jo më një të vetme.