Kryetari i kryeqytetit, Përparim Rama ka vendosur që të shtyjë ekzekutimin e vendimit për mbylljen e disa rrugëve.
Përmes një kërkese drejtuar drejtorëve të Komunës, Rama ka kërkuar që të ndërmerren të gjitha masat për zbatimin e aktvendimit të Gjykatës Komerciale të Kosovës lidhur më këtë rasti.
“Të nderuar drejtor, kërkoj nga ana e juaj që të ndërmerrni të gjitha masat dhe veprimet për zbatimin e Aktvendimit KA.nr.357/23 të Gjykatës Komerciale të Kosovës me të cilin ëhstë vendosur që të shtyhet ekzekutimi i Vendimit me nr.14-020/05-171446/23 i datës 18.08.2023 i nxjerrë nga kryetari i Kryeqytetit”, thuhet në kërkesën e Ramës drejtuar drejtorëve komunal.
Madje, Rama ka kërkuar që të njoftohen edhe operatorët ekonomik që të mos kryejn ndonjë punë deri në një vendimmarrje tjetër nga ana e Komunës duke marrë parasyshë edhe konstatimet e Gjykatës.Ndryshe të premten paradite, Qendra për Ndihmë Juridike Falas e Institutit të Kosovës për Drejtësi (QNJ-IKD), në emër të banorëve të rrugës “Rexhep Luci” i ka dërguar kërkesë kryetarit Rama për zbatimin e vendimit të Gjykatës Komerciale për shtyrjen e ekzekutimit të vendimit.
“Në këtë drejtim, në emër të banorëve të lagjes “Rexhep Luci”, QNJ-IKD, përmes këtij e-maili parashtron kërkesë për Kryetarin e Komunës së Prishtinës, që të bëjë ekzekutimin e Aktvendimit KA.nr.357/23 të Gjykatës Komerciale të Kosovës, me të cilin është vendosur që “SHTYHET ekzekutimi i Vendimit me NR. 14-020/05-171446/23 i datës 18.08.2023, i publikuar më 21.08.2023, i nxjerrë nga Kryetari i Kryeqytetit të Kosovës, derisa Gjykata të vendos me vendim përfundimtar gjyqësor përkitazi me padinë e paditësit”, thuhej ndër të tjera në kërkesën e QNJ-IKD.
Kujtojmë se Gjykata Komerciale e ka aprovuar si të bazuar kërkesën e Grupit “Koha”, për të shtyrë ekzekutimin e vendimit të Komunës së Prishtinës, i nxjerrë nga kryetari Përparim Rama më 18 gusht 20223, me të cilin parashihej mbyllja e rrugëve/rrugicave të cilat kalojnë/dërgojnë në parkun e Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina” dhe Bibliotekës Kombëtare nga 1 shtatori, derisa Gjykata të vendos me vendim përfundimtar gjyqësor përkitazi me padinë e paditësit.
Vendimi të cilin e ka siguruar “Betimi për Drejtësi’, është marrë më 30 gusht nga gjyqtarja Vlora Pacolli-Rexhepi.
Ndryshe, Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) më 26 gusht ka reaguar, duke vlerësuar se është i paligjshëm vendimi i kryetarit Rama për mbylljen e disa rrugëve në qendër të kryeqytetit, përfshirë rrugën e vetme për t’iu qasur me automjete dy mediave kombëtare.
IKD-ja i ka rekomanduar Komunës së Prishtinës që ta anulojë vendimin e datës 18 gusht dhe para nxjerrjes së vendimit të ri lidhur me këto rrugë, të zhvillojë konsultime publike cilësore si dhe të nxjerrë vendim të arsyetuar, ashtu siç kërkohet me ligj.