Policia e Kosovës gjatë ditës së djeshme ka kryer bastisje në një shtëpi në komunën e Zveçanit, ku ka gjetur dhe sekuestruar një sasi të madhe të armëve, fishekëve, granatave dore dhe eksplozivëve. Lidhur me rastin janë identifikuar dy persona të dyshuar, mirëpo të njëjtit ende nuk janë kapur nga organet e rendit, raporton Gazeta Sinjali.
Sinjali mëson ekskluzivisht se të dyshuarit janë dy qytetarët e nacionalitetit serb, Sava Gvozdiq dhe Radosh Gvozdiq.
Në një konferencë për media, drejtori i Policisë së Kosovës për rajonin e veriut, Veton Elshani, tha dje se Policia ka arritur të gjeje katër pushkë automatike, karikatorë, eksploziv, granata dore, municion dhe gjëra të tjera.
“Për momentin nuk mund të them shumë sepse është duke u zhvilluar një hetim nga Drejtoria për Krime të rënda, por duke marrë parasysh numrin, sasinë dhe llojin e armëve ka mundësi që ky vend të jetë edhe depo”, tha ai.
Këtë rast, Elshani e quajti interesant për t’u hetuar, sepse sipas tij në mesin e armatimit janë gjetur edhe kallashnikovë dhe municion të kalibrit 5X56, i cili përdoret edhe nga forcat e NATO-s.
Për këtë aksion gjatë ditë ka njoftuar edhe ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla.
Sveçla ka bërë të ditur në një postim në Facebook se kjo shtëpi është përdorur për grumbullim dhe shpërndarje të armatimit për grupet kriminale serbe.
Ndërsa kryeministri i vendit, Albin Kurti, ka thënë se armët kanë pasur të shpërndahen te bandat e dhunshme në atë pjesë të Kosovës.
”Një tjetër fitore për shtetin ligjor dhe organet e sigurisë. Sot Policia e Kosovës në prani të trupave të KFOR-it bastisi një depo armësh në Zveçan që ishte përdorur për të kontrabanduar armë në Kosovë dhe për t’ua shpërndarë ato bandave të dhunshme. U konfiskuan armë ushtarake si pushkë automatike, granata dore dhe eksplozivë“, ka shkruar Kurti të martën.
Kujtojme se përveç aksioneve kundër mallrave kontrabandë, autoritetet në të kaluarën kanë kryer aksione në veri edhe kundër kriptovalutave, mihja e të cilave është ilegale në Kosovë.
Situata në veri të Kosovës në fund të majit u tensionua, pasi banorët lokalë kundërshtuan kryetarët e rinj shqiptarë.
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.