Përderisa, sipas institucioneve komunale, eksponatet ishin larguar më herët dhe ndërtesa do të rindërtohej në vitin që vjen, anëtarë të Qeverisë kanë akuzuar Komunën për këtë rast. Kanë reaguar edhe institucionet qendrore. E Muzeu i Muzikës në Gjakovë para se të kaplohej nga zjarri ishte vandalizuar tërësisht. Autoritet komunale janë zotuar për rindërtim
Ndërtesa e Muzeut të Muzikës në Gjakovë të mërkurën mbrëma ka hyrë në kapitullin e fundit të shkatërrimit: është kapluar nga zjarri. Historia e shkatërrimit të kësaj ndërtese nuk është e re. Por demolomi i saj pothuajse i tërësishëm është arritur të mërkurën nga zjarri masiv.
Përderisa, sipas institucioneve komunale, eksponatet ishin larguar më herët dhe ndërtesa do të rindërtohej në vitin që vjen, anëtarë të Qeverisë kanë akuzuar Komunën për këtë rast. Kanë reaguar edhe institucionet qendrore.
Rastet kur monumentet përfshihen nga flakët nuk janë të rralla. Por, sipas Policisë në Gjakovë, hetimet për zjarrin në monumentin e mbrojtur me ligj kanë nisur menjëherë. E shkatërrimi i qëllimshëm i trashëgimisë kulturore është vepër penale.
“Është njoftuar prokurori, hetimet janë në fazën fillestare, ende nuk kemi indicie as dyshimet mbi shkaqet e zjarrit. Mbetet të pritet raporti i ekspertit të zjarreve, ndërsa hetimet do të zhvillohen nga Sektori rajonal i hetimeve”, ka thënë Policia.
Shumica e instrumenteve ishin larguar. Këtë e kishte konfirmuar KOHA në janar të këtij viti gjatë raportimit për vandalizimin dhe shkatërrimin e ndërtesës. Aty tërësisht jofunksionale kishte mbetur pianoja e akademik Rauf Dhomit. Por, sipas kryetarit të Komunës së Gjakovës, Ardian Gjini, edhe ajo është larguar. Të njëjtin version e ka dhënë edhe vetë akademik Rauf Dhomi.
Kryetari i Komunës së Gjakovës, Ardian Gjini, ka qenë i prerë sa u përket eksponateve.
“Nuk ka pasur artefakte, përfshirë pianon që ka shkuar në shkollën e muzikës ‘Prenkë Jakova’”, ka thënë ai. Në janar pianoja në të cilën akademik Rauf Dhomi kishte kompozuar operën e parë të Kosovës “Goca e Kaçanikut” nuk kishte asnjë çelës. Gjendja e saj ishte e rëndë.
“Me sa di, ka qenë shumë e dëmtuar dhe pjesët që kanë qenë në gjendje më të mirë janë marrë nga shkolla e muzikës ‘Prenkë Jakova’”, ka thënë akademik Dhomi të mërkurën vonë. Sa i përket shkatërrimit dhe kaplimit nga zjarri të ndërtesës, ai ka thënë se nuk mund ta marrë me mend se çfarë po ndodh ndaj trashëgimisë muzikore të Gjakovës.
Siç ndodh rrallë, pas djegies së Muzeut në Gjakovë ka reaguar edhe Muzeu Kombëtar i Kosovës.
Institucioni më i lartë muzeor në vend ka shprehur indinjatën për djegien e Muzeut të Muzikës në Gjakovë dhe ka dënuar këtë akt të dhunës ndaj trashëgimisë kulturore.
“Me gjithë përpjekjet e institucioneve, funksionalizimi i këtij Muzeu, i cili do të duhej të vinte në pah vlerat e përgjithshme të ndërtesës, e mbi të gjitha ngritjen e vlerave të muzikës së mirëfilltë qytetare gjakovare, po vazhdon të sfidohet. Në koordinim dhe përmbushje të obligimeve ligjore, profesionale dhe muzeore jemi të gatshëm t’u përgjigjemi edhe këtyre emergjencave, fatkeqësisht”, shkruhet në reagimin që ka bërë Muzeu në Facebook.
Ndërtesa që gjendet në qendër të Gjakovës, e njohur ndryshe edhe si “Tabhane”, qe inauguruar në vitin 2016. Asokohe ishte menduar që kati përdhes t’i jepej në shfrytëzim ndonjë sipërmarrësi në këmbim që poseduesi i biznesit të kompensonte mirëmbajtjen e Muzeut. Sipas kryetarit aktual të Gjakovës, Ardian Gjini, deri në vitin 2017 ka funksionuar një sipërmarrës dhe të njëjtit i është ndërprerë kontrata në kohën kur Komuna udhëhiqej nga Mimoza Kusari.
“Prej 2019 kemi dështu me dhonë me qira. Më 2022 e kemi dhënë në shfrytëzim, por operatori ka dështuar ta hapë dhe i është shkëputur kontrata. Ka shkuar me procedurë përmbarimore”, ka sqaruar ai për KOHËN.
Sipas kryetarit Gjini, në pranverë, në Asamble e kanë nxjerrë vendimin për ridhënie në shfrytëzim të katit përdhes pasi bëhet fjalë për pronë komunale.
“Prej Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal na e kanë kthyer vendimin me pretekst se nuk është në regjistrin e provave që jepen në shfrytëzim. Ne kemi thënë se nuk ishte në regjistër pasi veç ka qenë e dhënë në shfrytëzim njëherë. Prapë na e kanë kthyer negativisht. Sipas atij vlerësimi, është dashur të pritej deri në dhjetor që të futej në listën e pronave për dhënie në shfrytëzim”, ka sqaruar Gjini.
Ai ka dhënë edhe një zotim. “Sipas projektit që ekziston do ta buxhetojmë shpejt dhe do ta rindërtojmë ndërtesën me të njëjtin destinim”, ka thënë Gjini.
Siç ndodh rëndom, edhe në këtë rast kanë shpërthyer akuzat ndaj pushtetit lokal.
Ali Tafarshiku, që ishte pjesë e kabinetit të ish-kryetares së Gjakovës, Mimoza Kusari, kur ishte inauguruar Muzeu, tash zëvendësministër i Ministrisë për Zhvillim Ekonomik, ka thënë se udhëheqja aktuale e Komunës duhet të turpërohet pasi “Gjakova nuk ua ka me borxh zhdukjen e vlerave të saj”.
“Veç pak me funksionu drejtësia në këtë vend, sonte do të ishit prapa grilave. Ju kam paralajmëruar qe sa mbledhje të Asamblesë, por e vendosët me ua lënë ‘dostave’ të Aleancës.
E tash çka, e shkatërruat një trashëgimi me vlera, sipas gjitha gjasave, me e ndërtu ndonjë banesë”, ka shkruar ai në Facebook. Nuk e ka lënë me kaq.
“Turpi ju mbuloftë dhe mos u arsyetoni në raportin e policisë që hetimet vazhdojnë sepse, sipas meje, personi i parë i arrestuar do të ishe ti, Ardian Gjini, për neglizhencën e treguar ndër vite ndaj këtij objekti”, ka shkruar ai. Por, sipas kryetarit Gjini, këto akuza janë pafytyrësi.
“Është tepër e ulët dhe fëmijërore. Nuk dua të merrem me të. Është pafytyrësi të flitet ashtu”, ka thënë Gjini.
Muzeu i Muzikës në Komunën e Gjakovës i inauguruar para jo më shumë se shtatë vjetëve qysh në janar ishte buzë demolimit të tërësishëm në hapësirat e brendshme.
Dyer të thyera e të rrëzuara përtokë, dritare të shkëputura komplet nga muret e ndërtesës, mbeturina të shpërndara e shkallët e papërfunduara ishin pamjet që e karakterizonin Muzeun e Muzikës në Gjakovë, të njohur edhe si “Tabhane” Në objektin që më parë u ka bërë strehë veglave të ndryshme muzikore, si sharkisë së Ymer Rizës, harmonikës së gjurit të Malush Stubllës, apo kontrabasëve të shoqërive kulturore “Hajdar Dushi” e “Ganimete Tërbeshi”, mund të shihej një katrahurë, tollovi e bërllok.
Gjendje më e mirë nuk është as në oborr e as në katin përdhes, ku ishte paraparë të hapej një kafene, pronari i së cilës ishte i obliguar ta mirëmbante edhe Muzeun e Muzikës.
Si pasojë e riparimeve për rikonstruktimin e këtij objekti një pjesë e murit të Muzeut ishte thyer plotësisht dhe kështu nuk kishte mbetur asnjë pengesë që të ndalonte hyrjen apo që do të mbronte hapësirat e brendshme.
Në vitin 2012, objekti ishte ndërtuar nga Ministria e Kulturës me qëllimin që të shndërrohej në muze të muzikës popullore.
Për këtë vandalizëm dhe shkatërrim të objektit të Muzeut të Muzikës, Qendra Rajonale për Trashëgimi Kulturore në Gjakovë kishte bërë dy shkresa.
“Si QRTK ne e kemi një shkresë të datës 17.5.2021, kur kanë filluar edhe shkatërrimet e para të objektit të Muzeut të Muzikës. Është një raport i cili u është shpërndarë të gjitha instancave, përfshirë edhe të vijës komanduese në kuadër të Ministrisë së Kulturës, por edhe institucioneve komunale. Po ashtu, edhe në ditët e fundit një raport i ngjashëm por i plotësuar me të dhëna shtesë, jo edhe aq të përshtatshme, sepse objekti ka vazhduar të shkatërrohej në mungesë të menaxhimit të mirëfilltë…”, kishte bërë të ditur në janar të këtij viti drejtori i QRTK-së, Visar Haxhibeqiri.
Në shkresën e vitit 2021 përshkruhet në detaje gjendja e ndërtesës pas vandalizimit. Për disa nga eksponatet e këtij muzeu ishte kujdesuar Muzeu Etnografik i Gjakovës. Megjithatë, për shkak të vështirësive në bartje pianoja kishte mbetur në mëshirë të fatit.
“Ne kemi marrë disa eksponate dhe i kemi sjellë në Muzeun Etnografik. Pianoja nuk është hequr, sepse dyert janë më të vogla e edhe kur ka hyrë aty pianoja, ka hyrë me shumë vështirësi. Objekti ka qenë i mbyllur fillimisht, por për shkak të intervenimit është mundësuar hapja e murit të madh. Vandalizimi i saj duhet të ketë ndodhur gjatë festave të fundvitit, sepse ne shkojmë herë pas here dhe e vizitojmë objektin, por për shkak të rinovimeve kjo ka ndodhur më rrallë”, kishte treguar drejtori Hasi. Nga Muzeu i Muzikës në Muzeun Etnografik ishin bartur dy kontrabasë, një fagot dhe disa fotografi, të cilat, për shkak të mungesës së hapësirës, qenë vendosur brenda një pakoje. Disa nga objektet, siç është sharkia e Ymer Rizës, ishin marrë nga familjet e artistëve.