Gjykata e Apelit i ka refuzuar si të pabazuara ankesat e mbrojtësve të të dyshuarve Andi Pajaziti, Hisni Gecaj dhe Gëzim Zakuti, të cilët dyshohen për përfshirje në rastin e 4 gushtit në “Bon Vivant”, ku si pasojë e të shtënave me armë vdiq 39-vjeçari K.R., duke vërtetuar vendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë, me të cilin tre të dyshuarve iu kishte caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej 30 ditësh (secilit veç e veç).
Lajmi u bë i ditur përmes një komunikate për medie nga Apeli, ku thuhet se është vërtetuar vendimi i Themelores, i marrë më 6 gusht 2023.
“Me aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë – Departamenti për Krime të Rënda, PPRKR.nr.190/2023, të datës 06.08.2023, të pandehurve A.P, H.G dhe G.Z i ’u ka caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej një (1) muaji, për shkak të dyshimit të bazuar se i pandehuri A.P ka kryer veprat penale vrasje e rëndë nga neni 173 paragrafi 1 nën paragrafi l.5 të KPRK, mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve nga neni 366 paragrafi 1 të KPRK, përdorimi armës apo mjetit të rrezikshëm nga neni 367 paragrafi 2 të KPRKK dhe shkaktimi i rrezikut të përgjithshëm nga neni 356 të KPRK, i pandehuri H.G për veprat penale pjesëmarrje në rrahje nga neni 187 të KPRK dhe mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve nga neni 366 paragrafi l të KPRK si dhe i pandehuri G.Z për shkak të veprës penale pjesëmarrje në rrahje nga neni 187 të KPRK”, thuhet në njoftim.
Apeli thekson se gjykata e shkallës së parë drejt ka arsyetuar se nga shkresat e lëndës respektivisht nga provat e mbledhura deri më tani ekziston dyshimi i bazuar se të pandehurit kanë kryer veprat penale për të cilat dyshohen dhe po ashtu nga provat e mbledhura deri më tani janë plotësuar kushtet ligjore për caktimin e masës së paraburgimit.
“Gjykata e Apelit me aktvendimin PN1.DKR.nr.876/2023, të datës 16.8.2023, i ka refuzuar si të pabazuara ankesat e mbrojtësve të të akuzuarve A.P, H.G dhe G.Z, ndërsa aktvendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë – Departamenti për Krime të Rënda PPRKR.nr.190/2023, të datës 06.08.2023, e ka vërtetuar. Në arsyetim të aktvendimit Gjykata e Apelit ka theksuar se gjykata e shkallës së parë drejtë ka arsyetuar se nga shkresat e lëndës respektivisht nga provat e mbledhura deri me tani ekziston dyshimi i bazuar se të pandehurit kanë kryer veprat penale për të cilat dyshohen dhe po ashtu nga provat e mbledhura deri me tani janë plotësuar kushtet ligjore nga neni 184 par.1 nen par.1.1 dhe 1.2 pika 1.2.1, 1.2.2 dhe 1.2.3 të KPRK-së, që janë kushte qenësor për caktimin e masës së paraburgimit”, thuhet më tej.
Ndryshe, i dyshuari tjetër për përfshirje në këtë rast, Dukagjin Nikollaj, gjendet në arrati.
Prokuroria Themelore në Prishtinë, më 5 gusht 2023 njoftoi se të gjithë të dyshuarit për përfshirje në rastin “Bon Vivant”, kanë të kaluar kriminale. Kurse, ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla, e ka bërë fajtor sistemin e drejtësisë për vrasjen në “Bon Vivant”.
Lidhur me rastin e 4 gushtit, Shërbimi Spitalor Klinik dhe Universitar i Kosovës kishte njoftuar se 17 persona janë lënduar, kurse njëri prej tyre vdiq si pasojë e plagëve të marra. Rasti dyshohet se ndodhi si pasojë e një mosmarrëveshjeje mes të dyshuarve.
Policia e Kosovës e ka konfirmuar të premten pas mesnate se në incidentin që ka ndodhur në një lokal në qendër të Prishtinës ka persona të plagosur me armë zjarri, por edhe nga copat e xhamave./ BetimipërDrejtësi