Përdorimi i drogës është bërë një dukuri që po vazhdon të rritet dita ditës në Kosovë, pasi pothuajse çdo ditë raportohet për raste kur të rinjtë kapen duke bërë shitblerje ose duke konsumuar drogë, e të shpeshtë janë edhe të miturit.

Një rast i tillë është zbuluar dje te parku i qytetit në Vushtrri, ku një njësi policore që po patrullonte në atë zonë ka ndalur dy të dyshuar për kontroll.

Sinjali mëson se te dy të dyshuarit, njëri nga ta i mitur, Policia ka gjetur substancë të dyshuar narkotike. Sipas burimeve, te 18-vjeçarja janë gjetur dhe sekuestruar disa qese me marihuanë.

Të dyshuarit janë shoqëruar në stacion policor, ku janë intervistuar lidhur me rastin.

Me urdhër të prokurorit, ata do të hetohen në liri për veprën penale ‘Posedim i paautorizuar i narkotikëve, substancave psikotrope ose analoge’.

Sipas Kodit Penal të Kosovës, është e jashtëligjshme që qytetarët të blejnë, posedojnë apo shpërndajnë substanca narkotike dhe mund të dënohen me gjobë apo burgim, varësisht nga sasia dhe lloji i lëndës narkotike që iu kapet nga autoritetet e rendit.