Një ditë më parë Policia e Shtetit në Tiranë arrestoi pesë persona për trafikim me lëndë narkotike, ndërkaq në mesin e të arrestuarve është edhe Besnik Mujeci, asamblist i Lëvizjes Vetëvendosje në Prishtinë.
Policia e Shtetit në njoftimin zyrtar kishte bërë të ditur se ata janë kapur me 11 300 tabletash ekstazi MDMA, vlera e të cilës arrin 400 mijë euro.
“Nga hetimet ka rezultuar se këta shtetas, duke shfrytëzuar fluksin e sezonit turistik i kalonin dërgesat nëpërmjet linjave të autobusëve Prishtinë-Tiranë. Pasi dërgesat arrinin në Tiranë, ata transportoheshin me makina të marra me qira në Tiranë dhe në qytete të tjera, kryesisht bregdetare”, thuhej në njoftim.
E, në lidhje me këtë pas inicimit të procedurës disiplinore ndaj asamblistit Besnik Mujeci, Komisioni Disiplinor i LVV-së mori vendim për përjashtimin e tij nga partia.
Vendimin e bëri të ditur Sekretari Organizativ i Lëvizjes Vetëvendosje, Alim Rama, i cili tha se “pas marrjes së informacionit për arrestimin e asamblistit të Komunës së Prishtinës nga radhët e subjektit tonë, Komisionin Disiplinor i LVV menjëherë ka trajtuar këtë rast”.
“Si rrjedhojë Komisioni Disiplinor i Lëvizjes Vetëvendosje në mbledhje mori vendim për përjashtimin e anëtarit Besnik Mujeci nga anëtarësia dhe të gjitha strukturat e Lëvizjes Vetëvendosje”, ka shkruar Rama në një postim në Facebook.
Për këtë vendim të strukturave partiake ka reaguar edhe Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu.
“Veprimet për të cilat është arrestuar Besnik Mujeci janë krime të rënda dhe institucionet e drejtësisë ndaj tij dhe të tjerëve, duhet të japin dënimet maksimale!”, ka shkruar Haxhiu, duke iu referuar vendimit të LVV-së, njofton Telegrafi.
“Njerëz të tillë nuk kanë vend në Lëvizje”, ka deklaruar tutje kryetarja e Forumit të Gruas në Lëvizjen Vetëvendosje.
Por, në lidhje me këtë rast nuk munguan edhe reagimet e shumta nga partitë opozitare.
Shefi i asamblistëve të Partisë Demokratike të Kosovës në Komunën e Prishtinës, Leutrim Retkoceri ka kërkuar urgjentisht nga organet e rendit nisjen e hetimeve për siç tha aferën “Droga”, pas arrestimit të asamblistit të Lëvizjes Vetëvendosje, Besnik Mujeci.
Edhe, kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku reagoi të martën pas arrestimit të asamblistit të LVV-së, Besnik Mujeci, ku tha se synimet e LVV-së muaj më parë për kapjen e ndërmarrjeve publike në kryeqytet ishin tentativë e trishtë dhe e dështuar.
Ai po ashtu ngriti dyshime se ekziston një rrjet i cili merret me bartjen e narkotikëve.
I pari i LDK ftoi Prokurorinë e Shtetit të hetojë këtë rrjet, në veçanti njerëzit e përfshirë në këtë skemë dhe mbështetjen politike që kanë marrë në gjithë këtë proces.
Reagim pati edhe nga drejtori për Informim, nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Lulëzim Blaka i cili tha se Qeverisë Kurti nuk do t’i ndihmojë as arroganca e numrave e as kauzat e rrejshme për të shpëtuar nga ndëshkimi popullor.
Sipas tij, një eksponent i kësaj partie u zu me mijëra doza droge në Shqipëri.
“Shpërdorimi i pozitës zyrtare nga njerëzit e Kurtit nuk është lajm i ri, pasi që asamblisti Mujeci është vetëm i fundit në radhën e atyre që janë kapur nga drejtësia. Mujeci që ishte emëruar para pak kohësh si aksionar në Stacionin e Autobusëve, dyshohet se drogën në vlerë 400 mijë euro e ka dërguar nga Kosova në Shqipëri pikërisht me autobusë”, ka thënë ai.