Wednesday, November 27, 2024
HomeLajmeRaporti special i Mehajt me ambasadorët – falënderime dhe keqardhje për dorëheqjen...

Raporti special i Mehajt me ambasadorët – falënderime dhe keqardhje për dorëheqjen e tij

Për 29 muaj Armend Mehaj udhëhoqi një ndër ministritë më të rëndësishme të vendit – atë të Mbrojtjes.

Ai dha dorëheqje dje për “arsye familjare”, ndërsa Qeveria tha se Mehaj ka kërkuar lirimin nga detyra për shkak se gruaja e tij është diagnostifikuar me një sëmundje të rrallë për çka edhe i duhet kujdesi në Norvegji ku jeton familja e tij.

Gjatë mandatit, zyra e Mehajt ishte nikoqire e shumë mysafirëve, përfshirë ambasadorë, ish-ministra të kësaj ministrie, si edhe rivalë partiakë të partisë në pushtet meqë për këtë dikaster nevojitet unanimiteti.

Për këtë arsye largimi i Mehajt nga Ministria e Mbrojtjes çoi në një sërë reagimesh falënderuese ndaj tij, kryesisht nga diplomatët e huaj në Kosovë.

Për t’i dhënë lamtumirën ish-ministrit të Mbrojtjes, ambasadori amerikan Jeff Hovenier e priti Mehajn në ambasadë.

“Vlerësova mundësinë për të falënderuar ish-ministrin e Mbrojtjes Mehaj për shërbimin e tij dhe bashkëpunimin dhe partneritetin tonë të ngushtë gjatë mandatit të tij. Duke i uruar më të mirat në përpjekjet e tij të ardhshme”, shkroi ambasadori amerikan.

Ndërkaq, për këtë takim Mehaj tha se s’kishte se si ta përfundonte mandatin tjetërkund.

“Detyrën time nuk kisha se si ta përfundoj ndryshe përveçse me një takim të ngrohtë dhe përshëndetës me ambasadorin amerikan z. Hovenier dhe atasheun z. Mosley. Falënderim per mbështetjen dhe bashkëpunimin e ngushtë për këto dy vite e gjysmë që kishim. Të gjitha kapacitetet e ushtrisë sonë janë ngritur në koordinim të plotë dhe me ndihmën e pakursyer të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Rrugëtimi im ka qenë vazhdimisht krah për krah SHBA-ve në proceset që kemi pasë përpara”, shkroi vetë Mehaj.

Ai tha se fjalët falënderuese të ambasadorit, për bashkëpunimin, partneritetin, kultivimin e besimit, orientimin strategjik, partneritetin me SHBA-në dhe diplomacinë e zhvilluar, ishin mbresëlënëse për të.

Ambasadori britanik, Nicholas Abbott, tha se me keqardhje ka marrë lajmin e largimit të Mehajt.

“Më vjen keq të dëgjoj se Armend Mehaj ka dhënë dorëheqjen si ministër i Mbrojtjes. I jam mirënjohës për kontributin e tij pozitiv në marrëdhënien Mbretëri e Bashkuar-Kosovë në fushën e mbrojtjes gjatë 2 e gjysmë viteve të fundit dhe i uroj atij mirë në të ardhmen”, tha Abbott menjëherë pasi u konfirmua dorëheqja e Mehajt.

Ky i fundit e falënderoi Abbottin për bashkëpunimin.

Mehajt një falënderim i erdhi edhe nga partneri tjetër i Kosovës në fushën e mbrojtjes.

Ambasada e Turqisë në Kosovë tha se kanë punuar ngushtë me ish-ministrin e Mbrojtjes Mehaj për të zhvilluar bashkëpunimin Turqi-Kosovë në mbrojtje.

“Mirënjohës për mbështetjen e tij. I urojmë suksese në përpjekjet e tij të ardhshme. Mezi presim të punojmë me Ministrin e Mbrojtjes Ejup Maqedonci për të avancuar bashkëpunimin tonë”, tha ambasada turke.

Me një “Arrivederci amico!” e përshëndeti edhe ambasada italiane.

“Faleminderit Armend Mehajt për punën dhe përkushtimin e tij në mandatin e tij si Ministër i Mbrojtjes i Losovës. Ai promovoi pa u lodhur bashkëpunimin Itali-Kosovë në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes. I urojmë gjithë të mirat në përpjekjet e tij”.

Mehaj mori falënderime për shërbimin e tij edhe nga politikanët vendorë.

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, e ka falënderuar atë për për shërbimin ndaj atdheut”.

Ndërkaq, deputeti i PDK-së, Hisen Berisha, e quajti Mehajn si “ministër historik”.

“Armend Mehaj si Ministër, me përkushtim për blerjet e armatimit dhe heqjen e kufizimeve ligjore për kapacitetet ushtarake, do të mbetet një “Ministër historik” që na ka bërë krenar si ushtarak. Në mandatin e tij, e kemi tronditur Beogradin”, ka shkruar ai.

Kryeministri Albin Kurti, duke i uruar mirëseardhjes pasardhësit të Mehajt, Ejup Maqedonci, e falënderoi Mehajn për kontributin e tij dhe i uroi shërim të plotë gruas së tij.

“E falënderoj edhe njëherë përzemërsisht për kontributin, angazhimin dhe dedikimin pashoq ish-ministrin Armend Mehaj, ndërkaq bashkëshortes së tij i dëshiroj shërim të plotë dhe të shpejtë”, tha Kurti./

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments