Thursday, November 28, 2024
HomeLajmeDorëheqja e ushtarit që Kurti e solli nga Norvegjia, çfarë bëri si...

Dorëheqja e ushtarit që Kurti e solli nga Norvegjia, çfarë bëri si Ministër Armend Mehaj?

Nga Isniqi i Deçanit në Oslo të Norvegjisë, për t’u kthyer si ministër i Mbrojtjes në Prishtinë 21 vjet pas luftës. Sot e la detyrën e ministrit, pasi qëndroi në atë pozitë mbi 2 vjet. Për çfarë do të mbahet në mend Armend Mehaj?

Armend Mehaj nuk është më Ministër i Mbrojtjes. Ai dha papritur dorëheqje për, siç tha vetë, “arsye familjare”.

Drejtimin e dikasterit përgjegjës për formimin dhe zbatimin e sigurisë dhe rendit shtetëror, Mehaj e mori më 22 mars 2021. Shumë pak njerëz mund ta kenë njohur deri atëherë.

42-vjeçari u bë njeriu i parë në Qeverinë Kurti 2 që erdhi nga jashtë vendit (Norvegjia) për të marrë detyrën e ministrit. Duke qenë pjesë e Forcave të Armatosura të Norvegjisë nga viti 1999, me përvojë shërbimi në Afganistan dhe Chad, ai mendohej se do ta sillte në Kosovë përvojën e tij të nevojshme në fushën e mbrojtjes së vendit.

Armend Mehaj ishte votuar si ministri më i suksesshëm në një anketë të Gazetës Express vitin e kaluar. Votimi disaditor e kishte vënë Mehajn në krye të listës, me mbi 20% të votave. Ai ishte një nga ministrat me më së paku paraqitje publike. Aktivitetin e tij, kryesisht e shpaloste në rrjetet sociale.

Gjatë punës së tij, Mehaj do të mbahet në mend si ministri gjatë kohës së të cilit u formua Fondi i Sigurisë, më 1 mars 2022. Kjo lëvizje, siç kishte thënë Mehaj, u bë për shkak të rrethanave gjeopolitike në botë, por edhe për shkak luftës së Rusisë në Ukrainë.

Për shumën e parave të mbledhura në këtë fond nuk u fol asnjëherë dhe kjo ishte pika në të cilën ndoshta më së shumti u kritikua Ministria e Mbrojtjes gjatë kohës së udhëhequr prej Mehajt. Tani ish-ministri, thoshte se mjetet do të përdoreshin në përputhje me një strategji shtetërore e cila do të miratohej nga Qeveria dhe se themelimi i këtij fondi ka qenë në “koordinim të plotë me Shtetet e Bashkuara”. Tash, pas dorëheqjes, ai ka përmbledhur punën e tij në një postim në Facebook, ku nuk e ka përmendur Fondin e Sigurisë.

Mehaj u angazhua në rritjen e numrit të pjesëtarëve të Forcës së Sigurisë së Kosovës. Për 2 vjet, FSK-së iu shtuan 1836 ushtarë. Në vitin 2021 diplomuan 404 rekrutë në FSK. Në vitin 2022 diplomuan 820 rekrutë të tjerë. Në vitin 2023 do të trajnohen 612 rekrutë të rinj, 316 prej të cilëve kanë filluar trajnimin bazik.

“Rritje të numrit, armatim modern dhe trajnime adekuate. Ushtria jonë është siguria e atdheut”, shkroi para katër ditësh në Facebook ish-ministri Armend Mehaj.

Ish–komandanti gjerman i KFOR-it, Ehard Bühler e pati lavdëruar Mehajn në një intervistë për Express në shkurt, duke thënë se ai “është duke bërë një punë të shkëlqyeshme në kërkimin e bashkëpunimit me NATO-n kurdo që është e mundshme”.

“..E në të njëjtën kohë po e ndërton Ushtrinë e Kosovës sipas standarteve të NATO- s. Kjo është rruga e duhur dhe pragmatike për periudhën e tranzicionit”, pati thënë Bühler.

Në njoftimin e dorëheqjes në Facebook, Mehaj tha se sa e udhëhoqi Ministrinë e Mbrojtjes, janë bërë “miliona euro blerje të armatimit dhe pajisjeve, për herë të parë përmes marrëveshjesh të drejtpërdrejta ndërshtetërore, duke i shmangur dhe parandaluar keqpërdorimet e mundshme”.

Në rritjen e kapaciteteve ushtarake, do të mbahet në mend blerja e dronëve Bayraktar TB-2 nga Turqia.

Buxheti i Ministrisë së Mbrojtjes u dyfishua nga 64 milionë në 123 milionë euro.

Kosova dhe Mbretëria e Bashkuar në shtator të vitit të kaluar e nënshkruan një deklaratë të përbashkët për bashkë-zbarkimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës me ushtrinë britanike në misionet ku angazhohet kjo e fundit. Armend Mehaj e kishte vënë nënshkrimin gjatë vizitës së tij në Londër, ku ishte pritur nga ministri britanik i Forcave të Armatosura dhe Veteranëve, James Heappey.

“Deklarata e përbashkët për bashkë-zbarkim është e arritur shumë e madhe e Republikës së Kosovës e cila rikonfirmon fuqishëm besueshmërinë e plotë të Mbretërisë së Bashkuar dhe Qeverisë së saj në Ministrinë tonë të Mbrojtjes dhe kapacitetet e forcave tona”, shprehej Mehaj.

Kjo marrëveshje më vonë u pasua nga dërgimi i një kontigjenti ushtarësh të FSK-së në Ishujt Falkland, territorin që përbën një kontest ndërmjet Mbretërisë së Bashkuar dhe Argjentinës, statusi i sovranitetit të të cilit është pjesë e një mosmarrëveshjeje të vazhdueshme midis dy vendeve.

Pasi u dorëhoq, Mehaj tha se ka qenë nder dhe privilegj që e drejtoi këtë ministri. Atë në krye të Ministrisë së Mbrojtjes do ta pasojë koloneli Ejup Maqedonci i cili tashmë e ka marrë detyrën.

 

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments